Ish-zyrtari policor i Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet e Serbisë po dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë” në Banjskë. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN mbrojtësi ligjor i Spahiut, Arianit Koci, që tha se aktualisht gjendet në Serbi.
Ai njoftoi se do të ushtrojë ankesë.
“Vrasje e rëndë, nga neni 114, paragrafi 1, pika 11. Ankesa do të ushtrohet brenda tri ditëve. Kjo edhe është arsyeja pse kam ardhur (në Serbi v.j.). Me e mbikëqyr krejt procesin”, ka thënë shkurtimisht Koci.
Spahiu gjendet në paraburgim, prej së hënës, kur iu caktua masa nga autoritetet serbe. Ai ishte ndaluar nga Serbia derisa po udhëtonte me familjen me autobus nga Austria.
Koci ka deklaruar se kallëzimi penal ndaj Spahiut është bërë nga BIA serbe, teksa ka shtuar se një veprim i tillë “është përndjekje politike dhe e një zinxhiri të koordinuar nga Serbia”.
Sipas Kocit, shteti serb ka për qëllim t’i frikësojë pjesëtarët e strukturave të sigurisë në Kosovë.
“Kallëzimi penal është bërë nga ana e BIA-s serbe. Por e vërteta është krejt tjetër. Arbnori nuk ka qenë fare pjesëtar i Policisë së Kosovës në kohën e ngjarjes së pretenduar. Ka dhënë dorëheqje afërsisht një vit më parë – dhe jeton në Gjermani. Për këtë kemi dorëzuar prova. Kjo nuk është procedurë penale – është përndjekje politike. Dhe është pjesë e qartë e një zinxhiri veprimesh të koordinuara nga Serbia – për të frikësuar ish-pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Kosovës”, ka thënë Koci.
Mbrojtësi ligjor i Spahiut ka kërkuar reagim publik të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe të presidentes Vjosa Osmani.
“Shteti i Kosovës nuk guxon të heshtë, kur qytetarët e vet përndiqen padrejtësisht jashtë territorit të vendit. Nëse Kosova nuk i mbron njerëzit e saj – kush do ta bëjë?”, ka thënë ai për KOHËN.