Ish-polici Arbnor Spahiu, që u lirua nga autoritetet serbe të premten në mbrëmje, e ka cilësuar proces politik dhe të padrejtë arrestimin e tij në qershor.
Spahiu në një shkrim në Facebook ka thënë se është mirë me shëndet, teksa ka falënderuar institucionet dhe qytetarët e Kosovës për mbështetjen.
“Përshëndetje Kosova ime. Dje në mesditë jam liruar nga burgu i Serbisë, ku kam qenë i arrestuar padrejtësisht që nga 7 qershori i këtij viti për akuza të rënda, të cilat kanë qenë pjesë e një procesi plotësisht politik dhe të padrejtë. Dua t’ju njoftoj se jam mirë, më i fortë se kurrë dhe mirënjohës për çdo mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë”, ka shkruar ai në Facebook të shtunën.
Spahiu u lirua të premten nga paraburgimi në Serbi, ku mbahej nën akuza për “vrasje të rëndë” lidhur me ngjarjet në Banjskë të vitit 2023. Ai qe arrestuar në pikën kufitare mes Serbisë e Hungarisë në qershor të këtij viti.
Pas lirimit të tij, Ministria e Jashtme e Kosovës i cilësoi të motivuara politikisht akuzat ndaj Spahiut. Ky institucion kërkoi nga Serbia t’i japë fund praktikës së përdorimit të drejtësisë për presion politik.