Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky: SHBA-ja propozoi tërheqjen e Ukrainës nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO

Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se negociatorët amerikanë, pas rundit të fundit të bisedimeve për paqe në Abu Dhabi, për herë të parë e kanë pyetur nëse Ukraina do të tërhiqej nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO.

“Amerikanët e bënë këtë pyetje: ‘Po sikur Ukraina të anëtarësohej në NATO? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?’ Kjo është hera e parë që është ngritur një çështje e tillë”, ka thënë Zelensky para gazetarëve, transmeton France24. 

Ai përsëriti se Kievi nuk është i gatshëm të tërhiqet nga territoret e veta. Megjithatë, tha se nëse Ukraina do të merrte një paketë gjithëpërfshirëse të sigurisë, që do të përfshinte garanci të sigurisë, një ushtri ukrainase të fortë dhe të financuar mirë, si dhe fonde për rindërtim, atëherë do ta çonte këtë çështje në referendum.

Zelensky shtoi se Kievi po diskuton me vendet perëndimore për garanci “konkrete” të sigurisë.

Ai paralajmëroi se përpjekjet e Kremlinit për të ndryshuar arkitekturën e sigurisë në kontinent mund të çojnë në luftëra të reja.

“Kjo është e rrezikshme sepse, sipas mendimit tim, pikërisht gjëra të tilla çojnë në luftëra ose përshkallëzime”, u shpreh ai.

Sipas Zelenskyt, siguria e vetme reale për Evropën garantohet nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.

“Siguria reale në Evropë nënkupton BE-në dhe NATO-n. Kaq. Nuk ka siguri tjetër në Evropë”, ka thënë presidenti ukrainas.

Bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, u zhvilluan këtë javë në Abu Dhabi. Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner u takuan me Zelenskyn të enjten në Dublin.