LAJMET E MBRËMJES

Me protestë në Prishtinë kërkohet lirimi i ish-policit të paraburgosur në Serbi

Një grup qytetarësh kanë protestuar të martën në Prishtinë me kërkesën për lirimin e ish-policit Arbnor Spahiu, i cili nga qershori mbahet në paraburgim në Suboticë të Serbisë. Protestuesit u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen për lirimin e Spahiut

Me thirrjen “Liri për Arbnor Spahiun”, të martën është mbajtur protestë në Prishtinë, ku është bërë thirrje për lirimin nga paraburgimi në Serbi të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale.

Spahiu është arrestuar në qershor të këtij viti nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë dhe akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Fatmir Spahiu, babai i ish-policit, ka thënë se kanë dorëzuar dokumentet që tregojnë se djali i tij nuk ka qenë pjesë e policisë kur ndodhi sulmi në Banjskë.

“Arbnori sa i përket gjendjes fizike është mirë, për shkak gjendjes emocionale dihet se është i lodhur, i mërzitur nga padrejtësia që po i bëhet, ndërsa me u maltretu nuk është maltretuar, sjellja ka qenë korrekte, mirëpo ai po e vuan atë pasi që është duke u mbajtur në mënyrë të padrejtë. Policinë e Kosovës e ka lënë me një nëntor 2022, ndërsa ky akuzohet për rastin që ka ndodhur më 24 shtator 2023,  ka udhëtuar më herët, nuk është ndaluar”, ka thënë ai.

Familjarët e tij kritikuan institucionet e Kosovës për mospunë e bënë thirrje tek ato ndërkombëtare për të ndihmuar në lirimin e tij.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve tona shtetërore që të mos heshtin, të mos vonojnë dhe të mos e neglizhojnë këtë rast. Heshtja e shtetit nuk është thjesht dështim, është një padrejtësi e dyfishtë. Është detyrë e shtetit të mbrojë çdo qytetar të tij, pavarësisht se ku gjendet ai. Po ashtu, sot duam të drejtohemi me forcë edhe tek institucionet ndërkombëtare, ambasadat e vendeve mike, organizatat për të drejtat e njeriut. Ne ju bëjmë thirrje që të mos qëndroni të heshtur përballë kësaj padrejtësie”, ka deklaruar Donjeta Spahiu, familjare e ish-policit Spahiu.

Thirrje institucioneve për reagim urgjent ka bërë edhe organizatorja e protestës, Erëza Zeqiri.

Ajo ka thënë se ish-polici Spahiu po mbahet padrejtësisht në paraburgim në Serbi.

“Arbnori, një ish-polic i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj shërbimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve, sot ndodhet padrejtësisht në burg në Serbi, i privuar nga liria dhe i ndarë nga familja e tij. Prania jonë këtu është më shumë se një mbështetje simbolike. Ajo është dëshmi se padrejtësia nuk mund të mbulohet me heshtje. Ne jemi këtu për të ngritur zërin e Arbnorit, për të thënë me vendosmëri se liria e tij është e drejtë themelore dhe se askush nuk duhet të mbahet peng i padrejtësisë”, ka thënë Zeqiri.

Spahiu po mbahet në qytetin verior të Serbisë, Suboticë, që nga 9 qershori, kur Gjykata e Lartë e Suboticës ka urdhëruar paraburgimin e tij.