Në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë thënë se janë duke u angazhuar për lirimin e Spahiut dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë, për shkak të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve nga shteti serb. Lidhur me rastin e 7 qershorit kanë reaguar të mërkurën presidentja Vjosa Osmani e kryeministri në detyrë Albin Kurti, teksa kanë kërkuar reagimin e faktorit ndërkombëtar kundër “shkeljes së të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë”
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) nuk i ka shfrytëzuar informacionet që i ka në dispozicion për t’i demantuar akuzat e ngritura nga Serbia ndaj ish-policit, Arbnor Spahiu, i cili është arrestuar nga autoritetet serbe me pretendimin për pjesëmarrje në rastin e Banjskës.
Në vend që t’i merrte të dhënat nga Ministria e Punëve të Brendshme, MPJD-ja i është referuar deklaratës së familjes së Spahiut, në të cilën thuhet se ai nuk ka qenë pjesë e operacionit të Banjskës dhe nuk ka punuar në Policinë e Kosovës që nga viti 2022.
“Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj z. Spahiu kanë të bëjnë me rastin e Banjskës. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij”, thuhet në reagimin e MPJD-së lidhur me rastin.
Në këtë ministri kanë thënë se janë duke u angazhuar për lirimin e Spahiut dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë, për shkak të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve nga shteti serb.
Teksa kanë kaluar pesë ditë që nga arrestimi i Spahiut, presidentja Vjosa Osmani ka reaguar të mërkurën për rastin.
“Gjatë ditëve të fundit përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të QUINT-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen”, ka shkruar Osmani në Facebook. “Arrestimet e qytetarëve tanë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90. Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës. I tillë është edhe arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme. Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë”.
Reagim ka pasur të mërkurën edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tek ka theksuar se sjellja e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës nuk duhet të normalizohet.
“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë. Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, ka shkruar Kurti.
E para reagimit të Kurtit kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar përfaqësuesit qeveritarë për heshtje ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale.
“Shpreh keqardhjen dhe indinjatën e kundërshtimin e madh për ndalimin arbitrar dhe të padrejtë të ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili po mbahet nga regjimi serb në mënyrë të padrejtë. Por, për më shumë, të shpreh pakënaqësi me mosreagimin institucional, me mosreagimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ende asnjë fjalë të vetme nuk e ka thënë për ndalimin e jo vetëm një qytetari që do të duhej, por të një shërbyesi të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu.
“Kemi parë një marrje peng të një qytetari, ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, dhe kemi parë njëkohësisht që nuk ka veprime zyrtare shtetërore për t’u angazhuar për lirimin e tij sa më parë. Në emër të LDK-së t’u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen për lirimin e menjëhershëm të ish-zyrtarit tonë policor”, ka thënë ajo.
Spahiu është arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikëkalimin kufitar midis Hungarisë e Serbisë derisa po udhëtonte me autobus, së bashku me familjarë të tij, gjatë kthimit nga Austria.