Arbëri

Osmani për arrestimin e Spahiut: Veprim arbitrar, i ngjashëm me ato shoviniste të viteve ’90

osmani

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar për rastin e arrestimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu në Serbi më 7 qershor. 

Osmani ka thënë se arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, siç ka vlerësuar ajo, të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90.

Ajo ka thënë se i tillë është edhe arrestimi Spahiut, siç ka thënë, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme.

“Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

“Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë. Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare”, ka shkruar tutje Osmani.

Ajo ka thënë se këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve.

“Gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen”, ka theksuar Osmani.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin nëpër Serbi, siç ka shkruar, “duke qenë të vetëdijshëm për praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye si dhe për tendencat destabilizuese të këtij shteti”.

Spahiut më 9 qershor i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve nga Gjykata e Qarkut të Suboticës, ndërsa sipas deklarimeve të avokatit mbrojtës të tij Arianit Koci, ai po akuzohet për rastin e Banjskë.