Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë udhëtimin drejt Kosovës, që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë.
Ata janë inkurajuar që të përdorin pika të tjera kufitare për kalimin e tyre.
MPJD-ja përmes një postimi në Facebook ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
“Rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, z. Spahiu në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është dëshmi e mëtejme e praktikave të papranueshme dhe destruktive të Serbisë, që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke e ndjekur nga afër situatën dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të adresimit të këtyre shkeljeve sistematike dhe garantimit të të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.