LAJMET E MBRËMJES

Mbrojtja e Krasniqit: Qëndrimi kundër bashkëpunëtorëve të Serbisë ishte i rrënjosur te shqiptarët

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka argumentuar se ndëshkimi i bashkëpunëtorëve të Serbisë ka qenë e rrënjosur në kulturën shqiptare dhe nuk ishte politikë e UÇK-së. Avokatët e Krasniqit thanë po ashtu se prokuroria nuk e ka vërtetuar se i akuzuari ka parë e as që ka marrë informata për krimet e pretenduara në aktakuzë.

Në përmbyllje të fjalës përfundimtare në Gjykatën Speciale, avokati Mentor Beqiri ka thënë se asnjë dëshmitar nuk ka dëshmuar se ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi në mënyrë të drejtpërdrejtë ka urdhëruar apo ka marrë pjesë në ndonjë prej krimeve të pretenduara.

Beqiri argumentoi se si aversioni kundër bashkëpunëtorëve të Serbisë ishte i rrënjosur në shoqërinë shqiptare para konfliktit të armatosur dhe se nuk ishte politikë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

“Mbrojtësi i Viktimave pohon se vuajtja e atyre që quheshin bashkëpunëtorë ishte rezultat i një politike të miratuar dhe të zbatuar nga UÇK-ja. Ky pohim është në kundërshtim me provat në shkresat e lëndës. Dëshmitarë të shumtë nga të gjitha kontekstet dhe përkatësitë, politike apo të tjerë, përfshirë dëshmitarin 48283 dhe Fred Abrahams dëshmuan se stigma që shënjestronte ‘bashkëpunimin’ ekzsitonte përpara konfliktit të armatosur dhe ishte e rrënjosur thellë në shoqërinë shqiptare përpara periudhës së aktakuzës”, ka thënë Beqiri.

E avokati Aidan Ellis i tha gjykatës se  prania e ish-kryetarit të Kuvendit në vende ku pati të ndaluar nuk e dëshmon se ai ka qenë në dijeni për krimet e pretenduara në aktakuzë.

“Sa i takon Jabllanicës fillimisht, pretendimi është se z. Krasniqi ka vizituar Lahi Brahimajn në vitin 1998-n edhe në korrik dhe se dihej botërisht që Brahimja kontrollonte vendin ku mbaheshin të ndaluar personat. Kontrolli i një godine apo një objekti nuk është problemi, problemi është cilat janë provat që z. Krasniqi e ka ditur asokohe që atje kryheshin krime dhe sipas nesh, nuk ka asnjë provë. Nuk ka provë që komunikimet në korrik të 98-s kanë shërbyer për ta njoftuar z. Krasniqi dhe nuk është dhënë asnjë provë konkrete se ai në të vërtetë ka pasur informacione lidhur me këtë”, ka thënë Ellis.

Ellis tha po ashtu se prokuroria po vendos barrë të padrejtë prove te mbrojtja.

Për këtë e mori shembull ndalimin e Blerim Kuçit, për të cilin ka folur edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm –Bislim Zyrapi.  

“Prokuroria as që e ka vërtetuar që Kuçi është arrestuar në praninë e Krasniqit. Sipas parashtrimeve tona, për barrën e provës në këtë çështje ia vlen të shkruhet një libër i tërë. Prokuroria nuk e ka thirrur asnjë person që ishte i pranishëm në momentin e arrestimit. Si Zyrapi edhe persona të tjerë kanë thënë se që ata e lënë në një dhomë me Krasniqin dhe persona të tjerë dhe u largua ndërkohë që Zyrapi konfirmon në transkriptë që ai nuk e di se çfarë ka ndodhur pasi është larguar nga dhoma. Kjo më vete, nuk mund ta vërtetojë përtej dyshimit të bazuar se Krasniqi ka qenë i pranishëm në momentin e arrestimit – aq më pak që ai e ka urdhëruar arrestimin”, ka shtuar Ellis tutje.

Ellis theksoi se provat tregojnë se angazhimi i Krasniqit ka qenë angazhim politik i projektuar për të siguruar lirinë.