Profesori i së Drejtës Penale dhe Ndërkombëtare, Kolë Berisha ka thënë se shteti i Kosovës është i pafuqishëm juridikisht për të ndikuar në vendimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Më 16 shtator Gjykata Speciale i shpalli fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe i dënoi me 81 vjet burgim.
Për këtë, Berisha ka deklaruar se çfarëdo ligji që mund të nxirret a të votohet në Kuvendin e Kosovës, mund të kontestohet nga Gjykata Kushtetuese për shkak se atyre i janë dhënë të gjitha instancat e vendimeve qysh nga themelimi i saj.
“Ne mund të nxjerrim një ligj por implementimi i atij ligji do të mund të kishte me qenë shumë problematik nga aspekti i qëllimit të dëshiruar. E kuptoj plotësisht shqetësimin e PDK-së dhe ai shqetësim është i të gjithë opinionit kosovar. E lexova edhe qëllimin dhe përmbajtjen e atij propozimi, kërkohet kufizimi i mandatit të Dhomave të Specializuara. Përderisa ka rënë raporti i Dick Martyt atëherë edhe PDK-ja dhe të gjithë kërkojnë të shfuqizohet por edhe nëse nxirret një ligj për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, ai ligj mund të kontestohet nga Gjykata Kushtetuese dhe të mos prodhojë efektin juridik të dëshiruar”, ka deklaruar Berisha.
Berisha ka thënë tutje se cfarë ligji në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës vetëm sa do prodhonte konflikt juiridk dhe do të mund të kishte implikime ndërkombëtare të cilët siç tha Berisha – janë pak të shqetësuar me përmasat e lëvizjeve në Kosovë.
“Me Kushtetutë është legjitimuar veprimtaria dhe juridiksioni i kësaj Gjykate prandaj nuk mund të ndryshohet përmes një ligji që nxirret nga Kuvendi. Nxjerrja e çfarëdo ligji në kundërshtim me Kushtetutën do të prodhonte konflikt juridik i cili do të ketë edhe implikime të caktuara ndërkombëtare. Ata janë të shqetësuar pak nga këto përmasat e lëvizjeve në Kosovë. Duhet pasur parasysh që shtetet e Bashkimit Evropian e kanë mbështetur Kosovën në çdo hap dhe kërkojnë respektimin e ligjit”, ka thënë Berisha.
Profesori Berisha ka shpjeguar edhe hapat tutje që do të mund të ndërmerrte shteti i Kosovës për të mbrojtur krerët e UÇK-së në Hagë.
Ai ka potencuar se për këtë rast do të mund të merrej shembull Kroacia.
“Të bashkërendohen të gjitha veprimet me aleatët tanë historik siç është SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania. Të merret shembull Kroacia që kanë krijuar edhe mekanizma mbështetëse. Shteti të krijojë ekipe mbështetëse, të ofroj mbështetje e pakufizuar financiare aq sa është e nevojshme duke marrë për bazë praktikat e vendeve të tjera dhe të vërtetohet pafajësia e tyre”, ka potencuar Berisha.
Gjykata Speciale me seli në Hagë më 16 shtator ka dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Të gjithë janë dënuar për krime lufte, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.