Kuvendi i Kosovës me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, e ka miratuar Deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në pikën e parë të kësaj Deklarate Kuvendi ka shprehur shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Në pikën e dytë Kuvendi e ka konsideruar si të të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
Në pikën e tretë Kuvendi ka kërkuar nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. “Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”, thuhet në këtë pikë.
Në pikën e katërt të Deklaratës thuhet se në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. “Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë”, thuhet në këtë pikë.
Në pikën e pestë Kuvendi ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në pikën e gjashtë Kuvendi ka kundërshtuar siç thuhet “çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”.
Edhe
Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin e Speciales
Ndërsa në pikën e shtatë të Deklaratës thuhet se “E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis”.
Më 16 shtator Specialja me seli në Hagë, në shkallë të parë, i shqiptoi dënim prej 81 vjet burgim Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Pas vendimit spektri politik përfshirë partinë në pushtet por edhe ato opozitare e cilësuan aktgjykimin e padrejtë dhe bënë thirrje për veprime institucionale në drejtim të vendosjes së drejtësisë.
Kuvendi miraton Deklaratën për aktgjykimin e Speciales
-
Kuvendi miraton Deklaratën për aktgjykimin e Speciales
-
Krasniqi: Asnjë ndryshim i ligjit në Kosovë nuk ndikon në vendimet e Speciales
-
Djali i Jakup Krasniqit: Pa u votuar ligji për Gjykatën Speciale s’është bërë asgjë konkrete
-
PDK-ja përshëndet miratimin e Deklaratës: Të votohen edhe plotësim-ndryshimet e Ligjit për Specialen