Kuvendi i Kosovës me shumicë votash e ka miratuar Deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Të gjitha zhvillimet rreth seancës mund t’i lexoni në këtë tekst
Tahiri për çështjen e presidentit: S’shoh proces serioz, pas 16 shtatorit Kosovës i duhet serioziteti
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se ka një injorim të situatës reale sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit.
Në një deklarim për media pas seancës plenare Tahiri ka thënë se më 6 tetor vendi ose shkon në zgjedhje ose e vazhdon rrugëtimin shtetëror.
“Është e pakuptueshme dhe e paakceptueshme që ne të mos flasim për problemet reale ... Sot Kosova ka nevojë për seriozitet, ka nevojë për reflektim, për shkak se kanë mbetur edhe 8 ditë deri te një vendim, nuk shoh proces serioz, nuk shoh reflektim të situatës çka ka ndodhur më 16 shtator, shoh vazhdimësi të një situate e cila po na përsëritet”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka folur edhe për Deklaratën e Kuvendit për aktvendimin e Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Është zotim shtetëror i përfaqësuesve të popullit që padrejtësia, angazhimi i shtetit dhe nevoja e unifikimit në këtë temë të rëndësishme për lirinë dhe ata katër burra atje që janë është jetike”, është shprehur Tahiri.
Tahiri i kërkon Qeverisë ta procedojë urgjentisht ligjin për Dhomat e Specializuara
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i ka kërkuar Qeverisë që me urgjencë ta trajtojë dhe ta procedojë në Kuvend amendamentimin e ligjeve për Dhomat e Specializuara, pasi Kuvendi miratoi unanimisht një deklaratë përmes së cilës shprehu qëndrimin kundër vendimit të Speciales.
Pas seancës të së hënës, Tahiri tha se projektligji për amendamentimin e ligjeve për Dhomat e Specializuara tashmë ndodhet në Qeveri dhe duhet të kthehet sa më shpejt në Kuvend për votim.
“Në emër të PDK-së si iniciatorë të deklaratës, falënderoj të gjitha grupet parlamentare që me votën e tyre, unanimisht, mbështetën deklaratën dhe shprehëm revoltën ndaj kësaj padrejtësie që ka ndodhur për shtetin e Kosovës dhe për popullin shqiptar”, tha Tahiri.
Ai theksoi se Kuvendi, sipas tij, e ka përmbushur pjesën e vet të përgjegjësisë duke dëshmuar vullnetin politik përmes votimit unanim, ndërsa tani pret veprim nga Qeveria.
“Kuvendi e kreu punën e vet, u pa vullneti politik, tani përgjegjësia është te Qeveria. Ligji është në Qeveri, andaj e shfrytëzoj rastin që të trajtohet ligji me përgjegjshmëri dhe me urgjencë, të kthehet në Kuvend dhe ky vullnet që u dëshmua sot me votë të argumentohet me votë për ligjin”, ka thënë ai në adresimin për media.
Tahiri tha se nuk sheh arsye që procesi të vonohet dhe kërkoi që projektligji të rikthehet në Kuvend brenda ditëve në vijim.
“Nuk ka asnjë arsye që të vonohet dhe ligji të mbetet në Qeveri. Presim që Qeveria ta bëjë punën e vet sot dhe nesër apo këto ditë ta sjellë ligjin në Kuvend dhe ta gjejë mbështetjen që e pati edhe deklarata”, u shpreh Tahiri.
Ai e ndau këtë çështje nga ajo e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar amendamentimin e ligjit për Dhomat e Specializuara si përgjegjësi institucionale dhe kombëtare.
“Ligji është temë e veçantë, është përgjegjësi kombëtare, institucionale, morale, individuale e secilit deputet shqiptar. Çështja e presidentit është çështje e vullnetit të partive politike që patjetër duhet të ketë qasje proaktive, konsensus, mos të jetë shkaktar i zgjedhjeve të njëpasnjëshme”, ka deklaruar Tahiri.
Lushaku-Sadriu: LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në çështjen e presidentit
Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në çështjen e presidentit.
Në një prononcim për media pas seancës, ajo ka thënë se për LDK-në është e rëndësishme që të shmangen zgjedhjet, duke shtuar se po ashtu kjo varet nga vullneti i të gjitha partive politike.
“Do të jemi me vullnetin maksimal që t’i konkretizojmë hapat që të kemi zgjidhje për secilin problem, që institucionet të funksionojnë. Si parti kemi thënë që është e rëndësishme t’i shmangim zgjedhjet, por kjo kërkon vullnetin e të gjitha partive. Ne jemi të gatshëm që të japim kontribut për themelimin e këtyre institucioneve. Ne nuk jemi në situatë që mund të themi që jemi pro ose kundër një kandidati. Por jemi të gatshëm që të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit. Ne kemi shkuar edhe në bisedime, kemi dhënë kontribut në proces, sepse jemi të interesuar që Kosova të ketë institucione”, ka deklaruar ajo.
Tutje, për Deklaratën për vendimin e Speciales, ajo ka thënë se e vlerëson që janë përfshirë të gjitha komentet e partive politike.
“Dëshirojmë të kontribuojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe me liri. Të funksionojë në institucionet e saj të pavarura. Është e rëndësishme që të jemi në ballë të detyrës”, ka thënë ajo.
Për ndryshim-plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga PDK-ja, ka thënë se duhen shikuar të gjitha procedurat ligjore.
PDK-ja përshëndet miratimin e Deklaratës: Të votohen edhe plotësim-ndryshimet e Ligjit për Specialen
Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi të deklaratës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Përmes një deklarate për media ka falënderuar grupet parlamentare, derisa ka deklaruar se radha është e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të cilën e kanë propozuar javën e kaluar.
“Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë. Deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit. Votimi i ligjit është hapi i radhës për t’i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur. PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj”, thuhet në njoftim.
Betohen deputetët e rinj
Në seancën e cila ka nisur me një orë e gjysmë vonesë janë betuar deputetët e rinj të legjislaturës së XI-të, të cilët janë zëvendësuar me anëtarët e kabinetit qeverisës.
Deputetët e betuar janë:
Naim Bardiqi zëvendëson Albin Kurtin
Fitim Haziri zëvendëson Glauk Konjufcën
Ilir Qeriqi zëvendëson Hekuran Muratin
Egzon Azemi zëvendëson Donika Gërvallën
Mimoza Shala zëvendëson Xhelal Sveçlën
Arsim Ademi zëvendëson Ejup Maqedoncin
Luan Aliu zëvendëson Hajrullah Çekun
Fatos Geci zëvendëson Mimoza Kusari-Lila
Adelina Tërshana zëvendëson Andin Hotin
Ejup Ahmeti zëvendëson Arben Vitinë
Filiz Mustafa zëvendëson Saranda Bogujevcin
Arjeta Rexhepi zëvendëson Armend Mujën
Fahrush Rexhepi zëvendëson Artane Rizvanollin
Elvira Ibrahimi -Hoti zëvendëson Dimal Bashën
Bylbyl Sokoli zëvendëson Agon Batushën
Ergyl Mazrek zëvendëson Fikrim Damkën
Fridon Lala zëvendëson Elbert Krasniqin
Lazar Raduloviq zëvendëson Nenad Rashiqin
Bahrim Shabani zëvendëson Rasim Demirin
Në seancën e mbajtur të hënën Kuvendi gjithashtu ka formuar 16 komisione parlamentare.
Vlora Çitaku votohet për nënkryetare të Kuvendit
Deputetët kanë votuar Vlora Çitakun e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit.
Ajo është zgjedhur me 95 vota për.
Nënkryetari i propozuar nga PDK-ja ishte i vetmi që nuk ishte zgjedhur në seancën e kaluar kur u zgjodhën të tjerët. Kjo pasi PDK-ja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësim nëse konstituimi i Kuvendit pas afateve ishte i ligjshëm.
Javën e kaluar Kushtetuesja vlerësoi se Kuvendi është i konstituuar ndërkaq Qeveria nuk është antikushtetuese.
Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin e Speciales
Kuvendi i Kosovës me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, e ka miratuar Deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në pikën e parë të kësaj Deklarate Kuvendi ka shprehur shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Në pikën e dytë Kuvendi e ka konsideruar si të të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
Në pikën e tretë Kuvendi ka kërkuar nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. “Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”, thuhet në këtë pikë.
Në pikën e katërt të Deklaratës thuhet se në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. “Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë”, thuhet në këtë pikë.
Në pikën e pestë Kuvendi ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në pikën e gjashtë Kuvendi ka kundërshtuar siç thuhet “çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”.
Ndërsa në pikën e shtatë të Deklaratës thuhet se “E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis”.
Më 16 shtator Specialja me seli në Hagë, në shkallë të parë, i shqiptoi dënim prej 81 vjet burgim Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Pas vendimit spektri politik përfshirë partinë në pushtet por edhe ato opozitare e cilësuan aktgjykimin e padrejtë dhe bënë thirrje për veprime institucionale në drejtim të vendosjes së drejtësisë.
Teksti i plotë i Deklaratës së Kuvendit të Kosovës për vendimin e Speciales
DEKLARATË PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT
Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026;
Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;
Duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij;
Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit.
Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, dhunë seksuale si armë lufte, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje.
I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;
Liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n.
Miraton këtë deklaratë:
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
2. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
3. KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
4. Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.
5. Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
6. KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
7. E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.
Nis seanca
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka filluar me gati dy orë vonesë.
Gjatë kësaj kohë partitë politike kanë diskutuar dhe janë dakorduar për tekstin e Deklaratës për vendimin e Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Abdixhiku: Partitë pajtohen për tekstin e Deklaratës për vendimin e Speciales
Kryetari i Lidhjes Demkratike të Kosovës, Lumir Abdxhiku ka thënë se është arritur dakordim mes subjekteve politike lidhur me Deklaratën për vendimin e Gjykatës Speciale.
Diskutimet janë zhvilluar gjatë kësaj një ore e gjysmë sa është vonuar fillimi i seancës e cila ishte thirrur nga ora 11.
“Vonesa ka ndodhur për shkak të një takimi të përfaqësuesve të Grupeve Parlamentare për të harmonizuar tekstin”, ka thënë ai.
Seanca vonohet për më shumë se një orë, partitë diskutojnë për Deklaratën për vendimin e Speciales
(Tekst i përditësuar) - Ende nuk ka nisur seanca e parë plenare e legjislaturës XI, ndonëse kanë kaluar më shumë se një orë nga koha për kur është thirrur.
Deri tash, një numër i vogël i deputetëve kanë vënë nënshkrimet si pjesëmarrës por menjëherë kanë dalë nga salla.
Sipas burimeve të KOHËS në këtë kohë partitë politike kanë diskutuar lidhur me tekstin e Deklaratës për vendimin e Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
KOHA i ka dërguar pyetje administratës së Kuvendit lidhur me arsyet e vonesës dhe nëse ka pasur takime mes zyrtarëve të partive në ambientet e Kuvendit dhe porsa të përgjigjen teksti do të përditësohet.
Hamza: Nëse kalon projektligji për Specialen, jemi të hapur të diskutojmë për presidentin
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur shkurt para seancës plenare të Kuvendit, me ç’rast ka thënë se projektligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës është domosdoshmëri për historinë dhe të ardhmen e vendit.
Ai ka konfirmuar se të dielën është takuar me kryeministrin Albin Kurti, derisa ka bërë të ditur se kanë biseduar për Projektligjin për Dhomat e Specializuara gjithashtu edhe për çështjen e presidentit. Për këtë të fundit, ka thënë se nuk kanë folur për emra konkret.
Megjithatë, ai ka shprehur gatishmëri që, nëse kalon projektligji, PDK-ja të diskutojë rreth çështjes së presidentit.
“Jemi duke punuar, është domosdoshmëri për PDK-në, por edhe për Kosovën. Për historinë dhe të ardhmen e Kosovës, është top prioritet kalimi i këtij projektligji. Ne nuk po kërkojmë që të ndalet drejtësia, ne jemi kundër padrejtësisë. Nuk besoj që ka asnjë arsye që partitë e tjera të mos e mbështesin. Situata politike dhe kalimi i këtij projektligji, por edhe tema të tjera, përfshirë temën e presidentit. Nuk kemi fol për emrat por nëse kalohet ligji, jemi të hapur për te diskutuar për tema tjera”, ka thënë ai.
Haradinaj: Qëllimi ka qenë shkuarja në zgjedhje dhe jemi në zgjedhje
Deputeti i Aleancës Ramush Haradinaj, ka thënë se qëllimi i kryeministri Albin Kurti ka qenë shkuarja në zgjedhje dhe se sipas tij vendi po shkon drejt zgjedhjeve.
Por ai ka thënë se do të ishte mirë që deputetët të miratonin deklaratën kundër vendimin të Speciales gjatë kësaj kohe, siç ka thënë, të bëhen bashkë me popullin.
“Dihet se qëllimi ka qenë shkuarja në zgjedhje dhe jemi në zgjedhje realisht pasi çdo gje po shkon drejt zgjedhjeve. Por do të ishte e turpshme që t’i lëmë këto ditë pa i shfrytëzuar për t’u bërë bashkë me popullin, bashkë me zërin e qytetarëve ‘jo në emrin tonë’ ky verdikt”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se kanë refuzuar të takohen me Kurtin pasi sipas tij ai është tallur me liderët e tjerë të opozitës që janë takuar me të.
“I ka ftuar në takime i ka tallur dhe në fund i ka lënë pa marrëveshje”, është shprehur Haradinaj në një deklarim para fillimit të seancës plenare.