Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Liderë shtetërorë e politikë thonë se e vërteta e luftës në Kosovë është ndryshe nga vendimi

Hashim Thaçi

Të padrejtë e në shpërputhje me të vërtetën e luftës e kanë cilësuar liderët shtetërorë e partiakë në Kosovë e Shqipëri, vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ata kanë shprehur shpresën se verdikti do të rrëzohet në shkallën e dytë

Përfaqësues shtetërorë e partiakë në Kosovë e kanë vlerësuar si të padrejtë aktgjykimin dënues të shpallur në Hagë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dënimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare nuk është dënim me vullnet të popullit.

“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka theksuar Kurti.

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, përcolli në sallën e Speciales seancën në të cilën u shqiptua dënimi me 25 vjet burgim ndaj Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit, me 18 vjet burgim ndaj Kadri Veselit, e me 13 vjet burgim ndaj Rexhep Selimit.

Konjufca tha se verdikti është i tmerrshëm për Kosovën e për luftën çlirimtare.

“Është vendim i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar. Vërtet është diçka për të cilën do të jetë dëm shumë i madh, edhe për narracionin tonë, edhe për shtetin e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

E ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se e vërteta e luftës në Kosovë nuk përkon me atë që konstatoi gjykata.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet”, ka shkruar Haxhiu.

Kanë reaguar edhe përfaqësues të partive politike.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ndoqi verdiktin në Hagë, tha se vendimi duhet të ndryshojë në shkallën e dytë të gjykatës.

“Kanë qenë të pafajshëm para 30 vjetëve, edhe dje, janë të pafajshëm edhe sot. Do të mbesin të pafajshëm përgjithmonë në histori të popullit shqiptar, në zemrat e qytetarëve të Kosovës dhe kjo çfarë ndodhi sot është një ditë më e zezë që e ka pasur populli shqiptar prej çlirimit, prej pavarësisë deri më sot”, ka theksuar Hoxhaj.

E ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, i cili vetë është përballur me akuza për krime lufte por është liruar, i ftoi qytetarët për qetësi tek tha se beteja ligjore duhet të fitohet.

“Vendimi i sotëm me dënim për udhëheqësit e UÇK-së në emër të popullit të Kosovës është i papranueshëm, është i padrejtë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë të drejtë çlirimtare, beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, kjo betejë duhet të fitohet në shkallën e dytë”, ka deklaruar Haradinaj.

E në një komunikatë për media të lëshuar nga LDK-ja thuhet se UÇK-ja mbrojti pragun e shtëpisë, e agresion kreu Serbia.

“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Regjimi i Serbisë ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, ushtroi dhunë, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Kanë reaguar edhe përfaqësues shtetërorë të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama shpërndau në Facebook një foto me mbishkrimin “marre”. E presidenti Bajram Begaj shkroi se “për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në”.

Lexo përditësimet tjera
Thaci dhe të tjeret

Thaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18...