Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.

Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.

“Gjykatësit konstatuan se gjatë konfliktit në Kosovë, z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh”, thuhet në vendimin e Speciales.

Gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues ka thënë se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur, “por me përdorimin e mjeteve të caktuara kriminale nga disa anëtarë të saj për realizimin e këtyre qëllimeve”. 

Sa i përket rolit të secilit prej të akuzuarve, Gjykata ka konstatuar se ata ishin “anëtarë kyçë në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal”.

Qytetarët sërish mblidhen para EULEX-it, e gjuajnë me gurë e mjete piroteknike

1 muaj më parë / 16 sht 2026 23:20
c

Qytetarët që nga sheshi “Skënderbeu” u shpërndanë, kanë shkuar përpara objektit të EULEX-it. 

Ata kanë gjuajtur me gurë e gjësende objektin e EULEX-it, ndërsa forca policore janë prezentë aty. Tek objekti kanë hedhur edhe mjete piroteknike, nga çka çatia e objektit në një pjesë shumë të vogël ka marrë flakë. 

Një prej policëve të pranishëm ka lutur qytetarët që ta përfundojnë protestën për sonte, duke u thënë se "keni bër maksimumin për sot". 

Protestuesit gjatë ditës nga sheshi në këmbë kishin shkuar tek objekti i EULEX-it, të cilin e kishin gjuajtur me gurë, e më pas ishin kthyer sërish në shesh.

Dy protestues u shoqëruan në polici, njëri u ndalua për 48 orë

1 muaj më parë / 16 sht 2026 23:06
protesta

Photo: Driton Paçarada

Dy protestues janë shoqëruar në polici të mërkurën dhe pas intervenimit njëri është ndaluar për 48 orë ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

Në një njoftim të Policisë për angazhimet e saj në mbarëvajtjen e sigurisë, ku është përshkruar protesta që është zhvilluar nga qytetarët në shenjë revolte ndaj dënimit më burgim të ish krerëve të UÇK-së, thuhet se zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të domosdoshme me prezencë të shtuar policore, “për parandalimin e incidenteve të mundshme, moslejimin e hyrjes së protestuesve në objekte dhe vënies në kontroll të situatës”.

“Si rezultat i veprimeve policore dy persona janë shoqëruar në polici, ndaj të cilëve me vendim të prokurorit njërit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, përderisa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se Policia është detyruar që ta ndërpresë përkohësisht qarkullimin në rrugën Prishtinë - Fushë Kosovë dhe rrugën Bill Klinton, dhe ta riorientoj qarkullimin e trafikut në rrugë alternative.

“Policia e Kosovës vazhdon të iu bëjë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve të cilët ende po vazhdojnë të jenë në tubim, që të shprehin pakënaqësitë e tyre në mënyrë të qetë, të  respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.

Zyrtarët policorë thuhet se kanë qenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend, dhe se siguria e qytetarëve, ruajtja  e rendit kushtetues dhe sigurisë publike në vend mbesin prioritet i Policisë së Kosovës.

Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Fetoshi për verdiktin e Speciales: Vendim skandaloz me implikime potenciale gjeopolitike në rajonin tonë

1 muaj më parë / 16 sht 2026 22:47
Arben Fetoshi

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Kadri Veseli me 18 vjet e Rexhep Selimi me 13 vjet. 

“Një vendim absolutisht skandaloz, i padrejtë dhe që shpreh dështimin e drejtësisë me implikime potenciale gjeopolitike në rajonin tonë edhe ashtu të brishtë”, ka thënë Fetoshi në KTV. “Përtej fatit individual të katër udhëheqësve të UÇK-së, sot realisht ka marrë një goditje të rëndë Kosova”. 

Fetoshi ka thënë se trupi gjykues i Speciales ka qenë i njëanshëm dhe e dëshmoi këtë sot. 

Ai ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës dhe gjitha forcat politike të përqendrohen për një betejë më të fortë dhe argumentuese me qëllim që të rrëzohet vendimi i shkallës së parë të Speciales. 

“Sepse ndërmarrja e përbashkët kriminale është vendim denigrues për UÇK-në dhe që vë në pikëpyetje të vërtetën e luftës sonë çlirimtare të mbështetur edhe prej aleatëve perëndimorë e NATO-s”, tha Fetoshi. 

Ai ka thënë se nuk është befasuese që nuk ka pasur deri tash reagim të Rusisë. 

“Në kontekstin aktual gjeopolitik e dini se kjo mund të ketë dy dimensione. E para manifeston komoditetin e një triumfi në Hagë dhe që nuk nxitohet të shprehet publikisht. E dyta potencialisht reflekton marrëdhënien aktuale që mund të ketë relacion ndërmjet Beogradit dhe Moskës, duke iu referuar vizitës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, javë më parë në Beograd”, tha Fetoshi. 

Shpërndahen protestuesit nga sheshi “Skënderbeu”

1 muaj më parë / 16 sht 2026 22:46
tt

Photo: Driton Paçarada

Qytetarët që po protestonin në sheshin “Skënderbeu” janë shpërndarë pak para orës 23:00. 

Ata kanë thënë se do të mblidhen edhe nesër po në këtë shesh dhe se do të protestojnë kundër vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Qytetarë të shumtë ishin mbledhur në shesh qysh një natë më parë kur pritej aktgjykimi i Speciales, e në mëngjes po ashtu u mblodhën qindra të tjerë që bashkë dëgjuan verdiktin dënues të gjykatës. 

Protestuesit më pas gjatë ditës nga sheshi në këmbë kanë shkuar tek objekti i EULEX-it, të cilin e kanë gjuajtur me gurë, e janë kthyer sërish në shesh. 

Haziri fton protesta paqësore: Institucionet e Kosovës u krijuan me gjakun e dëshmorëve

1 muaj më parë / 16 sht 2026 22:08
Çlirim Haziri

Çlirim Haziri, djali i dëshmorit Xhavit Haziri e njëherit iniciuesi i mbledhjes së qytetarëve për ta pritur vendimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shesh mbrëmjen e kaluar, ka ftuar qytetarët që të protestojnë pas dënimit të katërshes së UÇK-së por pa sulmuar Policinë e institucionet e Kosovës.

Haziri gjithashtu iu ka bërë thirrje protestuesve që të mos mbajnë maska dhe të mos e fshehin identitetin gjatë protestës.

“Do të qëndrojmë këtu, do të protestojmë dhe nuk do të heshtim. Por nuk do ta sulmojmë Policinë e Kosovës dhe nuk do t’i sulmojmë institucionet tona. Hiqini maskat. UÇK-ja ka qenë pa maska. Edhe ne jemi pa maska. Ne nuk fshihemi. Ne protestojmë hapur dhe me dinjitet. Këto janë institucionet tona. Janë institucionet e Kosovës, të krijuara me shumë sakrificë dhe me gjakun e dëshmorëve. Ne jemi këtu për ta mbrojtur UÇK-në, jo për ta dëmtuar Kosovën”, është mesazhi që Haziri u ka përcjellë qytetarëve”, ka deklaruar Haziri.

Sipas tij, qytetarët mund ta mbrojnë publikisht atë që e konsiderojnë të vërtetën e luftës së UÇK-së pa cenuar rendin dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Ai ka paralajmëruar se protestat dhe aktivitetet qytetare do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar sërish që ato të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.

Ditari i Qosjes: Çka shkruante akademiku pas arrestimit të Thaçit dhe të tjerëve

1 muaj më parë / 16 sht 2026 22:08
Rexhep Qosja

Foto: Maximilian Gödecke

Ditari i Rexhep Qosjes, 4–5 nëntor 2020

Përshkrim:

Këto faqe nga ditari i Rexhep Qosjes (ende i pabotuar), të shkruara më 4 dhe 5 nëntor 2020, regjistrojnë reagimin e tij ndaj arrestimit dhe dërgimit në Hagë të drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurave politike të Kosovës. Në shënimet e tij Qosja përshkruan bastisjen e shtëpisë së Jakup Krasniqit, arrestimet e Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, si dhe shqetësimin e tij për krijimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Më poshtë publikohet transkriptimi i faqeve, i shoqëruar me riprodhimet e skanimeve origjinale.

Faqja 66 — 4.11.2020

Uniforma të EULEX-it iu kanë turrur sot shtëpisë së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe historianit, Jakup Krasniqi, në Prishtinë dhe shtëpisë në fshatin e lindjes.
Bastisja e tyre në shtëpinë e Jakupit ka zgjatur prej mëngjesit, herët, e deri pasdite, mediet thonë afër nëntë orë. Au! Au!
Çfarë vrazhdësie! Çfarë egërsie! Më vonë merret vesh se janë marrë edhe librat e tij që ka shkruar – për të parë çka kishte shkruar e çka kishte menduar! Stalinizëm “demokratik” europian!
Kjo sjellje ndaj zëdhënësit të UÇK-së, sipas të gjitha gjasave, është parathënie e sjelljes që do të pasojë ndaj kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçit, i akuzuar prej “Dhomave të Posaçme të Kosovës” në Hagë.
Në mbrëmjë merret vesh se Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, shefi i Grupit të deputetëve të (Lëvizjes Vetëvendosje) Kuvendit të Kosovës janë çuar në Hagë! Mediet tona thonë çfigurshëm : udhëtuan për në Hagë!
Jam shumë i brengosur. Keqardhje e madhe më ka pushtuar. Po përjetojmë ditë të vështira!
Kosova institucionalisht nuk është e aftë, nuk është e përgatitur për të mbrojtuar askë e asgjë.

Faqja 67 — 5.11.2020

Forcat në uniforma të EULEX-it sot kanë marrë Kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselin.Shihen xhipat e Euleksit të përcjellë prej xhipave të policisë së Kosovës duke i çuar në aeroport!
Para se të merrej prej Euleksit Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kosovës — mbasi është bërë publik vendimi i Dhomave të Posaçme të Kosovës në Hagë se aktakuza ndaj tij është konfirmuar!
Dorëheqje prej detyrës së kryetarit të PDK-së ka dhënë, Kadri Veseli. Ai thekson se ka dhënë dorëheqje edhe prej të gjitha detyrave të tjera zyrtare që kishte.
Këto janë aktakuzat e konfirmuara më tronditëse, që e rëndojnë shumë UÇK-në, që e rëndojnë edhe Kosovën shtet, që na rëndojnë shumë të gjithëve.
Njëzet vjet pas luftës ne përndiqemi penalisht e “juridikisht” prej Gjykatës së Posaçme që krijuam vetë.
E krijuan atë Gjykatë ata që tani do të gjykohen prej saj!
Isha kundër krijimit të asaj Gjykate me shkrime e me intervista. E theksoja: ne nuk mund të pengojmë OKB-në, SHBA-në dhe BE-në të krijojnë atë Gjykatë, por ne vetë, kurrsesi nuk duhet ta krijojmë. Nuk duhet të pranojmë që të dënojmë vetëveten. Lufta jonë ishte luftë mbrojtëse, luftë çlirimtare, luftë për të mbrojtur jetën tonë, shtëpitë tona, tokën tonë, ekzistencën tonë nga pushtimi, eksploatimi, shtypja e Serbisë. Luftërat mbrojtëse, çlirimtare kurrë, gjatë historisë nuk janë nxjerrë para gjykatësve, nuk janë dënuar në Evropë. Qe, po duan të na dënojnë tani ne! Çudi e madhe është kjo. E kjo çudi do të jetë e tmerrshme po të marrim pjesë edhe në, vetë, në krijimin e saj – për të dënuar vetëvetën! Jo! Jo! Jo!
Por Hashim Thaçi ishte këmbëngulës për ta krijuar ne, vetë, këtë Gjykatë të posaçme!
Më vonë u muar vesh se Hashim Thaçi, Kadri Vesli e Rexhep Selimi janë çuar me aeroplan ushtarak në Hagë!
O, o, o sa jam i tronditur! Dje Jakupi, Jakup Krasniqi, e sot këta te tre! Hashimi, Kadriu, Rexhepi!
Çka do Evropa? Çka do të arrijë me këto Gjykime të Gjykatës së Posaçme? Ta barazojë luftën tonë mbrojtëse me luftën pushtuese të Serbisë?!
KOSOVË! KOSOVË! ÇKA PRITE!

Hoxhaj: E tërë klasa udhëheqëse të bëhet bashkë, Serbia do ta përdorë vendimin e Speciales

1 muaj më parë / 16 sht 2026 21:22
Enver Hoxhaj

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se është i gatshëm të nënshkruaj për zhbërjen e Gjykatës Speciale porse një gjë e tillë i takon të gjitha subjekteve politike.

Hoxhaj në KTV ka thënë gjithashtu se do të duhej të bëhej bashkë e gjithë klasa udhëheqëse dhe të mendohej se si të ripozicionohet Kosova pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nëse vendimi PDK-së dhe subjekteve të tjera politike do të jetë që të ndërmarrim veprime të tilla, nënshkrimi im do të jetë i pari që të zhbëhet kjo Gjykatë. Përtej kësaj iniciative ne do të duhej ta mendojmë në tërësi se si do të duhet të qasemi në raport me realitetin e ri që ka krijuar Gjykata. Çështja është se si do të përdoret kjo Gjykatë nga ana e Serbisë. Jam i sigurt që Serbia do të fillojë ndonjë politikë të ç’njohjes së Kosovës apo të bllokimit të saj në organizata ndërkombëtare, prandaj ne duhet të bisedojmë brenda për brenda si klasë udhëheqëse se si do të duhej të ripozicionojmë Kosovën në raport me vendimin e sotëm. Të përgatitemi që në Apel kjo temë të mbyllet në favor të Kosovës. Zhbërja e Gjykatës i takon të gjitha subjekteve politike”, ka thënë Hoxhaj.

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Zeqiri për aktgjykimin e Speciales: Vendim brutal, u dënua Pavarësia e Kosovës

1 muaj më parë / 16 sht 2026 21:17
Sadik Zeqiri

Ish i burgosuri politik Sadik Zeqiri ka thënë se  vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte brutal. 

Specialja shqiptoi aktgjykim dënues për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Thaçi e Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 vjet e Selimi 13. 

“Ishte vendim që nuk e pritëm. Vendim brutal ndaj Pavarësisë së Kosovës dhe ndaj luftës së UÇK-së. Kështu e vlerësoj. Nuk u dënuan katër qytetarë të Republikës së Kosovës, por u dënua Pavarësia e Kosovës, sakrifica e Kosovës dhe lufta e Kosovës deri në çlirim”, tha Zeqiri në KTV. 

Ai ka thënë se duke marrë shembuj rastet në Apel në Tribunalin e Hagës ndaj Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, dhe nëse nuk ka ndikim politik, atëherë do të fitohet beteja e radhës. 

“Ne e dimë se lufta e UÇK-së ishte luftë e pastër dhe vetëmbrojtëse. Lufta e UÇK-së u mbështet nga NATO, SHBA-ja dhe shtetet e Evropës. Si është e mundur që NATO të mbështet një ushtri që udhëhiqet nga kriminelët? Kjo duket se nuk është marrë për bazë nga gjyqtarët, e s’janë marrë për bazë as dëshmitë e z. Wesley Clark, z. James Rubin e z. Christopher Hill. Por, janë marrë për bazë dëshmi, fjalë të kafeve”, tha Zeqiri. 

Franca: Mbështetja për pavarësinë e Kosovës mbetet e palëkundur

1 muaj më parë / 16 sht 2026 20:31
Franca

Franca ka ritheksuar mbështetjen e saj për pavarësinë e Kosovës e po ashtu për institucionet e saja. 

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës thuhet se Franca rithekson mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara dhe ka rikujtuar angazhimin e saj në luftë kundër mosndëshkimit. 

“Franca rithekson mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe rikujton angazhimin e saj në luftën kundër mosndëshkimit. Ajo gjithashtu rikonfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”, thuhet nga Ministria franceze. 

Dhomat e Specialzuara në Hagë kanë shpallur aktgjykim dënues për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi. Thaçi e Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet e Selimi me 13.

Familjarët e viktimave të Reçakut të revoltuar me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së

1 muaj më parë / 16 sht 2026 20:31
recaku

Familjarët e 45 viktimave të masakrës së Reçakut kanë shprehur revoltën ndaj vendimit të Gjykatës Speciale që i dënoi me burgim ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet, Kadri Veselin me 28 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim 

Ata janë mbledhur në kompleksin memorial në Reçak, ku kanë kujtuar që për masakrën ku u vranë e u masakruan 45 civilë shqiptarë ende nuk kanë një përgjigje nga drejtësia për përgjegjësit.

“Nga Reçaku nuk mund të flasim për drejtësi pa folur edhe për martirët e Reçakut, më 15 janar 1999 këtu u vranë 45 civilë shqiptarë, ishin njerëz të zakonshme, baballarë, nëna, të moshuar dhe të rinj, njerëz që kishin jetën e tyre. Sot 27 vjet më vonë familjet e tyre ende e presin një përgjigje të plotë dhe përfundimtare të drejtësisë për përgjegjësit e kësaj masakre, sot e 27 vjet ende e kemi të zbrazët varrin e Sahide Metushit e zhdukur në këtë masakër”, ka thënë njëri prej familjarëve. 

Ata i kanë bërë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç kanë thënë, “të ndërmarrë hapat institucionalë dhe kushtetues që i konsideron të nevojshëm lidhur me të ardhmen e kësaj gjykate”.  

Sadiku propozon të mblidhen gjithë deputetët shqiptarë e ta zgjedhin Thaçin president

1 muaj më parë / 16 sht 2026 20:25
Ermal Sadiku

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka thënë se do të ishte i gatshëm të mblidhej sonte me gjithë deputetët shqiptarë dhe ta votonte Hashim Thaçin për president të Kosovës. 

Ai ka thënë se kjo do të ishte "për t’i treguar Speciales dhe Serbisë se në emër kujt po marrin vendime". 

“Sonte isha mbledhë me krejt deputetët shqiptarë dhe e kishim votu Hashim Thaçin për President të Republikës. 100 vota. Me ia tregu edhe Gjykatës Speciale, edhe Serbisë, në emër të kujt po marrin vendime”, ka shkruar Sadiku në Facebook. 

E propozimi i Sadikut ka marrë mbështetjen nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. 

“E përgëzoj deputetin e LDK-së, Ermal Sadiku, për qëndrimin e tij dhe për propozimin që Hashim Thaçi të votohet President i Republikës së Kosovës. E mbështes plotësisht këtë qëndrim. Deputeti Sadiku e ka nënshkrimin tim, si dhe nënshkrimet e të gjithë deputetëve të PDK-së. Respekt për qëndrimin dhe për dinjitetin e lartë kombëtar që përfaqëson deputeti Ermal Sadiku”, ka shkruar Lushtaku në Facebook. 

Dhomat e Specialzuara në Hagë kanë shpallur aktgjykim dënues për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi. Thaçi e Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet e Selimi me 13. 

Në shqiptimin e aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues tha se dënimi po shqiptohet në emër të popullit të Kosovës. 

Williamson për vendimin e Speciales: Moment i rëndësishëm për viktimat

1 muaj më parë / 16 sht 2026 20:07
Human Rights Watch

Drejtori për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch, Hugh Williamson, dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale e ka quajtur moment të rëndësishëm për viktimat. 

Sipas tij, dënimi i tyre tregon se posti nuk duhet ta mbrojë askënd nga përgjegjësia për krimet.

“Vendimi i sotëm është një moment i rëndësishëm për viktimat që kanë pritur për dekada për drejtësi. Dënimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të lartë të UÇK-së, për krime lufte, tregon se posti i lartë, pozita apo përkatësia gjatë kohës së luftës nuk duhet të mbrojë askënd nga përgjegjësia për krime të rënda”, ka shkruar Williamson në Instagram.

 

 

Gjermania bën thirrje të respektohet aktgjykimi i Speciales: UÇK-ja nuk ishte në gjyq

1 muaj më parë / 16 sht 2026 20:02
Flamujt e Gjermanisë dhe Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Reiner Rudolph, ka bërë thirrje të respektohet aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Specialja të mërkurën dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin për krime lufte, me 18 vjet burgim Kadri Veselin e 13 vjet Rexhep Selimin. 

Ambasadori gjerman ka thënë se kryetari i trupit gjykues e ka bërë të qartë gjatë shpalljes së aktgjykimit se UÇK-ja nuk ishte në gjyq dhe as qëllimi i saj për një Kosovë të pavarur. 

“Gjermania e ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara që nga fillimi, me bindjen se ato përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në përballjen me krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në përafrimin e mëtejshëm të Kosovës me Bashkimin Evropian. Me themelimin e Dhomave të Specializuara dhe bashkëpunimin me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), Kosova ka dëshmuar se po përmbush përgjegjësinë e saj, përfshirë përballjen me krimet e luftës, si një shtet i pavarur dhe sovran”, ka shkruar Rudolph. 

Ambasadori gjerman ka thënë se aktgjykimi nuk i shfajëson akerët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të shkaktuar ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve ’90. 

“Aktgjykimi në asnjë mënyrë nuk i shfajëson aktorët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të shkaktuara ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve 1990, të cilat tashmë janë hetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe që nxitën ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë aktgjykimin dhe dinjitetin e viktimave”, tha Rudolph. 

Liderë shtetërorë e politikë thonë se e vërteta e luftës në Kosovë është ndryshe nga vendimi

1 muaj më parë / 16 sht 2026 19:42 Nga: Rrezon Gashi
Hashim Thaçi

Përfaqësues shtetërorë e partiakë në Kosovë e kanë vlerësuar si të padrejtë aktgjykimin dënues të shpallur në Hagë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dënimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare nuk është dënim me vullnet të popullit.

“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka theksuar Kurti.

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, përcolli në sallën e Speciales seancën në të cilën u shqiptua dënimi me 25 vjet burgim ndaj Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit, me 18 vjet burgim ndaj Kadri Veselit, e me 13 vjet burgim ndaj Rexhep Selimit.

Konjufca tha se verdikti është i tmerrshëm për Kosovën e për luftën çlirimtare.

“Është vendim i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar. Vërtet është diçka për të cilën do të jetë dëm shumë i madh, edhe për narracionin tonë, edhe për shtetin e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

E ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se e vërteta e luftës në Kosovë nuk përkon me atë që konstatoi gjykata.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet”, ka shkruar Haxhiu.

Kanë reaguar edhe përfaqësues të partive politike.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ndoqi verdiktin në Hagë, tha se vendimi duhet të ndryshojë në shkallën e dytë të gjykatës.

“Kanë qenë të pafajshëm para 30 vjetëve, edhe dje, janë të pafajshëm edhe sot. Do të mbesin të pafajshëm përgjithmonë në histori të popullit shqiptar, në zemrat e qytetarëve të Kosovës dhe kjo çfarë ndodhi sot është një ditë më e zezë që e ka pasur populli shqiptar prej çlirimit, prej pavarësisë deri më sot”, ka theksuar Hoxhaj.

E ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, i cili vetë është përballur me akuza për krime lufte por është liruar, i ftoi qytetarët për qetësi tek tha se beteja ligjore duhet të fitohet.

“Vendimi i sotëm me dënim për udhëheqësit e UÇK-së në emër të popullit të Kosovës është i papranueshëm, është i padrejtë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë të drejtë çlirimtare, beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, kjo betejë duhet të fitohet në shkallën e dytë”, ka deklaruar Haradinaj.

E në një komunikatë për media të lëshuar nga LDK-ja thuhet se UÇK-ja mbrojti pragun e shtëpisë, e agresion kreu Serbia.

“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Regjimi i Serbisë ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, ushtroi dhunë, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Kanë reaguar edhe përfaqësues shtetërorë të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama shpërndau në Facebook një foto me mbishkrimin “marre”. E presidenti Bajram Begaj shkroi se “për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në”.

Familjarët e Thaçit, Krasniqit e Veselit besojnë në luftën e pastër të UÇK-së

1 muaj më parë / 16 sht 2026 19:27 Nga: Ardianë Dragusha dhe Ardona Popova
famijlet

Përplot me flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e me foto të ish-krerëve të luftës, ishte mbushur rruga që të çon te shtëpia e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Familjarë e bashkëvendës ishin mbledhur në Burojë të Skenderajt, të mërkurën në ditën e verdiktit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katërshes: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në shtëpinë e familjes Thaçi në Burojë, ishte njëri prej vëllezërve – Gani Thaçi. I pyetur për vendndodhjen e nënës, ai tha se gjendej në shtëpi, por jo në gjendje të mirë shëndetësore.

“Besimi në luftën e pastër të UÇK-së, besimi në Zot dhe besimi në drejtësi. Të gjithë familjarët i kemi në Hagë. Nëna është këtu diku, por është e lodhur. Të gjithë familjarët i kemi në Hagë. Nëna është këtu diku, por është e lodhur”, ka theksuar ai.

6 vjetët pa ish-presidentin Thaçi në Kosovë i përshkroi të zbehta bashkëvendësi i tij Faik Thaçi.

“Ish-presidenti ka qenë një djalë i mirë, i sjellshëm. Me fol për të duhet gjatë. Thaçi çdo herë na ka tregu se si duhet të jemi të bashkuar. Qe 6 vjet që s’ka qenë Thaçi, Kosova ka qenë e tmerrshme, as moti s’ka qenë i mirë”, tha ai.

Seanca që zgjati afër 2 orë u mbyll me aktgjykim dënues.

Me nga 25 vjet burgim u dënuan Hashim Thaçi e Jakup Kransiqi, me 18 vjet Kadri Veseli dhe me 13 vjet Rexhep Selimi.

Familja e vëllait të Jakup Krasniqit hapi dyert për mediat, e pas vendimit, Avdyl Krasniqi tha së katërshja e UÇK-së është dënuar vetëm për fjalë dhe se dikush tjetër po vendos në emër të popullit.

“Realisht një privilegj e ka në këtë askpekt për arsye se ajo kriminelin Ratko Mlladiq e ka varrosur në mënyrë cemoriale, por diçka mirë prej Serbisë nuk presim. Faktikisht këtu i është dhënë njëfarë përparësie, një notë pozitive në këtë rast, por mbase e kanë arritë qëllimin, sepse angazhimi i tyre ka qenë dënimi i krerëve të UÇK-së. Do telashe Kosova do ti ketë, por nuk besoj se Serebia do ti arrij qëllimet e veta”, tha ai.

E vëllai i Kadri Veselit, Ismeti, e përcolli nga afër vendimin.

Vendimi dënues i Gjykatës Speciale i shpallur nga gjyqtarët në emër të popullit, ka nxitur valë reagimesh në rrjete sociale, ku fraza “Jo në emrin tim”, është bërë virale.

Protestuesit ende para Qeverisë

1 muaj më parë / 16 sht 2026 19:25
p

Photo: Driton Paçarada

Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë para ndërtesës së Qeverisë edhe pas tri orësh prej që ishin pozicionuar aty. Ata qenë nisur në këmbë nga zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë ku protestuan fillimisht e u kthyen pas. 

Në mesin e protestuesve janë edhe deputetet Ganimete Musliu, Time Kadrijaj, Sala Jashari e Albana Bytyqi. 

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, u ka kërkuar protestuesve që të mblidhen e të dalin me një kërkesë kryesore për deputetët e Kosovës që të mblidhen në një seancë plenare. 

“Vdekje tradhtarëve, liri çlirimtarëve”, është dëgjuar të thuhet disa herë nga protestuesit. 

Ata kanë vendosur një flamur kombëtar para derës së Qeverisë. Disa protestues u lejuan nga policët që ta kalonin kordonin policor për ta vendosur flamurin.

Foto: Driton Paçarada

Kadrijaj: S’jemi kontaktuar por i japim nënshkrimet për zhbërjen e Gjykatës Speciale

1 muaj më parë / 16 sht 2026 19:21
Time Kadrijaj

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj ka thënë se ende nuk janë kontaktuar nga askush për të dhënë nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të zhbëhej Gjykata Speciale por ajo ka potencuar se janë të gatshëm ta bëjnë.

Kadrijaj ka thënë se të gatshëm kanë qenë edhe në të kaluarën kur zhbërjen e kësaj Gjykate.

“Ende nuk jemi kontaktuar për mbledhje të nënshkrimeve për zhbërjen e Gjykatës Speciale por në momentin që kontaktohemi, ju e dini që Aleanca veç ka votuar kundër, do të japim nënshkrimin. Kemi qenë të gatshëm edhe ajo nisma që ka qenë bërë në Kuvendin e Kosovës për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Ne do t’i përgjigjemi pozitiv”, ka thënë deputetja Kadrijaj nga protesta me qytetarët të cilët po qëndrojnë para Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani ka thënë se nënshkrimet i kanë të gatshme porse po analizohet situata në aspektin juridik për të parë se si t’i jepet drejtim kësaj çështjeje.

“Nënshkrimet janë të gatshme dhe është duke u analizuar situata juridike për të ndërmarrë veprimet e nevojshme nga nesër e tutje. Janë edhe një pjesë e deputetëve që janë në Hagë e nuk kanë arritur akoma të jenë këtu. Ekipe të caktuara po merren me këtë çështje për t’i dhënë drejtimin e duhur”, ka thënë Rrahmani po ashtu nga protesta e qytetarëve.

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Procedurat e Apelit që duhen ndjekur mbrojtjet e ish-krerët e UÇK-së

1 muaj më parë / 16 sht 2026 19:14 Nga: Blendina Veliqi
gjykata

Verdikti dënues i Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për krime lufte, u hap rrugë procedurave të shkallës së dytë.

Për të kundërshtuar aktgjykimin, ligji ua siguron të drejtën të akuzuarve që përmes mbrojtjeve të tyre të bëjnë apelimin e tij. Por edhe Prokurorisë nëse nuk është e kënaqur me dënimin.

Rregullorja e Procedurave dhe Provave të DHSK-së parasheh se palët e pakënaqura me aktgjykimin mund të dorëzojnë njoftimin me pikat që duan të apelojnë brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit.

Ndërsa brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel do të mbahet konferenca që palët të ngrenë çështjet që do t’i kundërshtojnë.

Sipas procedurave, apeluesi dorëzon dosjen ku parashtron të gjitha argumentet dhe burimet ligjore në të cilat mbështetet. Ky dorëzim i dokumentacionit duhet të bëhet brenda 60 ditësh nga njoftimi për apel. Ndërsa, në rastet kur apelimi lidhet vetëm me dënimin, dosja duhet të dorëzohet brenda 30 ditësh nga njoftimi për apel.

Nëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, procedurat e Apelit fillojnë nga mbrojtja, Rregullorja ia mundëson Prokurorisë që brenda 30 ditësh të dorëzojë përgjigje në dosjen e mbrojtjes. Por, kur apelimi është veç ndaj dënimit, atëherë Prokuroria ka kohë që ta dorëzojë përgjigjen e saj brenda 15 ditësh.

Meqë mbrojtja nuk e di se çfarë kundërshtimesh mund të ketë Prokuroria, procedurat ia mundësojnë edhe një kundërpërgjigje ndaj argumenteve të organit i cili e ka pasur barrën e provës në shkallë të parë. Kjo kundërpërgjigje parashihet që të dorëzohet brenda 15 ditësh, por nëse bëhet fjalë vetëm për apelimin e dënimit, atëherë duhet të dorëzohet brenda 10 ditësh.

E rëndësishmja e këtyre procedurave është që palët mund të bëjnë kërkesa që të parashtrojnë prova shtesë.

Në rastet kur Apeli pranon prova shtesë, pala kundërshtare mund të paraqesë kundërprova. Po ashtu edhe mbrojtësi i viktimave e ka mundësinë që të dorëzojë dosjen plotësuese në lidhje me ndikimin që kanë mundur ta kenë këto prova te viktimat.

“Në aktgjykimin e apelit, paneli i Gjykatës së Apelit shqyrton çdo provë shtesë të pranuar, së bashku me provat që tashmë janë pjesë e dokumentacionit. Nëse në apel janë palë disa persona të shpallur të pafajshëm ose fajtorë, provat e pranuara për secilin prej tyre shqyrtohen në lidhje me të gjithë, në qoftë se kanë lidhje me ta dhe në varësi të rregullës 182(4)”, thuhet në Rregulloren e Procedurave dhe Provave të DHSK-së.

Pas dorëzimit të parashtresës së fundit nga palët, Paneli i Apelit duhet ta shpallë aktgjykimin brenda 60 ditësh. Megjithatë, në rast se ka arsye bindëse mund të bëhet edhe një shtyrje e afatit prej 30 ditësh për marrjen e vendimit.

Vendimi i fajësisë ose dënimi i shqiptuar nga Apeli hyn në fuqi menjëherë. Rrjedhimisht, kur vendimi është lirues, i dënuari i shkallës së parë lirohet menjëherë.

Katër skenarët që mund të karakterizojnë përfundimin e procedurave të Apelit janë: të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, ta ndryshojë atë, të ndërhyjë në ndonjë pjesë apo konstatim ose edhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Gjykata Speciale ka trajtuar dy raste deri tash në Apel. Atë ndaj Salih Mustafës, të cilit ia uli dënimin nga 26 vjet në 22 vjet burgim dhe ndaj Pjetër Shalës, të cilit ia uli dënimin nga 18 vjet në 13 vjet burgim.

Të dyja proceset zgjatën nga 10 muaj e gjysmë.

Vërtopi: Avokati i Thaçit e kishte mbrojtur edhe Gotovinën në shkallën e Apelit

1 muaj më parë / 16 sht 2026 18:19
Vertopi

Florin Vërtopi, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale, ka kërkuar që shteti të angazhohet në mbështetje financiare për avokatët e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u dënuan sot në Hagë.

Vërtopi në KTV, ka thënë se ata kanë përvojë të mjaftueshmë për të proceduar me ankesë në shkallën e Apelit, ndërsa ka kujtuar se njëri nga avokatët e Thaçit, Luka Mishetiqi, e kishte mbrojtur Ante Gotovinën pikërisht në shkallë të Apelit në Hagë.

Ante Gotovina ishte një nga komandantët më të rëndësishëm ushtarakë të Kroacisë. Në vitin 2011 ai u dënua me 24 vjet burgim ndërsa një vit më vonë, në shkallën e Apelit u shpall i pafajshëm dhe u lirua.

“Duhet të kemi durim dhe unitet, të fokusohemi në ankesën që do të trajtohet tutje në shkallën tjetër, të rrumbullaksohen të gjitha shkeljet në detaje. Njëri nga avokatët, Luka Mishetiqi ka qenë hartues i ankesës të rastit të Ante Gotovinës që është liruar në shkallën e Apelit në Hagë. Prandaj e ka përgatitjen e nevojshme. Ekipet mbrojtëse kanë kapacitet dhe zotësi për arsye se deri diku e kanë brumin e përgatitur por megjithatë tash duhet të atakohen shkeljet që janë bërë në shkallën e parë një nga një.”, ka thënë Vërtopi.

Tutje avokati Vërtopi ka thënë se mbështetja financiare për mbrojtjen e katërshes së UÇK-së në Hagë, nuk duhet të kërkohet nga partitë politike por nga shteti.

“Procesit të Ante Gotovinës i ka kushtuar diku 33 milionë mbrojtja. Në këtë fazën e dytë, mbrojtja do të ketë nevojë për mbështetje financiare. Këtë nuk duhet ta paguajnë partitë politike por shteti. Avokatët mbrojtës e bëjnë punën por e kërkojnë shpërblimin. Nëse duhet t’i trajtosh një mori provash dhe të gjitha ato faqe, aty duhet përkushtim, punë dhe mbi të gjitha vullnet. Mbrojtja efektive gjithmonë mund të rezultojë kur ka mbështetje”, ka thënë Vërtopi.

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Kandiqi i reagon Daçiqit: Politika jote rezultoi me varrezat masive të shqiptarëve të vrarë

1 muaj më parë / 16 sht 2026 17:53
Natasha Kandiq

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, i ka reaguar ministrit të Brendshëm serb Ivica Daçiq, pasi ky i fundit tha se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale e bën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë kriminale”. 

Kandiq ka theksuar se ishte politika e partisë së Daçiqit që rezultoi në varreza masive të shqiptarëve të vrarë. 

“SPS= varreza masive në Serbi. Për t’ia kujtuar ministrit Daçiq se politika e Partisë së tij Socialiste të Serbisë ka rezultuar në varre masive me shqiptarë të vrarë në Batajnicë, Petrovo Sello, Rudnicë, Kizhevak dhe  Liqenin Peruçac, dhe ky është një fakt i vërtetuar”, i ka thënë ajo Daçiqit.

Gjykata Speciale të martën ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin.

Lidhur me dënimin është ankuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vu[iq. Ai tha se nuk pati dënime për krime kundër njerëzimit. 

“Nuk deshën, si gjykatë e të ashtuquajturës Kosovë, ta cenojnë kredibilitetin e UÇK-së apo të ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare të Kosovës, dhe nuk deshën të hynin në thelbin e çështjes lidhur me formimin e vetë forcave për shkëputjen e Kosovës nga Republika e Serbisë dhe RFJ-ja në atë kohë”, tha Vuçiq në konferencë për media. “Në të gjashtë pikat, përkatësisht: përndjekja, ndalimi, veprimet e tjera çnjerëzore, tortura, vrasja dhe zhdukja me forcë e personave, si në pikën 1, ashtu edhe në pikën 2, pikën 4, pikën 6, pikën 8 dhe pikën 10, nuk është konstatuar fajësia”.