Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.
“Gjykatësit konstatuan se gjatë konfliktit në Kosovë, z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh”, thuhet në vendimin e Speciales.
Gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues ka thënë se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur, “por me përdorimin e mjeteve të caktuara kriminale nga disa anëtarë të saj për realizimin e këtyre qëllimeve”.
Sa i përket rolit të secilit prej të akuzuarve, Gjykata ka konstatuar se ata ishin “anëtarë kyçë në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal”.
Specialja: Të katërt penalisht përgjegjës për krime lufte
Gjykata Speciale ka thënë se të katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë pasur qëllim të përbashkët kriminal, kanë dhënë kontribut të qenësishëm në realizimin e tij dhe synuan krimet përkatëse.
Trupi gjykues: Krasniqi ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal
Trupi gjykues konstatoi se Jakup Krasniqi dha kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte anëtar kyç në zbatimin e politikës së shënjestrimit të personave të konsideruar kundërshtarë.
Sipas gjykatësit Charles Smith, përmes publikimit të komunikatave, deklaratave politike dhe urdhrave, Krasniqi inkurajoi kryerjen e krimeve kundër personave të konsideruar kundërshtarë.
Trupi gjykues: Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve
Trupi gjykues konstatoi se Rexhep Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi mori pjesë edhe në arrestimin e 13 personave në Qirez.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, luajti rol thelbësor në krijimin e zonave operative, të cilat i inspektonte rregullisht.
Ai gjithashtu merrte raporte të shpeshta për persona të dyshuar dhe të konsideruar kundërshtarë.
Trupi gjykues konstatoi se Selimi ishte në dijeni se njësi të UÇK-së po shënjestronin persona të caktuar.
Specialja thotë se Veseli ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal
Trupi gjykues konstatoi se Kadri Veseli dha kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte anëtar kyç në realizimin e tij. Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli veproi së bashku me të akuzuarit e tjerë në zbatimin e këtij qëllimi.
Sipas trupit gjykues, Kadri Veseli ishte shef i Drejtorisë së ZKZ-së, e cila në përgjegjësi kishte identifikimin, sigurimin e informacionit, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave që mendohej se ishin kolaboracionistë.
Sipas Smith, Drejtoria e Zbulimit ishte një prej mjeteve kryesore përmes të cilave u zbatua qëllimi i përbashkët kriminal dhe Veseli ishte anëtar kyç në zbatimin e këtij qëllimi.
“Veseli, së bashku me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona kyç në pozita për të jetësuar qëllimin e përbashkët. Veseli mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve. Ai u përfshi në procesin e identifikimit dhe shënjestrimit të kundërshtarëve, shumë prej të cilëve edhe u vranë. U mor personalisht me arrestimin, ndalimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Hallaqit, si dhe me arrestimin, ndalimin dhe lirimin e një të ndaluari tjetër nga UÇK-ja. Veseli kishte dijeni për krimet e kryera kundër kundërshtarëve dhe, me gjithë dijeninë që kishte, nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e këtyre krimeve”, ka thënë ai.
Specialja: Thaçi dha kontribut në qëllimin kriminal të përbashkët
Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët. Konstatoi se Thaçi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Drejtorisë Politike, ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.
Sipas trupit gjykues, Drejtoria Politike kishte kompetencë pothuajse ekskluzive mbi vendimet politike të UÇK-së dhe Thaçi kërkoi vizionin politik të UÇK-së, të cilin e shprehu publikisht. Këtu përfshihet shënjestrimi i kolaboracionistëve, krijimi i strukturave dhe organeve kompetente dhe rregulloreve për këtë qëllim, si dhe përdorimi i luftës speciale për këtë qëllim dhe kundër kundërshtarëve, përmes komunikatave dhe deklaratave të tjera publike.
Trupi gjykues ka thënë se Thaçi, me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona besnikë në pika kyçe komanduese, në mënyrë që të kishte kontroll mbi UÇK-në dhe të sigurohej që ajo të respektohej deri në nivelet më të ulëta të hierarkisë.
“Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme. Përmes deklaratave dhe komunikatave, si dhe përdorimit të luftës speciale, Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve. Thaçi mori pjesë personalisht në krime, përfshirë arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Bajicë, si dhe në arrestimin, ndalimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Hallaqit. Ai kishte dijeni edhe për arrestimin dhe ndalimin e disa personave të tjerë”, ka thënë trupi gjykues.
Specialja: Të akuzuarit vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal
Gjykata Speciale ka konstatuar se katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin strategji për eliminimin e njerëzve që i shihnin si pengesë, përfshirë këtu anëtarë të forcave të tjera politike dhe ushtarake.
Edhe pse u tha se përgjegjësia është individuale, Gjykata ka konstatuar se ata kanë pasur marrëveshje “për qëllim të përbashkët kriminal”.
Aty është përmendur edhe shënjestrimi i anëtarëve të LDK-së dhe të FARK-ut.
“Trupi gjykues konstatoi se katër të akuzuarit dhe personat e tjerë në udhëheqjen e UÇK-së së kishin dy objektiva: Pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi atë për një Kosovë të pavarur. Këto pretendime synoheshin që të realizoheshin me anë të mjeteve ushtarake, politike e të tjera. Trupi gjykues nuk e gjykoi të nevojshme nëse se këto dy objektiva ishin në vetëvete kriminale apo të paligjshme. Katër të akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të NPK-së kishin të njëjtin qëndrim se elementet kyçe dhe mjete të strategjisë për realizimin e qëllimeve të udhëheqjes së UÇK-së ishte shenjëstrimi, eliminimi dhe neutralizimi i disa personave të cilët konsideroheshin si pengesë për qëllimet e tyre”, ka thënë Smithi.
Trupi gjykues: U vërtetuan trajtimi mizor dhe tortura
Trupi gjykues konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë kryerjen e krimeve të luftës të trajtimit mizor dhe torturës ndaj 303 personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.
Trupi gjykues: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave
Gjykata Speciale ka konstatuar se ka pasur krim të luftës, në pikën e akuzës së arrestimit dhe të ndalimit të paligjshëm ndaj 385 personave.
“sa i përket pikës “Arrestim ose ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trupi gjykues ka konstatuar se midis prillit 1998 dhe qershorit 1999, së paku 385 personave iu hoq arbitrarisht liria nga anëtarë të UÇK-së në disa qendra ndalimi të kontrolluara nga UÇK-ja”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.
“Ato u arrestuan nga anëtarë të UÇK-së dhe policia ushtarake. Ata u ndaluan me akuzat që ishin kolaboracionist, spiunë, tradhtarë”, ka thënë Smithi. "Nuk ka prova të besueshme se personat që ishin të ndaluar ishin kolaboracionist, tradhëtar ose spiunë ashtu sic kishin pretenduar UÇK-ja".
“Trupi gjykues konstatoi se mënyra e qëllimshme me të cilat viktimat u ndaluan dhe u arrestuan pa dhënë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe duke iu mohuar çdo formë e gjykimi të rregullt, tregojnë se disa prej anëtarëve të përfshirë synonin arrestimin dhe ndalimin e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të çdo garancie mbrojtëse dhe forme të procesit të rregullt”, ka thënë Smithi.
Po ashtu është konstatuar se 348 persona u trajtuan mizorisht dhe nga ta 303 u torturuan.
Specialja: S’pati krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së
Gjykata Speciale ka konstatuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër udhëheqësit e UÇK-së.
“Lidhur me ekzistencën e nja sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krim kundër njerëzimit Trupi gjykues Konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
“Ndonëse ekzistonte një politikë ose plan për personat që konsideroheshin kundërshtarë, viktimat u zgjodhën vetëm duke u bazuar në faktorin individual dhe jo bazuar në përkatësinë e tyre në një popullatë civile të shenjës truar. Trupi gjykues nuk është i bindur se personat e shenjestruar nga anëtarët e UÇK-së në këtë çështje gjyqësore mund të konsiderohen si popullatë civile”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, trupi gjykues ka thënë se incidentet që filluan pas 20 qershorit 1999 mbi të cilat ka pasur akuza për krime lufte nuk mund të cilësohen si krime lufte.
Smith: Çështja s’ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, por vetëm me të akuzuarit
Kryetari i trupit gjykues në Gjykatën Speciale, Charles Smith III, në fjalën hyrëse para vendimit ka thënë se çështja s’ka të bëjë me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vetëm me akuzat që rëndojnë mbi të akuzuarit.
“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve. Çështja ka të bëjë vetëm me faktet dhe rrethanat që lidhen me akuzat kundër të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore. Kjo çështje nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur. Nuk ka të bëjë me vlerësimin e veprimeve të njërës palë kundër palës tjetër. Nuk ka të bëjë me krimet që padyshim forcat dhe paramilitarët serbë kryen kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo çështje ka të bëjë vetëm me atë se a janë kryer krimet e pretenduara në aktakuzë dhe a mund të mbahen përgjegjës të akuzuarit për ato”, ka thënë ai.
Kryetari i trupit gjykues ka thënë se gjykimi u zhvillua nën një atmosferë frikësuese ndaj dëshmitarëve. Sipas Smithit, disa dëshmitarë nga frika ndryshuan dëshmitë, gënjyen trupin gjykues e disa e bën këtë nga besnikëria. Sipas tij, disa nga dëshmitarët përkundër këtyre sfidave u përgjigjën për ngjarjet që dinin.
Ai ka thënë se gjatë gjykimit u morën provat e 273 dëshmitarëve me shkrim dhe me gojë, 5467 prova materiale u pranuan si dhe transkriptat në këtë çështje gjyqësore shkuan në mbi 28 mijë.
Ora 10, nis seanca
Ora është bërë 10:00 dhe tashmë ka nisur seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për shkak të vonesës prej 10 minutash në transmetimin publik, pamjet nga salla e gjyqit pritet të bëhen të qasshme nga ora 10:10.
LIVE:
Lushtaku: Nuk i besoj Speciales
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se shpreson se sot do të ketë vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së, por nuk beson se një vendim i tillë do të merret.
Në një lidhje direkte për KTV-në, Lushtaku ka thënë se beson pak në Gjykatën Speciale andaj nuk pret që sot të ndahet drejtësi.
“Shpresoj dhe besoj se do të ketë një vendim lirues edhe pse unë pak besoj në këtë gjykatë sepse nuk është gjykatë që ka ndarë drejtësi dhe më së paku është marrë me drejtësi. Të gjithë ata gjyqtarë, prokurorë, hetues, kanë qenë këtu për 20 vjet dhe kanë hetuar e nuk kanë lënë guri pa lëvizur, nuk kanë gjetur as më të voglin problem. Unë dua të besoj edhe pse nuk besoj, dua të besoj se do të ketë një vendim lirues”, ka thënë ai.
Lushtaku ka shtuar se vendimi i sotëm nuk ka të bëjë vetëm me katër figurat që po gjykohen, por me fatin e Kosovës.
“Nuk besoj se kam qenë ndonjëherë më emocional se sot sepse nuk është problemi i 4-shes në Hagë, por edhe fati i Kosovës është në duart e atyre gjyqtarëve atje, sepse nëse ata rastësisht i dënojnë atje, Kosova do të jetë ndryshe”, ka thënë më tej ai.
Vëllai i Hashim Thaçit: Besojmë në luftën e pastër të UÇK-së
Vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gani Thaçi, ka thënë se janë duke pritur vendimin e Speciales, duke shtuar se besojnë në luftën e pastër të UÇK-së.
Ai ka deklaruar para mediave se besojnë edhe në drejtësi.
Thaçi ka bërë të ditur se pothuajse të gjithë familjarët janë në Hagë për ta pritur vendimin.
“Besojmë në luftën e pastër të UÇK-së, besojmë në drejtësi. Të gjithë familjarët janë atje”, ka thënë ai.
Vëllai i Jakup Krasniqit: Arsye për t’i dënuar nuk ka
Vëllai i Jakup Krasniqit, Avdyl Krasniqi, ka thënë se familja po e pret prej kohësh vendimin e Gjykatës dhe shpreson që sot të marrë lajm të mirë.
Para mediave disa minuta para se të fillojë seanca ku do të shpallet aktgjykimi, ai ka thënë se besimi në pafajësinë e të akuzuarve vazhdon të jetë i fortë, pavarësisht pritjes së gjatë të vendimit.
“Vendimin jemi duke e pritur bukur gjatë, po besoj se sot i ka ardhur fundi dhe e dëgjojmë një lajm të mirë. Obligimin jetësor me kohë e kanë kryer për të mirën e Kosovës dhe të popullit të saj. Besimi në pafajësinë e tyre vazhdon të jetë më i madh sesa dobësitë që mund të jenë ndonjëherë”, ka thënë ai.
Duke folur për procesin gjyqësor, Avdyl Krasniqi ka thënë se pret që gjykata të bazohet në prova dhe fakte gjatë marrjes së vendimit.
“Dëshmitarët kanë qenë joseriozë, një pjesë prej tyre, një pjesë e të dhënave ishin nga Serbia dhe të gjitha këto kanë ndikuar që prokuroria të ngrejë akuza të rënda... E njohim historinë tonë si është zhvilluar me shekuj. Evropa shpeshherë ka bërë veprime jo të duhura e në dëm të popullit shqiptar, shpresoj që kësaj radhe të vendoset më drejt”, u shpreh ai.
Në pritje të vendimit, Krasniqi foli edhe për dhimbjen familjare pas vdekjes së njërit prej vëllezërve dhe mungesën e Jakup Krasniqit në varrim.
“Na ka vdekur një vëlla, mungesa e Jakupit edhe në varrim e në shprehje të ngushëllimeve ka qenë e madhe, por e gjithë Kosova ka qenë për ngushëllime dhe na e kanë lehtësuar dhimbjen”, ka deklaruar ai.
Kordon sigurie para Qeverisë dhe Presidencës
Në qendër të Prishtinës janë vendosur kordonët e sigurisë në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Presidencës, raporton Ekonomia Online.
Në sheshin “Skënderbeu” ka prani të qytetarëve, ndërsa situata po përcillet nga afër nga autoritetet dhe mediat.
Konjufca nga Haga: Presim aktgjykim lirues
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca i cili po qëndron në Hagë, ka thënë se sot presin vendim lirues për katërshen e UÇK-së.
“Ne presim vetëm një vendim, aktgjykim lirues”, ka thënë ai.
Familja e Krasniqit nga Haga: Presim që sot të gjithë të lirohen nga akuzat
Besoj se vendimi do të jetë lirues, tha Altini, djali i Jakup Krasniqit, duke hyrë në objektin e Gjykatës Speciale, ku pritet sot vendimi për ish krerët e UÇK-së.
Ai tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të lirohen nga akuzat në Hagë dhe do të kthehen të lirë në Kosovë.
Sipas tij, pavarësisht vendimi ai dhe populli shqiptar janë krenar me ish-krerët e UÇK-së dhe luftën e tyre.
“Besoj se vendimi do të jetë lirues. Cilido që të jetë vendimi, unë jam krenar për secilin, për UÇK dhe për çdo gjë çka kanë bërë për neve...Për neve dhe për këta është një mbështetje e madhe që populli është me UÇK-në. Diçka çka dëshirojmë është që populli me ditë vlerën e UÇK-së”, tha ai.
Konjufca e Hoti hyjnë në Gjykatë
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca dhe ai për Familjen dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti, kanë arritur në Hagë, ku sot do të shpallet aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Këtë e bëri të ditur nga Haga korrespondenti i KOHËS, Augustin Palokaj, i cili ka thënë se Konjufca e Hoti do ta ndjekin seancën nga brenda sallës.
“Ka ardhur një numër shumë i madh e vazhdojnë të arrijnë të tjerë. Sapo kaloi zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, z.Glauk Konjufca, i cili brenda në sallë do të ndjekë këtë seancë, ishte edhe z.Andin Hoti, si dhe familjarë e të tjerë”, ka thënë ai.
Sipas tij, procesi nuk pritet të zgjasë shumë sepse është paralajmëruar se gjykatësi do të lexojë vetëm përmbledhjen e aktvendimit, ndërsa më vonë do të botohet i tërë vendimi i gjykatësve.
Gucati: Nëse ndodh e keqja, kjo gjykatë mund ta kënaqë vetëm Rusinë e Serbinë
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka shprehur optimizmin e tij pak orë para shpalljes së verdiktit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një prononcim për RTK-në nga Haga, ku ka udhëtuar për të ndjekur drejtpërdrejt seancën, Gucati u shpreh se pret një vendim pozitiv për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se akuzat ndaj tyre nuk janë të bazuara në fakte.
“Pritjet e mia janë të mëdha, besoj se sot do të gëzohemi të gjithë me këtë qytetarë edhe me juve që jeni këtu. Besoj se verdikti do të jetë në anën tonë, duke pasur parasysh që s'kanë pasur fakte e argumente”, deklaroi Gucati.
Ai kritikoi punën e Deritashme të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se Gjykata ka vepruar nën ndikimin e materialeve të siguruara nga Serbia dhe Rusia, por ka shpresë te prania e madhe e bashkatdhetarëve nga Kosova dhe dita e sotme.
Më tej, Gucati bëri thirrje që Gjykata të marrë parasysh zërin e popullit shqiptar dhe të mos marrë vendime me prapavijë politike.
“Nëse s'është gjykatë politike, veç nëse është gjykatë që do drejtësi, duhet ta dëgjojë zërin e qytetarëve, zërin e një kombi. Kombi shqiptar din të jetë në përkrahje e në mbështetje të krerëve të UÇK-së. Nëse ndodh më e keqja, sot kjo gjykatë mund t'i kënaqë vetëm Rusinë edhe Serbinë. Por unë besoj se kjo gjykatë duhet të jetë e drejtë, jo politike”, shtoi ai.
Policia u kërkon qytetarëve të largohen nga ndërtesa e Gjykatës Speciale
Pak orë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në Hagë janë shtuar masat e sigurisë pranë objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, raporton RTK-ja.
Për shkak të numrit të madh të qytetarëve të mbledhur para Gjykatës Speciale, policia holandeze ende nuk ka lejuar hyrjen e të gjithë familjarëve dhe mediave në objekt për ta përcjellë seancën.
Një pjesë e familjarëve tashmë janë futur brenda objektit, ndërsa të tjerët, së bashku me përfaqësues të mediave, vazhdojnë të presin.
Ndërkohë, policia që po kujdeset për rendin dhe sigurinë pranë objektit u ka bërë thirrje qytetarëve të pranishëm që të largohen nga ndërtesa dhe të shkojnë në vendin e caktuar për tubim.
Policia ka paralajmëruar se, nëse të pranishmit nuk e zbatojnë urdhrin për t'u larguar, mund të përdoret edhe forca.