Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.

Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.

“Gjykatësit konstatuan se gjatë konfliktit në Kosovë, z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh”, thuhet në vendimin e Speciales.

Gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues ka thënë se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur, “por me përdorimin e mjeteve të caktuara kriminale nga disa anëtarë të saj për realizimin e këtyre qëllimeve”. 

Sa i përket rolit të secilit prej të akuzuarve, Gjykata ka konstatuar se ata ishin “anëtarë kyçë në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal”.

Çitaku: Aleatët historikë të Thaçit po thonë pranojeni vendimin - jo faleminderit

1 muaj më parë / 16 sht 2026 17:42
Vlora Citaku

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se nuk e pranojnë vendimin e Dhomave të Specializuara të Hagës ndonëse këtë po e kërkojnë edhe siç ka thënë – aleatët historikë të Hashim Thaçit.

Ajo në reagimin e saj është shprehur se kjo katërshe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot u dënua, ndoshta dikur kanë qenë vetëm njerëz me të cilët aleatët e Kosovës kanë bashkëpunuar, por për Kosovën ata janë pjesë e historisë. 

“Për ju, ndoshta Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë vetëm njerëz me të cilët, në një moment të caktuar të historisë, keni bashkëpunuar. Njerëz që dikur i keni vlerësuar e lartësuar, aq sa Hashim Thaçin e keni krahasuar edhe me George Ëashingtonin. Për ne, nuk janë thjesht personazhe të një kapitulli të kaluar. Për ne, ata janë pjesë e historisë sonë. Janë pjesë e themeleve mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Janë njerëzit me të cilët lidhet një prej kapitujve më të rëndësishëm të lirisë së Kosovës. Prandaj, shumë faleminderit për këshillat. Por jo. Ne nuk e pranojmë këtë vendim”, thuhet në reagimin e Çitakut.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, ka shtuar se këtë vendim do ta kundërshtojnë deri në fund.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian, kanë kërkuar që të respektohet vendimi i Dhomave të Specializuara të Hagës, vendim i cili i shpalli fajtor katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Policia holandeze tregon se dy protestues u arrestuan në Hagë

1 muaj më parë / 16 sht 2026 17:07
Protesta - Hagë

Policia holandeze ka bërë të ditur se dy protestues janë arrestuar dhe një polic është lënduar lehtë në protestën në Hagë të mërkurën. 

Policia ka treguar se rreth orës 12:00 pati një periudhë të shkurtër trazirash, kur një grup i protestuesve kishte shkuar në drejtim të Raamweg ku gjenden Dhomat e Specializuara të Kosovës, e për të cilën nuk kishin leje. 

“Njësia Mobile formoi kordon për ta bllokuar qasjen drejt Raamwegut. Kur një pjesë e protestuesve u kthye kundër policisë, Njësia Mobile ndërhyri për të kryer një operacion për shpërndarjen e tyre dhe për një kohë të shkurtër përdori topin e ujit. U përdor edhe sprej. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të vendosur, rendi u rivendos brenda një kohe të shkurtër.  Gjatë përballjes me një grup protestuesish në Raamweg, disa protestues përdorën dhunë ndaj zyrtarëve policorë dhe pajisjeve të policisë. Një zyrtar policor pësoi lëndime të lehta. Dy persona u arrestuan, të dy për vandalizëm”, thuhet në njoftimin e Policisë holandeze.  

Kos: Të respektohet vendimi i Dhomave të Specializuara

1 muaj më parë / 16 sht 2026 17:01
Marta Kos

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka kërkuar që vendimi i Dhomave të Specializuara për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të respektohet derisa ka përmendur që palët kanë të drejtë të apelojnë.

Ajo në një reagim në platformën “X”, u ka bërë thirrje edhe siç ka thënë – aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e tyre duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë. Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndarjet dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, ka thënë Kos në reagimin e saj të plotë.



 

Protestuesit kërkojnë një qëndrim nga ana e institucioneve

1 muaj më parë / 16 sht 2026 16:57
Nasim Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se protestuesit e mbledhur te ndërtesa e Qeverisë po kërkojnë një qëndrim nga ana e institucioneve, nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. 

“Prej kryeministrit deri të parlamentari më i thjeshtë, cilido qoftë, ne ju kemi dhënë besim të na udhëheqin, të na japin përgjigje edhe tani se çfarë po bëjmë dhe ku jemi, kaq, kjo është kërkesë e protestuesve”, është shprehur Haradinaj. 

Protestuesit janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë në kundërshtim të dënimit që sot Gjykata speciale ua shqiptoi ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. 

Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Kryeministri Albin Kurti në një video të postuar në rrjetet sociale ka thënë se aktgjykimi dënues ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është dënim me vullnet të popullit.

Kurti ka thënë se Specialja ka nxjerrë konstatime të padrejta dhe se vendimi i saj është bazuar në themele plotësisht të pasakta.

Ai është zotuar për mbështetje nga Qeveria për të akuzuarit në Apel. 

Ka shtuar se aktgjykimi nuk mund të lexohet jashtë historisë në të cilën lindi UÇK-ja.

Ndërkohë presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar lajm tronditës për Republikën vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte. 

Ajo ka shtuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë luftën çlirimtare të UÇK-së.

Britania: Mbështesim fuqishëm Kosovën, jemi krenarë për ndërhyrjen e NATO-s më 1999

1 muaj më parë / 16 sht 2026 16:45
Ushtaret britanik

Photo: Associated Press

Mbretëria e Bashkuar e mbështet fuqishëm shtetin e Kosovës dhe ndihet krenare që me aleatët e NATO-s intervenoi më 1999, ka deklaruar ministri britanik për Evropën, Stewart Wood. 

Pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së, Wood ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor dhe se mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në mbarë rajonin. 

“Mbretëria e Bashkuar mbetet mike dhe partnere e afërt e Kosovës, duke mbështetur fuqishëm sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, si dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Jemi krenarë për rolin që luajtëm së bashku me aleatët e NATO-s në ndihmën për parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008″, ka deklaruar Wood.

Tutje ka thënë se aktgjykimi i sotëm është moment i rëndësishëm, por duke theksuar se ai nuk është “një gjykim për shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj”.

Wood ka bërë thirrje për qetësi dhe që reagimet të mos nxisin trazira.

“Gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensionet ndërmjet komuniteteve apo në mbarë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, liderët politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësi të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe të vendosin sigurinë e njerëzve mbi të gjitha. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me partnerët në mbarë rajonin dhe më gjerë për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt dhe të begatë për të gjitha komunitetet”, thuhet në reagim.

 

Serwer: Amerikanët dhe evropianët të ndihen të turpëruar, kanë kriminalizuar një lëvizje çlirimtare të cilën e mbështetën

1 muaj më parë / 16 sht 2026 16:44
Daniel Serwer

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka reaguar pas aktgjykimit dënues që Gjykata Speciale dhe ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Serwer në një opinion të publikuar në faqen e tij “Peacefare.net” ka thënë se amerikanët dhe evropianët duhet të ndihen të turpëruar që kanë kriminalizuar një lëvizje çlirimtare të cilën e mbështetën dhe e kanë reduktuar drejtësinë ndërkombëtare në hakmarrje politike. 

Serwer ka thënë se nuk është vetëm aktgjykimi i padrejtë, por edhe gjithë gjykata. 

“Pyetja më e menjëhershme është se çfarë ndodh në Kosovë. Shumë shqiptarë atje do ta konsiderojnë rezultatin të padrejtë. Ata do të protestojnë me zemërim, por shpresoj në mënyrë paqësore. Dhuna nuk do të sjellë asgjë. Aktgjykimet do t’i kënaqin, por nuk do t’i bindin plotësisht, shumë serbë. Disa mund të festojnë. Edhe atje dhuna nuk do të sjellë asgjë. Amerikanët dhe evropianët duhet të ndihen të turpëruar. Ata e kanë kriminalizuar një lëvizje çlirimtare që e mbështetën dhe e kanë reduktuar drejtësinë ndërkombëtare në hakmarrje politike. Por ata kanë vazhduar përpara dhe nuk do t’i kushtojnë shumë vëmendje kësaj. Ky është edhe një mësim se pse nuk duhet të jesh tepër miqësor me Washingtonin dhe Brukselin. Nuk është vetëm aktgjykimi ai që është i padrejtë. Është edhe gjykata”, ka shkruar Serwer.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim për krime lufte, ndërsa Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim e Rexhep Selimi me 13 vjet. 
 

Musliu për Specialen: E them me gjithë forcë që është gjykatë kriminale

1 muaj më parë / 16 sht 2026 16:17
Ganimete Musliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se Gjykata Speciale është gjykatë kriminale. 

Musliu i është bashkuar protestuesve para objektit të Qeverisë. 

Ajo ka thënë se me dënimin e sotëm të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dënuar “vuajtjet dhe sakrifica e popullit të Kosovës, dëshmorët e kombit, viktimat, gratë e përdhunuara, nënat e gjithë të tjerët”. 

“Nëse deri dje kam thënë se kjo gjykatë është politike, sot e them me gjithë forcën time se është gjykatë kriminale”, tha Musliu. 

Ajo ka thënë se është mjaft me padrejtësi, ndërsa ka kritikuar Qeverinë. 

“Sikur të kishim shtet që 6 vjet s’do të ndodhte ky dënim. Por, e kemi futur kokën si struci në zallë. Nuk kemi pasur shtet. Ata ishin vetëm atje. Ata kanë qenë vetë atje me forcat të veta janë mbrojtur”, ka thënë Musliu. 

Protestuesit gjuajnë me gurë ndërtesën e Qeverisë

1 muaj më parë / 16 sht 2026 16:02
pp

Photo: Driton Paçarada

Protestuesit janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë, pasi kishin shkuar në këmbë fillimisht e kishin protestuar para zyrave të EULEX-it në Fushë-Kosovë. Ata kanë gjuajtur me gurë ndërtesën qeveritare dhe kanë thyer disa xhama. Ata hoqën edhe disa rrethoja. Erdhi edhe deri te një konfrontim, ku pasi protestuesit nisën t'i shtyjnë policët, intervenoi për t'i ndalur Nasim Haradinaj, ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Haradinaj u tha protestuesve se nuk kanë asgjë me policët. 

Madje pati edhe një përplasje mes protestuesve, ku u largua njëri që hodhi gur në drejtim të policëve. 

Protestuesit ishin nisur fillimisht për te zyrat e EULEX-it nga sheshet në qendër të Prishtinës, menjëherë pasi Gjykata Speciale shpalli aktgjykim dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. 

Ndërkohë partitë politike në vend kanë bërë thirrje për qetësi e maturi.

Foto nga Driton Paçarada:

MPJ-ja e Kroacisë: Aktgjykimi nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë

1 muaj më parë / 16 sht 2026 15:58
Aktgjykimi i Speciales

Photo: Associated Press

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke theksuar se ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë.

Në një deklaratë të lëshuar pas aktgjykimit të Speciales në Hagë, MPJ-ja kroate ka theksuar se ky aktgjykim nuk e ndryshon as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Slobodan Millosheviqit.

“Përgjegjësia individuale e një individi nuk mund të jetë bazë për relativizimin e këtyre krimeve, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, thuhet më tej në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë.

Më tej është thënë se krimet dhe represioni i regjimit të Millosheviqit ndaj popullsisë së Kosovës nuk duhet të relativizohen.

Djali tregon mesazhin e Jakup Krasniqit pas dënimit me 25 vjet burgim

1 muaj më parë / 16 sht 2026 15:45
kuoa

Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit ka thënë se pas dënimit e ka vizituar babanë e tij.

Në një postim në Facebook ka shkruar se ai ka falënderuar secilin shqiptar për mbështetjen që i është dhënë luftës së drejtë të UÇK-së.

Ka shtuar se ky është dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës, sepse sipas tij, ata fitoren e tyre e kanë arritur në qershor të vitit 1999.

“Sapo përfundova vizitën me babin. Ai falënderon secilin shqiptar për mbështetjen që i është dhënë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata janë të fortë, krenarë dhe me ndërgjegje të pastër për veprimtarinë e tyre. Ky nuk është dënim për ta, sepse fitoren e tyre e kanë fituar në qershor të vitit 1999 dhe më 17.02.2008. Ky është një dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës. UÇK-ja është dhe do të mbetet krenaria jonë”,  ka shkruar ai.

West: S’u ndoq penalisht as UÇK-ja e as lufta për pavarësinë e Kosovës

1 muaj më parë / 16 sht 2026 15:35
Kimberly West

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West e ka mirëpritur aktgjykimin e sotëm në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit duke e quajtur atë të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe drejtësi të vonuar për viktimat. 

Në reagimin e saj, West ka thënë se nuk është ndjekur penalisht UÇK-ja e as lufta për pavarësi. 

"Vendimi i sotëm, që bazohet vetëm në fakte dhe ligj, është i rëndësishëm për vënien para përgjegjësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare. ZPS-ja bën përgjegjës individë për veprimet e tyre, në përputhje me mandatin e saj, asgjë më shumë. ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e saj.

West më tej ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar do ta shqyrtojë të gjithë aktgjykimin gjatë ditëve të ardhshme, përfshirë gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit që nuk çuan në dënime.

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

1 muaj më parë / 16 sht 2026 15:31
Departamenti i Shtetit

Photo: Associated Press

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Washingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

Disa sugjerime për leximin e aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së

1 muaj më parë / 16 sht 2026 15:23
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka publikuar një listë prej 9 sugjerimesh se si duhet lexuar aktgjykimin ndaj katër ish-drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Publikimi i plotë:

1. Aktgjykimi dënues ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së — Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit — nuk është ende i formës së prerë. Ankimi në shkallën e dytë do të kërkojë punë serioze juridike, të mbështetur në analizën dhe kundërshtimin e aktgjykimit të plotë, jo në emocione.  Fajësia apo pafajësia eventuale, sikurse edhe kohëzgjatja përfundimtare e dënimeve, nuk do të varen nga protestat, rrjetet sociale apo deklarimet politike. Ato do të jenë produkt i një procesi juridik të vazhduar dhe racional.

2. Aktgjykimi i 16 shtatorit ka bërë një dallim thelbësor duke mos pranuar akuzën e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit. Gjykata konstatoi se veprimet kriminale përbënin një sulm të përhapur dhe sistematik, por se Prokuroria nuk kishte provuar se ky sulm ishte drejtuar kundër një popullsie civile si të tillë. Sipas Gjykatës, viktimat ishin përzgjedhur kryesisht mbi baza individuale.

3. Katër ish-drejtuesit e dënuar të UÇK-së dallojnë kështu edhe juridikisht nga të dënuarit në rastet Šainović et al. dhe Vlastimir Gjorgjeviq para Tribunalit për ish-Jugosllavinë. Në ato raste u vërtetua një fushatë shtetërore e drejtuar kundër popullsisë civile shqiptare dhe të akuzuarit u dënuan edhe për krime kundër njerëzimit.

4. Megjithatë, dënimet e shkallës së parë në rastin Shainoviq et al. shkonin nga 15 deri në 22 vjet burgim, ndërsa dy nga ish-drejtuesit e UÇK-së u dënuan me nga 25 vjet. Edhe duke pasur parasysh dallimet ndërmjet rasteve, përgjegjësinë individuale dhe praktikat e ndryshme të dënimit, kjo ngre një pyetje serioze për proporcionalitetin.

5. Shpallja e tyre të pafajshëm për gjashtë pikat e krimeve kundër njerëzimit e vendos aktgjykimin në një kontekst më të drejtë historik. Përderisa fushata e forcave serbe kundër popullsisë shqiptare të Kosovës është përcaktuar juridikisht si krim kundër njerëzimit, në rastin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së nuk u provua ekzistenca e një sulmi kriminal të drejtuar kundër një popullsie civile si të tillë. Ky përfundim e vendos aktgjykimin në kontekstin e përgjegjësisë individuale për krime lufte. As UÇK-ja e as Kosova nuk mund ta marrin mbi vete këtë barrë fajësie. Aktgjykimi nuk e trajton si kriminal synimin për pavarësinë e Kosovës dhe thekson se ky proces nuk gjykon legjitimitetin e UÇK-së apo të luftës për pavarësi.

6. Aktgjykimi është mbështetur në parimin e rëndësishëm, se drejtësia e kauzës çlirimtare nuk e bën automatikisht të drejtë çdo veprim të kryer në emër të saj. Por, po kështu, dënimi i individëve për veprime kriminale nuk mund t’i atribuohet UÇK-së në tërësi, të ndryshojë rolin e saj historik në çlirimin e vendit apo të njollosë pavarësinë e Kosovës.

7. Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e ligjërimit se aktgjykimi i Hagës e dënon UÇK-në apo Kosovën e pavarur. Në aktgjykim nuk ekziston asnjë përfundim me të cilin përgjegjësia individuale për krime i bartet UÇK-së si organizatë ose përpjekjes së Kosovës për pavarësi.

8. Bellum iustum — lufta e drejtë e UÇK-së, e sendërtuar mbi lëvizjen popullore kundër okupimit të Serbisë dhe për pavarësinë e Kosovës — nuk është zhbërë nga ky aktgjykim si e vërtetë historike dhe morale.

9. Aktgjykimi, në fund, i ka individualizuar edhe viktimat. Edhe viktimat janë pjesë e kësaj historie, për to do të mësojmë më shumë nga teksti i plotë i aktgjykimit, në formën e vet të prerë.

Hamza: PDK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprime demokratike dhe ligjore

1 muaj më parë / 16 sht 2026 14:55
hamza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se vendimi i shqiptuar sot është bërë kundër shtetit të Kosovës dhe jo në emër të popullit të Kosovës.

Ai ka thënë se sot nuk u pa drejtësia, por u godit rezistenca e popullit. 

Ka deklaruar se PDK-ja do t'i ndërmarrë gjitha veprime demokratike dhe ligjore kundër këtij vendimi.

“Për ne ky gjykim është padrejtësi e madhe sepse atje u dënuan ata që ia kushtuan rininë e jetën Kosovës. U dënuan se e kanë mbrojtur luftën e UÇK-së nga faktorët e jashtëm. Po ashtu ai vendim mbështetet edhe në pretendimet dhe materialet e fabrikuara të ushqyera nga propaganda e Serbisë”, ka thënën ai.

Ai ka thënë se historia e Kosovës është shkruar nga populli që luftoi për mbijetesë.

Hamza në një konferencë për media ka thënë se katërshja e UÇK-së së ishin në koordinim me aleatët e vendit, dhe sipas tij, sot u dënuan edhe për ato aleanca.

“Sot është ditë e rëndë për Kosovën por sot nuk përfundon historia. Presim që në Apel të shqyrtohen me saktësi konkluzionet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se shteti i Kosovës duhet t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e së vërtetës.

Hamza ka thënë se PDK-ja është e gatshme të ndërmarrë veprime konkrete ligjore lidhur me rastin.

Protestuesit gjuajnë me gurë drejt zyrave të EULEX-it

1 muaj më parë / 16 sht 2026 14:28
protesta

Photo: Driton Paçarada

Protestuesit të cilët janë mbledhur në Fushë-Kosovë, kanë nisur të gjuajnë me gurë drejt zyrave të EULEX-it.

Të pranishëm janë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Kurti: Udhëheqësit e UÇK-së nuk u dënuan me vullnetin e popullit

1 muaj më parë / 16 sht 2026 14:19
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se aktgjykimi dënues ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është dënim me vullnet të popullit.

Specialja të mërkurën dënoi me 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin. Ata u dënuan për krime lufte.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka thënë Kurti në një video drejtuar qytetarëve.

Kurti ka thënë se Specialja ka nxjerrë konstatime të padrejta dhe se vendimi i saj është bazuar në themele plotësisht të pasakta.

Ai është zotuar për mbështetje nga Qeveria për të akuzuarit në Apel. 

Ka shtuar se aktgjykimi nuk mund të lexohet jashtë historisë në të cilën lindi UÇK-ja.

“UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri. Populli shqiptar i Kosovës përjetoi heqjen e autonomisë, përjashtimin nga institucionet, dëbimin nga vendet e punës, shkollat dhe universiteti, burgosjet, torturat dhe vrasjet. Më pas erdhën masakrat, djegia e vendbanimeve, dëbimi masiv i qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocidi. Kjo vuajtje nuk ishte sfondi i rastësishëm i luftës, por realiteti që e bëri qëndresën çështje të mbijetesës së një populli”, ka thënë Kurti.

Ai ka akuzuar Gjykatën Speciale edhe për gjykim njëetnik dhe mungesë të transparencës.

“Drejtësia selektive mbi baza etnike bie ndesh me parimin themelor se drejtësia jo vetëm duhet të jetë e paanshme, por edhe duhet të perceptohet si e tillë”, ka thënë Kurti.

“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar. Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka përfunduar Kurti.

Protesuesit mblidhen te zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë

1 muaj më parë / 16 sht 2026 13:32
gjykata speciale

Protestuesit janë mbledhur para zyrave të EULEX-it në Fushë-Kosovë, derisa aty shihen edhe forca të shtuara të Policisë.

Protestuesit kanë shkuar në këmbë nga sheshet në qendër të Prishtinës ku kanë përcjellë vendimi e Speciales në drejtim të këtyre zyrave.

Ndërkohë partitë politike  në vend kanë bërë thirrje për qetësi e maturi pas vendimit dënues për ish-krerët e UÇK-së.

Avokati i Thaçit: Po të isha si Kuvendi i Kosovës, do e zhbëja Gjykatën Speciale që nesër

1 muaj më parë / 16 sht 2026 13:12
Pierre-Richard Prosper

Pierre-Richard Prosper, avokati i Hashim Thaçit, e ka cilësuar si “dështim të drejtësisë” aktgjykimin e sotëm ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Prosper ka thënë se mbrojtja do ta apelojë vendimin, ndërsa ka akuzuar Tribunalin se, sipas tij, e ka “rishkruar historinë”.

“Ishim dëshmitarë të një dështimi të drejtësisë. Po them këtë se Tribunali e ka rishkruar këtë histori. Kemi dëshmitarë që kanë qenë në terren dhe e kanë bërë të qartë në këtë gjykatë se Thaçi nuk ka qenë përgjegjës dhe se UÇK-ja ka qenë e përbërë nga komandantë të grupeve rajonale. Kjo luftë do të vazhdojë. Ne do të apelojmë. Por kjo është ditë e zezë për drejtësinë ndërkombëtare. Është edhe fundi i drejtësisë penale ndërkombëtare”, ka thënë Prosper.

Ai ka përmendur edhe NATO-n dhe Departamentin amerikan të Shtetit (DASH), duke thënë se duhet ta shqyrtojnë nga afër vendimin e gjykatës.

“NATO dhe DASH-i duhet ta shikojnë nga afër këtë vendim, sepse ajo që tha sot gjykata, së pari për NATO-n, është se UÇK-ja ishte ndërmarrje e përbashkët kriminale. Dhe ata po thonë se NATO-ja bashkëpunoi me një ndërmarrje kriminale. DASH-i dhe shtetet e tjera tani duhet të jenë të vetëdijshëm për hapat e mëtejshëm kur ka konflikte dhe tribunale”, ka deklaruar avokati i Thaçit.

Ai madje sugjeroi që Kuvendi i Kosovës duhet ta zhbëjë mbështetjen për këtë gjykatë.

“Fola me z.Thaçi dhe ai e vlerëson shumë mbështetjen e njerëzve. Është i përgatitur që të luftojë për veten dhe Kosovës. Dhe një koment tjetër. Ndoshta mund të hyj në telashe për këtë. Kam goditur kokën time me grushte kur gjykatësi shqiptoi ‘në emër të popullit të Kosovës’. Ata nuk dëgjuan mbrojtjen. Parlamenti i Kosovës duhet ta shohë këtë. Sepse ky është partneritet mes BE-së dhe Parlamentit të Kosovës. Unë do e hiqja mbështetjen që nesër. Kosova duhet të marrë një vendim sovran. Në disa raste duhet të çohesh në këmbë dhe të marrësh një vendim. Ai do të lirohet në një pikë. Beteja dhe lufta vijojnë”, ka thënë avokati.

BE-ja bën thirrje për përmbajtje: Gjykata ta kryejë punën pa ndërhyrje

1 muaj më parë / 16 sht 2026 13:09
Thaci dhe të tjeret

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për përmbajtje pas dënimit të katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte.

Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Në një përgjigje të një zëdhënësi, BE-ja ka thënë se ka marrë shënime për aktgjykimin, teksa ka bërë thirrje për përmbajtje. Ajo ka thënë se Gjykata Speciale duhet të lejohet ta kryejë punën pa ndërhyrje, teksa ka kujtuar mbështetjen për të dhe themelimin e saj nga vetë institucionet e Kosovës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) ushtrojnë drejtësi përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit në një Kolegj të veçantë Apeli. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe akterëve, në Kosovë dhe rajon, për përmbajtje”, thuhet në përgjigjen e këtij zëdhënësi.

“DHSK-ja dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje ta kryejnë mandatin e tyre pa ndërhyrje. Drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrugën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat. Autoritetet kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në Kosovë. BE-ja rikujton mbështetjen e saj të gjatë për DHSK-në si një institucion të themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Begaj: Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk e njollos UÇK-në

1 muaj më parë / 16 sht 2026 12:59
Bajram Begaj

Foto: KSP

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale për katërshen e UÇK-së është trishtues.

Sipas tij, për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk e njollosë UÇK-në.

“Trishtim i thellë për vendimin e sotëm. Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie. Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në! Liria ka emër!”, ka thënë ai.