Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.

Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.

“Gjykatësit konstatuan se gjatë konfliktit në Kosovë, z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh”, thuhet në vendimin e Speciales.

Gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues ka thënë se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur, “por me përdorimin e mjeteve të caktuara kriminale nga disa anëtarë të saj për realizimin e këtyre qëllimeve”. 

Sa i përket rolit të secilit prej të akuzuarve, Gjykata ka konstatuar se ata ishin “anëtarë kyçë në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal”.

AP: Njeriu që u përkrah nga Perëndimi për ta udhëhequr vendin drejt pavarësisë, sot para vendimit të madh

1 muaj më parë / 16 sht 2026 08:55
Hashim Thaçi

Agjencia e lajmeve, Associated Press ka shkruar mëngjesin e sotëm për vërdiktin i cili pritet të jepet sot në Hagë nga Gjykata Speciale për katërshen e UÇK-së.

Në artikullin që kryesisht i kushtohet ish-presidentit Hashim Thaçi, thuhet se ai sot do të mësojë fatin e tij, kur gjyqtarët ndërkombëtarë në Hagë do të shpallin aktgjykimin në gjyqin e tij për krime lufte.

Thaçi përballet me disa akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, torturë dhe persekutim, së bashku me tre ish-drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan kundër forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Në vendlindjen e tyre, ata konsiderohen gjerësisht si heronj kombëtarë.

Artikulli në vijim thotë se mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë gjatë fundjavës në mbështetje të katërshes. Protestuesit mbushën sheshin qendror të kryeqytetit, shumë prej tyre duke mbajtur flamujt kuq e  zi. Portretet e katër ish-luftëtarëve të UÇK-së janë vendosur në të gjithë qytetin, së bashku me një orë të madhe dixhitale që numëron mbrapsht deri të mërkurën, kur priten aktgjykimet.

“​​Në emër të popullit, shpallini të pafajshëm”, thuhej në një prej pankartave.

Prokurorët pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë kanë kërkuar një dënim maksimal prej 45 vjetësh burgim për Thaçin dhe të pandehurit e tjerë, Kadri Veselin, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqin. Të gjithë ata i kanë mohuar akuzat.

“Gjatë gjithë jetës sime, kam qëndruar me popullin e Kosovës duke mbrojtur lirinë, jetën dhe dinjitetin. Gjithmonë jam udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë”, u tha Thaçi gjyqtarëve në shkurt, në përfundim të gjyqit të tij, i cili zgjati gati tre vjet.

Sipas prokurorëve, gjatë kohës së tyre në UÇK, të akuzuarit shënjestruan kundërshtarë politikë dhe civilë të cilët konsideronin bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Stafi i gjykatës, e cila mbështetet nga Bashkimi Evropian, përbëhet kryesisht nga ndërkombëtarë, për shkak të frikës për sigurinë dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Në vitin 2022, gjykata dënoi dy drejtues të një shoqate të veteranëve të luftës së Kosovës për frikësim të dëshmitarëve, pasi kishin bërë publike dokumente konfidenciale të rrjedhura.

Ai ishte student kur u kthye nga ajo që e përshkruante si mërgim politik në Zvicër për t’iu bashkuar luftës së Kosovës për pavarësi. Gjatë konfliktit, ai mori nofkën “Gjarpri” për aftësinë e tij për t’u shpëtuar forcave serbe.

Thaçi u përkrah nga liderët perëndimorë, të cilët e ftuan në bisedimet e paqes të vitit 1999 në Francë, në cilësinë e drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai shihej si një udhëheqës që mund ta udhëhiqte vendin drejt pavarësisë.

Pas luftës, Thaçi u ngrit në pushtet në skenën politike, por dha dorëheqjen nga posti i presidentit për t’u përballur me procesin gjyqësor në Hagë.

Shumica e rreth 13,000 njerëzve që humbën jetën në luftën e Kosovës ishin shqiptarë etnikë. Një fushatë 78-ditore e sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbe i dha fund luftimeve. Rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, një akt që Beogradi refuzon ta njohë. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara, pavarësisht viteve të negociatave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

Haga kuq e zi në pritje të verdiktit

1 muaj më parë / 16 sht 2026 08:50 Nga: Augustin Palokaj
Haga kuq e zi në pritje të verdiktit

Qyteti i Hagës është mbushur përplot flamuj kombëtarë e shtetërorë në pritje të verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mërgimtarë dhe qytetarë që kanë shkuar nga Kosova, kanë qëndruar aty edhe gjatë natës.

Në mëngjes numri është shtuar, ndërsa mërgimtarët po shoqërohen nga këngë patriotike.

Verdikti do të shpallet nga ora 10:00.

Familjarët e të akuzuarve hynë në gjykatë

1 muaj më parë / 16 sht 2026 08:48
UÇK

Familjarët e ish-krerëve të UÇK-së janë parë teksa kanë hyrë brenda Gjykatës Speciale në Hagë.

Sipas raportimeve, duke hyrë u panë Endrit Thaçi, djali i Hashim Thaçit, si dhe gruaja dhe i biri i Rexhep Selimit.

Pos tyre, ka edhe shumë familjarë të tjerë të akredituar që po presin për të hyrë në Galerinë e Publikut për të parë nga afër seancën më të rëndësishme për katërshen e UÇK-së.

Qytetarët mblidhen në sheshin e Prishtinës në pritje të vendimit në Hagë

1 muaj më parë / 16 sht 2026 08:42
UÇK

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në sheshin e Prishtinës për të pritur vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Një numër i madh qytetarësh kanë kaluar edhe natën në shesh, ndërsa atmosfera është shoqëruar me pritje për vendimin që pritet të shpallet në Hagë.

Nga ora 10:00, në Hagë bëhet i ditur vendimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Dita e verdiktit

1 muaj më parë / 16 sht 2026 08:01
Thaci

Photo: Associated Press

Gati gjashtë vjet pas arrestimit të tyre, Gjykata Speciale me seli në Hagë do ta shpallë të mërkurën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Seanca do të nis së transmetuari në Kosovë në orën 10:00, derisa ajo do të përcillet edhe nga sheshet e qyteteve të ndryshme, ku ka organizim.

Vendimi do të shënojë fundin e procesit gjyqësor më të madh dhe më të rëndësishëm të zhvilluar deri tani nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të dyshuara se janë kryer gjatë dhe pas luftës së Kosovës.

Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, derisa mbrotja lirimin e tyre.

Pos interesimit të qytetarëve, edhe i mediave për të përcjellë nga afër këtë ngjarje është i madh.

Zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle, në një intervistë për KOHËN ka thënë se ka pasur qindra kërkesa për ta përcjellë seancën nga galeria e gjykatës.

“Po, me të vërtetë ka pasur qindra njerëz që kanë aplikuar, ndërsa në galerinë publike janë 71 vende. Prioritet u është dhënë anëtarëve të familjes së të akuzuarve. Secilit prej të akuzuarve i është ndarë një numër i caktuar vendesh. Kështu që shumica e vendeve në galerinë publike u janë ndarë anëtarëve të familjeve të të akuzuarve. Gjithashtu ka vende për mediat — mediat ndërkombëtare dhe ato të Kosovës — si dhe për publikun dhe diplomatët, përfshirë disa diplomatë dhe zyrtarë nga Kosova dhe Shqipëria”, ka thënë Doyle të martën.

Ai ka thënë se nuk është e përcaktuar se sa do të zgjasë seanca, por ka theksuar se do të zgjasë më pak se që zgjasin zakonisht seancat.

“Nuk është përcaktuar në urdhrin e caktimit të seancës, me sa di unë, saktësisht se sa do të zgjasë. Ajo që mund të them është se, duke parë aktgjykimet e kaluara, seanca konsiston kryesisht në leximin e përmbledhjes së aktgjykimit nga kryetari i trupit gjykues. Kështu që zakonisht nuk zgjat aq shumë sa seancat e tjera që zgjasin, për shembull, gjithë ditën”, është shprehur Doyle.

Doyle po ashtu ka thënë se nëse të akuzuarit shpallen të pafajshëm atëherë në rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të aplikohet lirimi i menjëhershëm. Thaçi po gjykohet edhe në një rast tjetër që ka të bëjë me pengimin e administrimit të drejtësisë.

“Në rast se përfundon me pafajësi, ligji dhe rregullat janë të qarta se personi i akuzuar duhet të lirohet menjëherë. Ekziston një dispozitë që nëse dikush është subjekt i një procedure tjetër ligjore për të cilën është në paraburgim, atëherë kjo mund të mos zbatohet menjëherë. Specifikisht në rastin e z. Thaçi, siç e dini, ai është gjithashtu në paraburgim me urdhër që lidhet me procesin ku akuzohet për vepra penale të pengimit të drejtësisë. Kështu që nëse ai shpallet i pafajshëm, atëherë do t'i takonte gjyqtarit të asaj çështjeje ta rishikonte paraburgimin e tij, siç bëhet rregullisht, përpara se ai të lirohej”, ka thënë Doyle.

Në Prishtinë, të shtunën është organizuar një marsh i madh qytetar në mbështetje të katër ish-drejtuesve të luftës që po gjykohen në Hagë.

Tubim është paralajmëruar edhe për të mërkurën në Prishtinë, për të përcjellë seancën në ekranin e madh të vendosur në sheshin “Skënderbeu”.

Ambasada e SHBA-së, të hënën ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që të shmangin lëvizjet nga vendet ku mund të ketë tubime, derisa të martën këtë e kanë bërë edhe përfaqësitë diplomatike të

Britanisë së Madhe dhe të Francës për shtetasit e tyre.

“Tubime – Thirrje për vigjilencë. Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, janë planifikuar tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës. Shtetasit francezë këshillohen të qëndrojnë larg këtyre tubimeve. Ata duhet të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme brenda qyteteve dhe në gjithë vendin deri në fund të ditës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Francës në Kosovë.

Policia e Kosovës ka njoftuar po ashtu se ka ndërmarrë masat e nevojshme për sigurinë dhe ruajtjen e qetësisë publike.

E në partinë që nga themelimi e për dy dekada rresht është drejtuar nga Hashim Thaçi, e për disa vjet edhe nga Kadri Veseli, kanë thënë se e mërkura duhet të jetë ditë festë.

Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka shprehur pritjen që Specialja të shpallë verdikt lirues, si për Thaçin e Veselin, ashtu edhe për Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. 
“Nesër duam të festojmë. Duam t’i shohim Hashim Thaçin, Kadi Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të lirë dhe në rrugën e kthimit ë Kosovë. Deri atëherë, përgjegjësia jonë është e qartë. Do ta mbrojmë të vërtetën për luftën e UÇK-së”, ka thënë Gruda.

E, nëse verdikti është ndryshe nga pritjet, Gruda ka thënë se PDK-ja do ta kundërshtojë atë, duke kërkuar drejtësi të bazuar në prova.

Ai ka folur edhe për njoftimet dhe paralajmërimet publike më 16 shtator. Sipas tij, me to është krijuar ankth te qytetarët.

“Si PDK kemi përcjellë me shqetësim disa reagime publike të ditëve të fundit, të cilat kanë krijuar ankth të panevojshëm te qytetarët. Në momente të tilla, të gjithë akterët publikë kanë përgjegjësi të tregojnë me maturi dhe kujdes”, ka thënë ai.

Por, nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besiana Musmurati, e cila i përket PDK-së, ka thënë po të martën se nuk pret qetësi në Prishtinë dhe në pjesë të tjera të Kosovës, në rast të një vendimi dënues. Në një rrethanë të tillë, ajo ka thënë se pret reagim qytetar.