Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.
“Gjykatësit konstatuan se gjatë konfliktit në Kosovë, z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh”, thuhet në vendimin e Speciales.
Gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues ka thënë se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur, “por me përdorimin e mjeteve të caktuara kriminale nga disa anëtarë të saj për realizimin e këtyre qëllimeve”.
Sa i përket rolit të secilit prej të akuzuarve, Gjykata ka konstatuar se ata ishin “anëtarë kyçë në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal”.
Vajza e Krasniqit: Specialja i vendosi njollë të zezë UÇK-së, padrejtësia më e madhe e shekullit
Vajza e Jakup Krasniqit, Gresa Krasniqi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së i vendos njollë të zezë Ushtrisë Çlirimtare dhe e barazon viktimën me agresorin.
Ajo ka thënë se me vendimin e sotëm në Hagë ka ndodhur padrejtësia më e madhe e shekullit, duke u dënuar çlirimtarët.
“Në një gjykatë që ne e konsiderojmë të padrejtë, politike, raciste dhe kriminale, u dha një vendim po aq i padrejtë, politik, racist dhe kriminal. Ky vendim, përfundimisht, ndryshon historinë e Republikës së Kosovës, i vendosë një njollë të zezë UÇK-së dhe barazon viktimën me agresorin. UÇK-ja luftoi kundër kasapit të Ballkanit, kundër një prej ushtrive më të përgjakshme të rajonit, kundër një makinerie ushtarake që kreu gjenocid në Kosovë. E megjithatë, sot u dënuan çlirimtarët”, ka shkruar ajo në Facebook.
Vajza e Krasniqit më tej ka thënë se vendimi është zhgënjyes.
“Në këtë gjykatë të padrejtë, sot u dënua zëdhënësi i UÇK-së, ndërsa homologu i tij i atëhershëm, Ivica Daçiq, vazhdon të jetë i lirë dhe të jetojë krejt mirë në Beograd. Ky është veç një tjetër tregues i qartë për natyrën paragjykuese dhe politike të po kësaj gjykate. Natyrisht, ky vendim na ka lënduar dhe na ka zhgënjyer, Por kurrë nuk do të na thyejë dhe kurrë nuk do të na dorëzojë. Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës”, ka shkruar ajo.
LDK: Djemtë dhe vajzat e UÇK-së mbrojtën pragun e shtëpisë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur “shqetësim shumë të thellë” për vendimin dhe përmasën e dënimeve.
LDK-ja ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi, duke theksuar se liria dhe pavarësia e Kosovës mbështeten në sakrificën e brezave, rezistencën politike e paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, luftën e UÇK-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.
“Djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Partia ka deklaruar se asnjë aktgjykim, përfshirë atë të sotmin, nuk mund ta zhbëjë, sipas saj, të vërtetën historike të luftës në Kosovë. LDK-ja ka përmendur krimet e kryera nga regjimi i Serbisë gjatë luftës, përfshirë vrasjen e civilëve, dhunën, dëbimet dhe shkatërrimin e vendbanimeve.
Në reagim, LDK-ja ka ritheksuar përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës dhe ka mbështetur “pa rezervë” shterimin e të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë edhe ato të shkallës së dytë.
Po ashtu, LDK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi e maturi, ndërsa përfaqësuesve politikë që të tregojnë përgjegjësi në fjalët dhe veprimet e tyre dhe të shmangin nxitjen e tensioneve.
“U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojmë bashkë për ta përballuar këtë periudhë të vështirë për Kosovën”, thuhet në reagim.
Në fund, LDK-ja ka theksuar se UÇK-ja mbetet “pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht”
OVL: UÇK-ja s’ka qenë kurrë ndërmarrje kriminale
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se UÇK-ja nuk ka qenë kurrë ndërmarrje kriminale tek e ka kundërshtuar dënimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Specialja me seli në Hagë dënoi të mërkurën Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 e Rexhep Selimin me 13. Ata u dënuan për krime lufte, ndërsa Gjykata tha se kanë funksionuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale.
“Hedhim poshtë kategorikisht dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky aktgjykim godet luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe lëndon çdo familje që dha bijtë dhe bijat për lirinë e Kosovës. UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale. Ishte rezistenca e organizuar e një populli përballë pushtimit, dëbimit dhe masakrës, e vetmja përgjigje që i kishte mbetur një kombi të dënuar me zhdukje. Ajo sakrificë ndërtoi shtetësinë, sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Asnjë institucion, kudo qoftë, nuk ka autoritetin moral ta nxjerrë në gjyq këtë të vërtetë. Asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë luftën tonë çlirimtare apo të njollosë ata që luftuan për liri. E vërteta e UÇK-së nuk është çështje interpretimi gjyqësor, është historia e jetuar e një populli që e fitoi shtetin me gjak. Që në fillim e kemi quajtur politike këtë gjykatë dhe procesi na dha të drejtë. Është turp për drejtësinë ndërkombëtare, një njollë që do të mbetet gjatë dhe që tregon se si është trajtuar lufta jonë çlirimtare dhe sakrifica e popullit tonë”, thuhet në reagim të OVL-së.
Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së në ballinat e mediave kryesore botërore
Mediat më prestigjioze botërore i kanë dhënë jehonë vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për krime lufte, të mërkurën në Hagë.
Agjencia e lajmeve Reuters ka titullin “Ish-presidenti i Kosovës Thaçi u dënua me 25 vjet burgim për krime lufte”.
"Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpall fajtor të mërkurën nga tribunali për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë, për krime lufte që përfshijnë vrasjen, torturën dhe ndalimin e paligjshëm.
Thaçi, 58 vjeç, u dënua me 25 vjet burgim për krimet e kryera si komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë shkëputjes së dhunshme të territorit nga Serbia në vitet 1990", shkruan Reuters.

“Gjykata e Hagës dënon ish-kryeministrin e Kosovës Thaçi për krime lufte, me 25 vjet burgim”, shkruan CNN.
"Të mërkurën, një gjykatë e mbështetur nga Bashkimi Evropian e shpalli fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për katër akuza për krime lufte të kryera gjatë luftës së vendit të tij për pavarësi nga Serbia dhe e dënoi atë me 25 vjet burgim. Thaçi, 58 vjeç, i cili dha dorëheqjen nga posti i tij gati gjashtë vjet më parë për t'u përballur me akuzat, u shpall fajtor nga një trup gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. I veshur me kostum dhe kravatë, Thaçi qëndroi në heshtje ndërsa gjykatësi kryesues Charles Smith lexonte vendimin", shkruan CNN.

Edhe mediumi prestigjioz britanik “The Guardian” vë theksin te vendimi kundër ish-presidentit Thaçi, me titullin “Ish-presidenti i Kosovës Thaçi dënohet me 25 vjet burgim nga gjykata ndërkombëtare e Hagës”.
"Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim nga gjykata ndërkombëtare në Hagë, pasi është shpallur penalisht përgjegjës për krime lufte gjatë shkëputjes së dhunshme nga Serbia në vitet 1990", shkruan The Guardian.

“Ish-presidenti i Kosovës dënohet me 25 vjet burgim” është titulli i gazetës zvicerane “Blick”.
"Vendimi pritej me padurim: të mërkurën, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën vendimin në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi (58 vjeç), dhe tre të bashkakuzuarve të tjerë. Ata përballeshin me akuza për krime lufte dhe torturë. Më pas, pak para mesditës, erdhi lajmi: Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim", shkruan Blick.

Edhe mediumi amerikan “The Washington Post” përmend në titull dënimin e ish-presidentit, Hashim Thaçi.
“Gjykata e Hagës dënon ish-presidentin e Kosovës, Thaçi, me 25 vjet”, shkruan WP-ja.
Tensione në Hagë, policia hedh ujë për t’i shpërndarë qytetarët
Policia në Hagë ka hedhur ujë ndaj qytetarëve që t’i largojë nga ambientet e Gjykatës Speciale.
Sipas videove në rrjetet sociale, madje disa qytetarë shihen se kanë hipur mbi vetura e policisë dhe i godisnin ato.
Por situata shpejt u qetësua pasi nisi shpërndarja e ujit.
Haxhiu të dënuarve në Hagë: Qëndroni të fortë, Kosova është me ju
Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si lajm tronditës për Republikën vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte.
Haxhiu i është drejtuar me mesazh të dënuarve, duke u thënë të qëndrojnë të fortë sepse Kosova është me ta.
“Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka shtuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme. Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë. Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë”, ka shtuar ajo.
Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton.
Në një ditë si kjo, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur. Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë.
Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet.
Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme.
Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë.
Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë.
Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë.
PDK: Historia e Kosovës nuk rishkruhet me një aktgjykim
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën, zhgënjimin dhe kundërshtimin e saj për aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një komunikatë për media, ka shkruar se sot në Hagë u godit rëndë e drejta e popullit që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës.
“Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse mbështetet në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë, por historia e Kosovës është shkruar në Kosovë me sakrificë, gjak dhe luftë për liri, duke shtuar se ajo nuk rishkruhet sot.
“Historia jonë është shkruar nga populli ynë që luftoi për mbijetesë, nga mijëra dëshmorë e martirë, nga qindra mijëra qytetarë të dëbuar prej shtëpive të tyre dhe nga një aleancë historike me botën demokratike që, në vitin 1999, i dha fund represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb në Kosovë. Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim”, thuhet tutje në reagim.
Tutje thuhet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk shkuan në Hagë duke ikur nga drejtësia, por se ata iu përgjigjën asaj vullnetarisht, me besimin se e vërteta do të triumfonte.
Prandaj, ka deklaruar se vendimi i sotëm është një goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
“Sot, qytetarët e Kosovës ndihen të lënduar dhe të zhgënjyer nga ky aktgjykim i padrejtë. PDK do ta kundërshtojë këtë aktgjykim me argumente, me të gjitha mjetet demokratike dhe në çdo forum ku duhet mbrojtur e vërteta për luftën e Kosovës. Për ne, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare. Dhe njerëzit që udhëhoqën luftën dhe proceset politike që sollën lirinë dhe shtetin e Kosovës nuk mund të fshihen nga historia me një vendim gjyqësor. Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Por sot nuk përfundon as historia, as beteja për të vërtetën”, thuhet tutje në reagim.
Publikohet përmbledhja e aktgjykimit të dënimit të Thaçit dhe të tjerëve
Trupi Gjykues sot shqiptoi aktgjykimin në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit ishin penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar kundër 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 peronave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi Prokurori i Specializuar nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer sulm i përhapur gjerësisht ose sistematik kundër një popullate civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.
Trupi Gjykues dënoi Hashim Thaҫin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim, Rexhep Selimin me 13 vjet burgim dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Aktgjykimi i plotë (KËTU)
Gjini: Ky aktgjykim s’mund ta ndryshojë të vërtetën historike të Kosovës
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se dënimi me nga 25 vjet burgim i Hashim Thaçit, dhe Jakup Krasniqit 18 vjet Kadri Veselit, dhe 13 vjet i Rexhep Selimit është tronditës dhe thellësisht zhgënjyes.
Ka shkruar se ky aktgjykim nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike.
Gjini ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi luftë të drejtë dhe çlirimtare kundër regjimit kriminal të Serbisë.
“Sot mendjet dhe zemrat tona janë me familjet e tyre, me bashkëluftëtarët dhe me gjithë popullin e Kosovës. Sot, Kosova është e lirë dhe sovrane falë luftës së djemve dhe vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe falë mbështetjes së pa rezervë të aleatëve tanë! Ta ruajmë Kosovën sepse në atë mënyrë nuk ju japim armiqve kënaqësinë që e presin. Kosova duhet të bëjë shumë më shumë që katër udhëheqësit e UÇK-së të shpallen të lirë në shkallën e dytë të gjykimit”, ka thënë ai.
Haradinaj: Ju ndihmojmë armiqve nëse e dëmtojmë Kosovën
Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për qetësi pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale, duke thënë se shkatërrimi i Kosovës i ndihmon vetëm armiqve.
Ai ka thënë se duhet pritur edhe shkallë e dytë dhe kjo betejë të fitohet.
“Vendimi i sotëm me dënim është i papranueshëm, i padrejtë. UÇK-ja bëri luftë të drejtë çlirimtare. Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, duhet të fitohet në shkallën e dytë. Jo në emrin tim, jo në emër të popullit të Kosovës vendim dënues për UÇK-së. Shqiptarë kudo që jeni, për Kosovën dhanë jetën njerëzit më të çmuar të kombit tonë. Nuk kemi atdhe tjetër. S’kemi vend tjetër. Ju ndihmojmë armiqve nëse dëmtojmë pronën e Kosovës, jetën e njerëzve tonë. Nëse e shkatërrojmë Kosovën, i ndihmojmë armiqve. Do t’i mundim armiqtë të bashkuar”, ka thënë Haradinaj.
Qytetarët reagojnë: Jo në emrin tim
Pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënim ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, qytetarë të shumtë kanë kundërshtuar aktgjykimin me thirrje të ndryshme.
“Jo në emrin tim” është thirrja me të cilën qytetarët po reagojnë ndaj vendimit sikurse gjatë tubimeve ashtu edhe rrjete sociale.
Reagimet janë shoqëruar me fotografi të Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, të cilët sot u dënuan nga Specialja për krime lufte.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Familja e Thaçit: E presim Apelin
Vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, Ganiu ka thënë se familja pret që Apeli ta përmbysë vendimin e Gjykatës Speciale me 25 vjet burgim për krime lufte.
“E presim Apelin”, ka thënë ai tek ka dalë nga shtëpia.
“Jemi të bindur në pafajësi”, ka shtuar Gani Thaçi.
Vëllai i Jakup Krasniqit: U dënuan vetëm për fjalë
Avdyl Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit ka thënë se katërshja e UÇK-së është dënuar vetëm për fjalë.
Ai e ka quajtur të pakuptimtë dënimin e Speciales.
Ka thënë se ky vendim është tërësisht i paarsyeshëm.
“Dikush tjetër po vendos në emër të popullit të Kosovës. Shpresojmë një shkallë tjetër e shqyrton më arsyeshëm”, ka thënë ai.
Konjufca: Gjykim i tmerrshëm për Kosovën, do të jetë dëm i madh për shtetin
Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë se dënimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së është gjykim i tmerrshëm për Kosovës ndërsa do të jetë dëm i madh për shtetin dhe narracionin tonë.
“Gjykim i tmerrshëm për Kosovën, për luftën tonë çlirimtare. Kosova e ka përjetuar vetë luftën, e dimë çka është lufta e UÇK-së dhe ne e dimë që nuk ka pas far mekanizmi kriminal për me cenu asnjë popullatë. Është vendim i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar. Vërtet është diçka për të cilën do të jetë dëm shumë i madh, edhe për narracionin tonë, edhe për shtetin e Kosovës. Kur po më kujtohet që aktakuzën e kanë pas Serbi, që janë dënuar 15 vjet në mungesë e kjo gjykatë kinse në emër të popullit me këto dënime drakonike”, ka thënë Konjfuca pasi doli nga salla në Hagë.
Gucati: Specialja arriti t’i kënaqë Serbinë e Rusinë
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se dënimet janë të papranueshme.
Ka thënë se Gjykata Speciale arriti ta kënaqë Serbinë dhe Rusinë.
“Shpresa është dhe ne do t’i drejtohemi Apelit”, ka thënë ai.
Rexhep Selimi dënohet me 13 vjet burgim
Rexhep Selimi është dënuar me burgim të njehsuar me 13 vjet burgim për krime lufte.
Rama pas vendimit të Speciales: Marre
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka dënuar vendimin e Gjykatës Speciale që dënoi ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rama ka postuar një foto, ku shkruan: “Marre”.
Kadri Veseli dënohet me 18 vjet burgim
Kadri Veseli është dënuar më 18 vjet burgim.
Gjykatësi Charles Smith ka thënë se pas shqyrtimit të të gjitha provave Veseli është shpallur fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm dhe arbitrar kryer kundër së paku kundër 385 personave. Për krim lufte kryer kundër 49 personave, torturë kryer kundër së paku 303 personave dhe vrasje të paligjshme si krim lufte kryer kundër së pak 96 personave.
Gjykata ka shqiptuar 10 vjet burgim për arrestim dhe ndalim të paligjshëm, 3 vjet burgim për krime lufte keqtrajtimi njerëzor dhe 13 vjet burgim për krimin e luftës torturës 6 vjet burgim për vrasje të paligjshme.
25 vjet burgim për Jakup Krasniqin
Jakup Krasniqi është dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, për krime lufte.
Trupi gjykues e ka shpallur të fajshëm për trajtim dhe arrestim të paligjshëm kundër së paku 305 personave, për trajtim mizor si krim lufte kundër së paku 49 personave, torturë dhe vrasje të paligjshme kundër së paku 96 personave.
Koha e kaluar në paraburgim, sipas trupit gjykues do të llogaritet në dënim.
Specialja dënon Thaçin me 25 vjet burgim
Gjykata Speciale e ka dënuar ish-presidentin Hashim Thaçi me 25 burgim për krime lufte.
Thaçi u dënua për arrestime të paligjshme, për trajtim mizor, torturë dhe vrasje.