Që në fillim të nisjes së punës “Prishtina Parking” nuk u prit fare mirë nga qytetarët.
Pas ankesave të shumta, dy vjet pas fillimit të funksionimit të saj, Komuna e Prishtinës u detyrua të bëjë ndryshime në rregulloren e ndërmarrjes “Prishtina Parking”.
Por edhe pas kësaj funksionimi i “Prishtina Parking” po del të jetë i kundërligjshëm.
Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka 3 muaj që ka dalë me gjetjet se “Prishtina Parking” po i tejkalon kompetencat në menaxhimin e hapësirave publike.
Liridon Salihi, nga kjo organizatë, thotë se me gjithë pritjen ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Komuna e Prishtinës.
“Me 5 prill 2024 ka parashtruar kërkesë në Komunën e Prishtinës me qëllim që të bëhet plotësim-ndryshimi i rregullores së ‘Prishtina Parking’. Meqenëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj dhe Kuvendi i kryeqytetit nuk ka ndërmarrë asnjë hap që ta shtyjë më tutje këtë duke e vendosur para asamblistëve”, ka thënë Salihi.
Salihi paralajmëron se nëse nuk ka asnjë reagim nga Komuna, atëherë ata do të ndjekin rrugët ligjore.
“Rregullorja që e rregullon parkingun po vazhdon të operojë pavarësisht që kemi bërë hulumtimin ku tregon parregullsitë e saj. Nuk kemi marrë ende konfirmim nga Komuna e Prishtinës nëse është shqyrtuar kjo kërkesë. Si GLPS ne e kemi theksuar në kërkesën e parashtruar ndaj Komunës, nëse ata nuk i ndryshojnë këto legjislacione ne do të ndjekim edhe rrugët ligjore”, ka shtuar ai.
Por kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk është fare në dijeni të kësaj kërkese.
Sipas tij, të gjithë qytetarët mund t’i përdorin procedurat ligjore për të gjitha ankesat që kanë.
Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, disa nga mangësitë ligjore të “Prishtina Parking” janë: tejkalimi i kompetencave të NPL “Prishtina Parking” në menaxhimin e hapësirave publike jashtë parkingjeve publike; kundërligjshmëria e mandatit të NPL “Prishtina Parking” për vendosjen e bllokadave dhe konfiskimin e veturave; Mungesa e përcaktimit të gjobave të kundërvajtjes në qëllimin e Rregullores; Mungesa e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara në vendparkingjet publike; Mungesa e çmimores për parkingjet private dhe për Zonën 3;) Mungesa e shtojcës për dimensionet e vendparkingjeve, shenjëzimi, mënyra e parkimit..., dhe shtojca jo e plotë e çmimores dhe kategorizimit të çmimeve etj.