Prej së mërkurës pritet të nisë zbatimi i plotë i Rregullores mbi të cilën funksionon “Prishtina Parking”, ndonëse nëntë nene të saj u shfuqizuan nga Gjykata Supreme në prill të këtij viti. Komuna thotë se Rregullorja mbetet e njëjtë dhe vetëm aktivitetet janë përshtatur me aktgjykimin, ndërsa opozita dhe GLPS-ja insistojnë se pa ndryshime të reja nëpërmjet Kuvendit, zbatimi i saj mbetet i paligjshëm
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se prej së mërkurës hyn në fuqi dhe fillon zbatimi i plotë i Rregullores për rregullimin e parkingjeve në kryeqytet, akt legjislativ mbi të cilin funksionon ndërmarrja “Prishtina Parking”.
Nëntë nene të kësaj rregulloreje i ka shfuqizuar Gjykata Supreme në prill të këtij viti, pas padisë së organizatës GLPS.
Ndër nenet e shfuqizuara ishin ato të cilat rregullonin mënyrën e pagesës për shfrytëzim parkingu dhe gjobat e masat ndëshkuese të cilat mund t’i vendosnin punëtorët e ndërmarrjes në rast mospagese apo të vonimit.
Nga ky aktgjykim i Supremes, ndërmarrja u gjymtua për shkak se nuk mund të arkëtonte mjete nga parkingjet.
Në Komunën e Prishtinës thanë se Rregullorja nuk është ndryshuar, por janë përshtatur aktivitetet në linjë me aktgjykimin e Supremes.
Edhe
Rama: Nga e mërkura rikthehen pagesat për parkingje në Prishtinë
“Në fakt nuk është ndryshuar Rregullorja, ne vetëm i kemi përshtatur aktivitetet që janë rrjedhojë e një vendimi të Gjykatës Supreme në lidhje me Rregulloren për parkingje... Tash, prej nesër, këtë kompetencë, të shqiptimit të gjobës, por jo të vënies së bllokadës, e ushtron Inspektorati si organ kompetent në kuadër të nivelit komunal për shqiptim të gjobave”, ka thënë Bekim Brestovci, drejtor i Inspektoratit.
Brestovci tha se nuk ka nevojë për miratim në Kuvendin Komunal, sepse rregullorja mbetet e njëjta dhe se nuk është bërë plotësim-ndryshimi i saj.
Megjithatë theksoi se do të respektojnë të gjitha gjetjet e Supremes, e nenet e shfuqizuara nuk do të zbatohen, përfshirë këtu vendosjen e bllokadave në rrotat e makinave.
Ndaj këtij njoftimi të Komunës ka reaguar shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në kryeqytet, Gëzim Sveçla, i cili tha se ekzekutivi i Ramës po vepron në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
“Aktivizimi i gjobave dhe masave ndëshkuese nga ‘Prishtina Parking’, pa plotësim-ndryshim të Rregullores nga Kuvendi Komunal, është i jashtëligjshëm. Që nga muaji maj, kur Gjykata Supreme ka rrëzuar disa dispozita të Rregullores, ekzekutivi i Prishtinës ka pasur kohë të mjaftueshme që ta sjellë në Kuvend ndryshimin e saj. Por nuk e ka bërë”, ka thënë Sveçla.
Edhe Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike që funksionon në kuadër të GLPS-së, padia e së cilës çoi në shfuqizimin e neneve të Rregullores së “Prishtina Parkingut”, në një reagim në Facebook ka thënë se Rregullorja duhet t’i nënshtrohet plotësim-ndryshimit për t’u zbatuar.
“Funksionimi i plotë i menaxhimit të parkingjeve publike në kryeqytet nuk mund të bëhet pa plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës. Procedurës së plotësimit dhe ndryshimit të Rregullores duhet t’i paraprijnë konsultimi publik dhe respektimi i procedurave ligjore për miratim, shqyrtim të ligjshmërisë dhe hyrjes në fuqi”, thuhet në reagimin e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike.
Rregullorja mbi të cilën funksionon “Prishtina Parking” hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2023 pas miratimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Edhe
Komuna e Prishtinës nuk heq dorë nga gjobat e kundërligjshme
Në mars të këtij viti, GLPS-ja dorëzoi padi në Supreme për shfuqizimin e kësaj rregulloreje duke u bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative.
Në prill Supremja mori vendimin, i cili hyri në fuqi në maj, ku shfuqizoi nëntë nene të kësaj rregulloreje.