Kryetari i Komunës së Prishtinës ka njoftuar se është rikthyer funksionaliteti i plotë i “Prishtina Parkingut”.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Supreme, nga nesër hyn në fuqi dhe fillon zbatimi i plotë i Rregullores për Rregullimin e Parkingjeve në Kryeqytet.
“Njoftojmë qytetarët se shfrytëzimi i parkingjeve publike të menaxhuara nga ‘Prishtina Parking’ bëhet me pagesë, sipas tarifave zyrtare. Çdo parkim pa pagesë sanksionohet me gjoba dhe masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar ai.
Tutje ka shtuar se Prishtina është qytet ku hapësira publike u shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë.
Lidhur me këtë vendim ka njoftuar edhe faqja zyrtare e Komunës së Prishtinës.
As Rama e as Komuna e Prishtinës nuk kanë dhënë detaje të tjera se si do të funksionojë “Prishtina Parking” nga nesër.
Gjykata Supreme në muajin maj i pati shfuqizuar nëntë dispozita të Rregullores mbi të cilën funksionon ndërmarrja publike “Prishtina Parking”, duke konstatuar se ajo ka ushtruar kompetenca në kundërshtim me ligjin dhe me Kushtetutën. Të jashtëligjshme ishin cilësuar edhe bllokimi i automjeteve dhe ndëshkimi i pronarëve.
Ndaj atij vendimi të Supremes nuk lejohej ankesa.

CSL: Funksionimi i parkingjeve s’mund të bëhet pa plotësim-ndryshimin e Rregullores
Qendra për raste gjyqësore strategjike (CSL), platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë se funksionimi i plotë i menaxhimit të parkingjeve publike në Prishtinë s’mund të bëhet pa plotësim-ndryshimin e Rregullores.
“Ndryshimi dhe plotësimi i Rregullores duhet të bëhet konform Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës P.A.Nr.02/2025, i datës 16 prill 2025; Procedurës së plotësimit dhe ndryshimit të Rregullores duhet t’i paraprijë konsultimi publik dhe respektimi i procedurave ligjore për miratim, shqyrtim të ligjshmërisë dhe hyrjes në fuqi.”, thuhet tutje në reagimin e tyre.
Në mars të këtij viti, pikërisht Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dorëzoi në Gjykatën Supreme padinë për shfuqizimin dhe ndalimin e efekteve juridike të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, e njohur në publik si Rregullorja e Prishtina Parkingut.
Sipas kësaj qendre, dispozitat e kontestuara me këtë padi i japin mandat “Prishtina Parkingut” për bllokimin, zhvendosjen dhe konfiskimin e veturave për shkak të mospagesës së tarifës së parkingut, e gjithashtu të menaxhojë edhe me hapësirat që nuk janë të destinuara për parkingje të tilla si: ishujt, oazat gjelbëruese si dhe trotuaret përreth parkingut etj.
Pas kësaj kërkesëpadie, Gjykata Supreme në muajin maj mori vendim që të shfuqizojë pjesërisht Rregulloren për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës.
E të martën, kryetari Përparim Rama dhe faqja e kryeqytetit në Facebook, pa ofruar detaje, kanë thënë se nga nesër hyn në fuqi zbatimi i plotë i Rregullores për rregullimin e parkingjeve në kryeqytet.
VV-ja e quan të jashtëligjshëm aktivizimin e gjobave dhe masave ndëshkuese nga “Prishtina Parking”
Shefi i anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka reaguar ndaj njoftimit të Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Përparim Rama, për rikthim të funksionalitetit të plotë i “Prishtina Parkingut”.
Ai ka thënë se aktivizimi i gjobave dhe masave ndëshkuese nga “Prishtina Parking”, pa plotësim/ndryshim të Rregullores nga Kuvendi i Prishtinës është i jashtëligjshëm.
“Që nga muaji maj, kur Gjykata Supreme ka rrëzuar disa dispozita të Rregullores, ekzekutivi i Prishtinës ka pasur kohë të mjaftueshme që ta sjellë në Kuvend ndryshimin e saj. Por nuk e ka barë. Çdo gjobë e shqiptuar në këtë periudhë është e kontestueshme dhe e cenon drejtpërdrejtë parimin e legalitetit”, ka shkruar Sevçla në një koment në njoftimin e Komunës së Prishtinës për këtë çështje në Facebook.
Sipas tij përgjegjësia bie mbi ekzekutivin, që sipas tij, “po vepron pa bazë ligjore dhe në kundërshtim më vendimin e gjykatës më të lartë në vend”.