Çlirim Haziri nga platforma “Jo në emrin tim” ka paralajmëruar se protesta nuk do të ndalet nëse nuk zgjidhet sot çështja e presidentit me ç’rast vendi do të shkonte në zgjedhje.
Haziri me të nisur protesta në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, ka thënë se nuk do të lejojnë që të ketë fushatë e as tubime të zakonshme po që se uk arrihet marrëveshje për presidentin.
“Sot është dita e fundit, është ora e fundit, prandaj sot nga ky shesh ju drejtohem deputetëve që janë aty brenda, kanë mbetur edhe pak orë, po ju lutemi të bëheni bashkë e të gjeni forcën të jeni njerëz para se të jeni numra partie. Mos e shkelni gjakun e Zahir Pajazitit, mos e shkelni gjakun e Fehmi Lladrovcit, Luan Haradinajt, familjes Jashari, mos e shkelni gjakun e dëshmorëve por votojeni atë ligj. Nëse ju sot e zgjidhni heshtjen, nëse ju sot e dërgoni vendin në zgjedhje vetëm për ta lënë të pambrojtur UÇK-në, atëherë dijeni se kjo protestë nuk përfundon sot, nëse e rrëzoni këtë ligj ne do t’ju ndjekim këmba-këmbës. Nuk do të ketë fushatë e as tubime për ju. Kjo masë do t’ju ndjek si hije”, ka thënë Haziri.
Ai më tej ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, për dhunë ndaj protestuesve nëpërmjet Policisë.
“Dita e djeshme zbuloi fytyrën e vërtetë të këtij pushteti, dje ra edhe perdja e fundit. Rinia e këtij vendi hodhi fishekzjarrë në shenjë proteste, por mori përgjigje shkopin e pushtetit. Me urdhër të Albin Kurtit e Xhelal Sveclës dje u gjakosën sheshet e Prishtinës, u rrahën qytetarët, u goditën familjarët e dëshmorëve, por më e dhimbshmja, u rrahën pamëshirshëm veteranët e UÇK-së. U gjakosën luftëtarët e lirisë, sepse dolën në këtë shesh dhe thanë UÇK. Dje Albini e Xhelali kthyen forcat e rendit në një mjet qorr, në një shkop gome për të mbrojtur pazaret e tyre me gjakun e UÇK-së. Por sot unë dua t’iu drejtohem atyre policëve shqiptarë që dje u detyruan të ngrenë dorë mbi çlirimtarët: Ne kemi marrë vesh se çfarë presioni po ju bën kjo qeveri”, ka thënë ai.
E përfaqësues të tjerë të kësaj platforme kanë thënë se do të protestojnë para Kuvendit derisa të thirret seanca për kalimin e Projektligjit në lexim të dytë.
LIVE: Dita vendimtare për presidentin, tensione për Specialen
-
Edhe nata e 17-të e protestës me kërkesën për miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen
-
“Jo në emrin tim” thërret protestë për orën 12:00 – “Ligji për UÇK-në duhet të kalojë sot”
-
OVL UÇK – protestuesve: Mëngjesi duhet të na gjejë në shesh
-
Haziri i drejtohet zyrtarëve policorë: Po i nënshtroheni Albin Kurtit
-
Çlirim Haziri fton qytetarët para Kuvendit: Sot s’ka vend për heshtje