Presidentes Justina Shiroka-Pula i është kërkuar ta dekretojë ose ta kthejë në Kuvend Ligjin e ndryshuar për Gjykatën Speciale. Udhëheqësi i iniciativës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se presidentja duhet të veprojë sa më shpejt. E në zyrën e Shiroka-Pulës nuk janë përgjigjur se si do të veprojnë me Ligjin
Platforma “Jo në emrin tim” ka kërkuar të hënën veprimin e presidentes kundrejt Ligjit për Gjykatën Speciale.
Çlirim Haziri, njëri nga prijësit e iniciativës që kundërshton vendimin e Speciales për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së i është drejtuar me kërkesë presidentes Justina Shiroka-Pula, që sa më parë të marrë vendim lidhur me Ligjin e miratuar para dy javësh.
“Pra, presidentja që u zgjodh nën brohoritjet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duhet ta bëjë punën e saj. Ajo duhet ta shqyrtojë Ligjin, ta vlerësojë nëse ka nevojë të dërgohet në rishqyrtim apo duhet ta dekretojë menjëherë. Qeveria që krijoi një komision për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së duhet ta fillojë menjëherë punën, sepse përgjegjësia shtetërore nuk përfundon me një deklaratë apo me një votim apo nuk do të përfundonte as me krijimin e një komisioni”, ka thënë Haziri.Haziri ka thënë se UÇK-ja ka nevojë për një ligj kushtetues, të zbatueshëm e në përputhje me standardet evropiane, që i qëndron kohës dhe prodhon rezultate konkrete.
Ai ka përshëndetur edhe vendimin e Qeverisë për formimin e Grupit Punues që do të hartojë strategji në ndihmë të mbrojtjes për procedurat në fazën e apelit.
Platforma “Jo në emrin tim” organizoi protesta për 21 ditë, kryesisht në sheshet e Prishtinës, pas vendimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi me 81 vjet burgim.
Protestat përfunduan më 6 tetor, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike arritën ujdi që t’i votojnë ndryshimet në Ligjin për Specialen dhe ta zgjedhin presidentin.
Akti i sponsorizuar nga PDK-ja parasheh që gjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, në shkallën e tretë të bartet në Kosovë.
E sipas Hazirit, elementi më i rëndësishëm i Ligjit është mundësia e monitorimit të procesit gjyqësor, pasi sipas tij, ecuria e rastit është përcjellë më shkelje të shumta.
Ai ka thënë se një gjykim i drejtë, përpos që i ndihmon të akuzuarve, i shërben edhe viktimave.
"Edhe viktimat kanë të drejtë e duhet ta dinë të vërtetën. Jo një të vërtetë të supozuar. Jo një rrëfim të ndërtuar mbi pretendime të pavërteta, por të vërtetën që provohet me fakte e me prova. Nuk mund t'u ofrohet viktimave një gënjeshtër në emër të së vërtetës dhe të quhet drejtësi. Drejtësia për të akuzuarit dhe drejtësia për viktimat nuk janë dy kauza të ndara apo kauza kundërshtare. Ato janë kauza të përbashkëta që të takohen në një pikë tek e vërteta", ka thënë ai.
Që nga e mërkura e javës që shkoi, kryekuvendarja Albulena Haxhiu e ka proceduar Ligjin e ndryshuar në zyrën e Justina Shiroka-Pulës, e cila ka tetë ditë kohë ta dekretojë.
Megjithatë, presidentja ka tagër që Ligjin t’ia kthejë edhe njëherë kuvendit për rishqyrtim. E në rast se kalojnë tetë ditë dhe nuk merr kurrfarë veprimi, Ligji hyn në fuqi pa “bekimin” e kreut të shtetit.
KOHA ka dërguar pyetje në adresën e presidentes se kur do të marrë vendim lidhur me aktin e miratuar në parlament, por nuk ka marrë përgjigje.