Presidentja Justina Shiroka-Pula ka qenë e gatshme që të dekretojë ndryshimet në Ligjin për Specialen, po qe se PDK-ja nuk do të kërkonte kthimin mbrapa për rishqyrtim të tij. Në vendimin që e ka siguruar KOHA, presidentja Shiroka-Pula nuk ka paraqitur asnjë arsye tjetër që çoi në vendimin e saj për kthimin në rishqyrtim të Ligjit
Presidentja Justina Shiroka-Pula, në një faqe, e ka përmbledhur arsyetimin e saj për të kthyer në rishqyrtim Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Në vendimin që KOHA ka siguruar nga Zyra e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, presidentja nuk ka paraqitur asnjë vlerësim të saj, përveç kërkesës së PDK-së, për kthimin mbrapa të këtij Ligji. Madje, ajo ka thënë se ka qenë e gatshme që ta dekretojë atë.
“Në këtë kontekst, kam marrë parasysh edhe Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të datës 28 shtator 2026 (nr. 11De-001), duke mbështetur qëndrimin e shprehur në të, kundër çdo përpjekjeje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës së saj apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”, thuhet në vendimin e presidentes.
Por, sipas presidentes Shiroka-Pula, gjatë diskutimeve që ka zhvilluar për bashkërendim të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike, ka pranuar propozimin e grupit parlamentar të PDK-së që ligji të rishqyrtohet.
“Në vijim të këtyre konsultimeve dhe takimeve, më 22 tetor 2026 kam pranuar edhe propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i Ligjit, për t`i dhënë Kuvendit të Republikës së Kosovës mundësinë që ta rishqyrtojë Ligjin nr.11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me qëllim të shqyrtimit të mëtejshëm të dispozitave të tij, veçanërisht të atyre që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”, theksohet në arsyetimin e Shiroka-Pulës.
Sipas kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, në shkresën e dërguar nga presidentja nuk është identifikuar ndonjë çështje për kthimin në rishqyrtim të Ligjit.
“Unë kam përmendur që sipas gjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe sipas rregullores së Kuvendit, kjo është veto e presidentes. Dhe në këtë rast, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të votojë për apo kundër. Pra, roli i Kuvendit në këtë pikë, është a do të ketë plotësim ndryshim të Ligjit apo nuk do të ketë”, ka theksuar Haxhiu.
Sqarime se si duhet të procedohet me Ligjit, pas rikthimit në shqyrtim, thanë se kanë kërkuar nga Aleanca.
Shefi i grupit parlamentar, Besnik Tahiri, tha se nuk kanë marrë asnjë sqarim nga Zyra Ligjore e Komisionit për Legjislacion.
“Koha po kalon, veprimi i shtetit nuk po ndodh ende, nuk është takuar Komisioni Shtetëror, ende nuk ka veprime konkrete të cilat duhet të merren. Aleanca këto çështje do t’i përcjellë për shkak se ka qenë në mbështetje të këtij Ligji, pa asnjë kusht”, ka thënë Tahiri.
Ndryshimi i Ligjit për Specialen është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, rreth dy javë pasi Gjykata dënoi me 81 vjet burgim katër ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Kërkesa e PDK-së për rishqyrtimin e tij para dekretimit nga presidentja nuk u përkrah nga të gjithë deputetët e saj.