Presidentja Justina Shiroka-Pula ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ndryshimet në Ligjin për Specialen, me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës.
PDK-ja më herët gjatë ditës njoftoi se ka kërkuar nga presidentja kthimin e Ligjit për rishqyrtim, me qëllim të adresimit të elementeve që mund ta pengojnë zbatimin e ligjit.
Njoftimi i Presidencës thekson se PDK-ja ka kërkuar rishqyrtim të ligjit, veçanërisht të dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës Speciale.
“Gjatë ditës së sotme, Presidentja ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit, për t'i dhënë Kuvendit mundësinë e rishqyrtimit të tij, veçanërisht të dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Në arsyetim, Shiroka-Pula ka theksuar sakrificën, angazhimin e kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për liri dhe pavarësi. Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen e saj për Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Presidentja ka ritheksuar qëndrimin kundër çdo përpjekjeje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
Po ashtu, në arsyetim të vendimit, presidentja ka thënë se po vazhdon konsultime me përfaqësues institucionesh për të bashkërenduar veprimet ndërinstitucionale e diplomatike për dokumentim, mbrojtje e afirmim të së vërtetës historike të luftës çlirimtare dhe të rolit të UÇK-së dhe për mbrojtjen e udhëheqësve që u dënuan me 81 vjet burgim.
Orë më parë, PDK-ja në një njoftim publik bëri të ditur se ka kërkuar rikthimin e ndryshimeve në Ligj për rishqyrtim në Kuvend. Në një komunikatë për media nga PDK-ja u tha se në rishqyrtim synohet adresimi i elementeve që mund ta pengojnë zbatimin e ligjit.
“Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”, thuhej në komunikatën e PDK-së.
Në komunikatë, PDK-ja u shpreh shprehur krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ka marrë.
“Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme. Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhet tutje në komunikatë.
PDK-ja ka ftuar ekspertë dhe Avokatin e Popullit që t’i paraqesin propozimet konkrete.
Kjo parti ka thënë se “gatishmëria për ta përmirësuar ligjin s’është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij”.
“PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu PDK-ja ka thënë se po punon për strategji të koordinuar shtetërore për apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen për mbrojtjen e katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin së bashku”, thuhet në reagim.
Më 6 tetor, Kuvendi miratoi ndryshime në Ligjin për Specialen, me nismën e PDK-së. Qëllimi i ligjit qe kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale në kohë, territor e në lëndë.
Kuvendi e mori vendimin pas dënimit të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi me 81 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.
Deri në momentin e miratimit para institucioneve pati protesta për disa ditë.
Abdixhiku kritikon PDK-në: Lufta e UÇK-së mbrohet me punë dhe me mend
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrohet me punë dhe me mend dhe jo me mënyrën siç është bërë me ndryshimet në Ligj për Specialen dhe kërkesën e PDK-së për rikthim për rishqyrtim të ligjit.
“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini? Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!” ka shkruar ai në Facebook. “LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës. Mbështetësve tanë u themi qëndroni gjithmonë krenarë! Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish! Sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën. Veç duhet kohë. Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu”.
Haradinaj: Kthimi i Ligjit për Specialen turp i madh e goditje e rëndë për Kosovën
Deputeti i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është turp i madh që është kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligji për Dhomat e Specializuara.
Ai ka thënë se kjo është goditje për Kosovën.
“Kthimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend është një turp i madh dhe goditje e rëndë për Kosovën. Të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj loje, turpi i mbuloftë për jetë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës.