Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se deputetët e Kuvendit duhet t’i japin edhe formalisht një përgjigje ndryshimeve ligjore në Ligjin për Gjykatën Speciale, të kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula me kërkesë të vetë iniciuesve, Partisë Demokratike të Kosovës.
Nga PDK-ja kanë bërë të ditur se do të ketë ligj të ri për këtë çështje. E në “Konfront” të KTV-së, Bajraktari ka thënë se para se të ndodhë kjo, deputetët duhet t’i japin përgjigje zyrtare ligjit të kthyer.
“Arsyet e kthimit nga ana e presidentes do të duhej të ishin më të detajizuara, por edhe si të tilla s’pati vullnet dhe as gatishmëri për t’i adresuar ato sepse s’ka pasur dhe s’ka pengesa kushtetuese dhe rregullores së punës së Kuvendit për të bërë intervenime. S’pati vullnet. Ishim dëshmitarë të një diskutimi shumë formal në komisionin për legjislacion. Tash me shumë gjasë kjo nismë ka rënë, por vlerësoj se si e tillë duhet të adresohet edhe në kuptimin formal në seancën e Kuvendit në mënyrë që të shihet vullneti i deputetëve. Natyrisht nuk ka efekt juridik. I bie njëfarë nismë e vdekur në kuptim të plotë të fjalës. Por megjithatë vlerësoj se para nisjes formale të nismës së re, kjo duhet të marrë epilog për të parë vullnetin e deputetëve të Kuvendit sepse për ta shmangur veton e presidentes duhen së paku 61 vota për. Nëse i merr 61 vota ky ligj siç me automatizëm publikohet në gazetën zyrtare dhe fillon të prodhojë efekte. Në të kundërtën, në mungesë të këtyre numrave, i bie që edhe në kuptimin formal bie nisma”, ka thënë ai.
Bajraktari ka bërë thirrje që nisma e re të ketë të paktën procesin minimal të konsultimeve, e edhe diskutime me Bashkimin Evropian.
Nisma për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale u ndërmor nga PDK-ja pas dënimit të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Ata janë dënuar në shkallë të parë me 81 vjet burgim gjithsej me pretendimin se kanë kryer krime lufte.