Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Costa me mesazh për Ballkanin Perëndimor: Ne jemi partneri i juaj më i palëkundur

Von Der Leyen - Antonio Costa

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në konferencë për media pas samitit mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se shpeshtësia e takimeve pasqyron intensitetin e angazhimit politik të BE-së në rajon. 

Costa ka thënë se samiti i të mërkurës ka riafirmuar perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian. 

“Mesazhi im për të gjithë partnerët ishte i qartë: ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t'ju çojnë drejt Bashkimit Evropian. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar. Ne bëmë një bilanc të asaj që kemi arritur që nga samiti ynë i suksesshëm në Tivat dhe diskutuam se si ta çojmë integrimin gradual në Bashkimin Evropian në nivelin tjetër.  Qytetarët në të gjithë rajonin po i ndiejnë tashmë përfitimet e kësaj qasjeje dhe ne po shqyrtojmë se si të ecim edhe më tej”, tha Costa. 

Costa ka thënë se progresi i arritur nga Mali i Zi dhe Shqipëria tregon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është iluzion, por një mundësi reale për ata që angazhohen.  

“Këtë vit, ne filluam hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi, një hap që nuk e kishim ndërmarrë prej më shumë se 10 vjetësh. Shqipëria gjithashtu ka filluar t’i mbyllë kapitujt e negociatave. Të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor munden, nëse dëshirojnë, të bëjnë përparim në rrugën e tyre të pranimit. Kjo rrugë drejt Bashkimit Evropian nuk ka të bëjë vetëm me zbatimin e reformave të nevojshme. Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pres me padurim përparim të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe”, tha Costa. 

Ai ka thënë se sfidat e rrënjosura në të kaluarën duhet të kapërcehen dhe të shihet përpara e jo prapa. 

“Vetëm atëherë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor mund të bëjnë përparim të vërtetë dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre si anëtarë të ardhshëm të një Evrope të qëndrueshme, të begatë dhe të bashkuar. Vetë Bashkimi Evropian është një dëshmi e kësaj qasjeje. Ai u ndërtua mbi pajtimin dhe paqen, dhe zgjerimi ka qenë thelbësor për avancimin e këtyre qëllimeve. Partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor mund të mbështeten te Bashkimi Evropian. Ne jemi partneri juaj më i palëkundur dhe do të mbetemi të tillë”, tha Costa. 
 

Lexo përditësimet tjera
Von der Leyen - Kurti - Costa

Liderët rajonalë në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor