Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Rexhepi po dëshmon se Kosova ka të ardhme në sulm

Enis Rexhepi

Enis Rexhepi qëndroi nga dita e parë deri në ditën e fundit të grumbullimit të Kosovës për ndeshjet e Ligës së Kombeve këtë muaj. Talenti 18-vjeçar i Stuttgartit, nuk e fitoi rastin të paraqitet ndaj Izraelit dhe Irlandës. Por rastin mund ta fitojë në mars, kur Kosova do t’i zhvillojë ndeshjet e para të ciklit kualifikues për Evropianin e vitit 2028.

Rexhepi është prej lojtarëve më premtues që ka Kosova në mesin e saj.

Këtë po e dëshmon me golat e tij.

Pak ditë pasi u kthye nga grumbullimi m Kosovën, Rexhepi shënoi dy gola për Stuttgartin U19. 

Të mërkurën e shënoi golin e tretë në fitoren 3:0 të Stuttgartit U19 kundër Interit U19 në “UEFA Youth League”, ndërsa realizoi një gol edhe në fitoren e 21 nëntorit kundër ekipit U19 të Heilbronnit.

Sulmuesi shtatlartë po zhvillohet te Stuttgarti dhe vlerësohet talent i madh.

Goli i realizuar të mërkurën ishte i shtati në “Championsin” për të rinj, ndërsa në total në 21 ndeshje në të gjitha garat ka realizuar 20 gola. Ka edhe dy asistime.

“Enis Rexhepi e çoi epërsinë në 3:0 pas një lëvizjeje të shkëlqyer të sulmuesit”, shkruan në sajtin e Stuttgartit.

Bild po ashtu ka shkruar për golin e Rexhepit dhe festën e tij në stilin e superyllit portugez, Cristiano Ronaldo.

“Në pjesën e dytë, ishte sulmuesi yll, Enis Rexhepi, ai që përfundoi një sulm fantastik që përshkoi thuajse të gjithë gjatësinë e fushës për ta bërë rezultatin 3:0 pas një ore. Kosovari më pas nisi një festë në stilin e Cristiano Ronaldos. Mesazhi: Kaq ishte! Dhe me të vërtetë, Interi krijoi raste të tjera, por nuk arriti të gjente përsëri rrjetën”, shkruan gazeta e madhe gjermane “Bild”.

Aktualisht Kosovën në sulm po e udhëheq Vedat Muriqi, që është bindshëm golashënuesi më i mirë me 33 gola në 73 ndeshje.

Edhe sulmuesi Fisnik Asllani, që luan te Hoffenheimi në Bundesligë, është bërë i rëndësishëm te Kosova. Albion Rrahmani po ashtu është pjesë e Venezias në Serie A.

Por Rexhepi po jep sinjale se përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, duhet të llogarisë në të për të ardhmen.

Vetë Foda ka uruar që lojtarët e Kosovës të jenë në formë sa më të mirë dhe të paraqiten rregullisht në klubet e tyre para ndeshjeve të marsit.

Kosova i mëson më 6 dhjetor kundërshtarët për ciklin e ri kualifikues për “Euro 2028”.

Kosovës së fundmi i janë bashkuar disa lojtarë me të ardhme të ndritur. Lutfi Dalipi është po ashtu një prej tyre që vendosi të luajë për Kosovën, ndërsa më herët ishte paraqitur për të rinjtë e Zvicrës.

Kosova e synon edhe sulmuesin e Bayernit të huazuar tek Augsburgu, Arijon Ibrahimoviq. 

Të tjerë lojtarë pritet të vendosin për Kosovën në të ardhmen.

Një prej tyre që Kosova e synon është Yll Gashi. 

Gashi po luan me shumë sukses te grupmosha U19 e Bayern Munchenit.

Gashi të mërkurën po ashtu shënoi gol në fitoren 3:2 të Bayernit në udhëtim kundër Lillet në “UEFA Youth League”.

Ai e realizoi golin për 2:1. 

Gashi në minutën e 73-të e la fushën për Erblin Osmanin, futbollistin që tashmë ka debutuar për Kosovën A.