Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

E projektuar qe shtatë vjet, hapet pjesa e parë e “Rrugës A”

Përparim Rama

Pas vitesh pritjeje, vonesash dhe ndërprerjesh, pjesa e parë e “Rrugës A” në Prishtinë, e cila tash mban emrin “Jim Xhema”, është hapur sot për qarkullim.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe zyrtarë të tjerë të Komunës së Prishtinës.

Pjesa e përuruar sot është e gjatë 1.5 kilometra dhe përbën fazën e parë të projektit. Në total, sipas projektit, “Rruga A” pritet të shtrihet në rreth 6 kilometra.

Për realizimin e fazës së parë, Komuna e Prishtinës kishte ndarë 9.5 milionë euro. Punimet për këtë fazë nisën në prill të vitit 2023, ndërsa ishte paraparë të përfundonin brenda 240 ditëve. Por projekti u ndërpre shkaku i ankesës së një kompanie me procedurën e prokurimit. Më pas, Gjykata Komerciale lejoi vazhdimin e punimeve në janar të vitit 2024 – vendim të cilin e konfirmoi edhe Gjykata Supreme. 

Projekti i “Rrugës A” për herë të parë ishte planifikuar nga ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në vitin 2019. Madje, Ministria e Infrastrukturës nën drejtimin e Pal Lekajt kishte ndarë dy milionë euro për fazën fillestare të projektit. Por ishte ndërprerë shkaku i ndërrimit të qeverive e problemeve pronësore. 

Rruga është projektuar për të lidhur zona të rëndësishme të kryeqytetit, përfshirë “Kalabrinë”, “Prishtinën e Re”, “Matin” dhe “lagjen e Spitalit”, duke krijuar një alternativë të re për qarkullimin dhe duke synuar shkarkimin e trafikut në rrugët ekzistuese.