Drejtuesi i iniciativës “JO NË EMRIN TIM”, Çlirim Haziri, në konferencën për media të hënën ka kërkuar nga institucionet veprime konkrete dhe angazhim të koordinuar shtetëror lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai i ka bërë thirrje Presidentes që ta shqyrtojë me kujdes dhe përgjegjësi të plotë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili ndodhet në Presidencë.
“Nëse konstatohen dispozita që nuk janë në harmoni me Kushtetutën apo kanë çfarëdo problemi ligjor, kërkojmë që Presidentja ta ushtrojë kompetencën e saj kushtetuese dhe ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim. Nëse ka nevojë, të ndryshohet e të përmirësohet çfarëdo që duhet ndryshuar e përmirësuar”, ka deklaruar Haziri, raportoi EO.
Ai ka theksuar se UÇK-ja ka nevojë për një ligj kushtetues, të zbatueshëm dhe në përputhje me standardet evropiane, që i qëndron kohës dhe prodhon rezultate konkrete.
Një nga pritjet kryesore të iniciativës, sipas Hazirit, është që mundësia e monitorimit të proceseve gjyqësore, përmes bashkëpunimit me institute, universitete dhe ekspertë të drejtësisë, të shndërrohet në një mekanizëm real, të pavarur dhe profesional.
Ky mekanizëm duhet të mundësojë vlerësimin e procedurave, provave dhe respektimit të të drejtave themelore të të akuzuarve, si dhe të prodhojë analiza juridike, raporte profesionale dhe vlerësime të pavarura, të cilat do t’u përcillen edhe institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare.
“Ne nuk kërkojmë drejtësi të privilegjuar për UÇK-në. Kërkojmë drejtësi të drejtë”, ka thënë ai.
Haziri ka përsëritur bindjen në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke theksuar se askush nuk duhet të konsiderohet përfundimisht fajtor pa një vendim të formës së prerë, të mbështetur në prova dhe në një proces të drejtë gjyqësor.
Ai ka deklaruar se iniciativa konsideron që Gjykata Speciale ka bërë shkelje serioze gjatë procesit dhe se vendimi nuk është mbështetur në një vlerësim të drejtë, të paanshëm dhe të plotë të provave. Për këtë arsye, ka kërkuar që këto shkelje të shqyrtohen dhe të vlerësohen nga ekspertë të pavarur, mbi bazën e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Duke folur për të drejtat e viktimave, Haziri ka theksuar se edhe ato kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, të mbështetur në fakte dhe prova.