Arbëri

Fetahu: Themelorja - qasja e ekzaminimi i telefonit pa urdhër gjyqësor janë kundërkushtetuese

Telefoni - rrjete sociale - varesia

Foto: Yui Mok/PA

Avokati Feton Fetahu ka thënë se Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vendosur një standard të ri për privatësinë, duke konstatuar sipas tij, që qasja në telefon dhe ekzaminimi i tij pa urdhër gjyqësor janë kundërkushtetuese. 

Ai ka thënë se të premten kanë pranuar vendimin e Themelore për ankesën e një klienti të tij, me te cilin, sipas Fetahut, shënohet një kthesë vendimtare në mbrojtjen e të drejtës kushtetuese në privatësi.

“Ky vendim është historik në kuptimin e plotë të fjalës. Të tillë nuk e kualifikojmë rastësisht apo vetëm pse është aprovuar kërkesa jonë si avokatë mbrojtës, por për faktin se përmes tij është vendosur një standard i ri, i paparë deri më tani, me të cilin i jepet fund praktikës së gabuar dhe tepër të dëmshme prej më shumë se dy dekadash të prokurorëve të shtetit, të cilët urdhëronin hapjen dhe ekzaminimin e telefonave të personave apo subjekteve të procedurës penale pa leje apo urdhër të gjykatës, në kundërshtim me nenin 36 (3) të Kushtetutës”, ka shkruar Fetahu në Facebook.

Ai ka thënë se norma e shkruar qartë në Kushtetutë, “nga sot (fatkeqësisht vetëm pas 17 vitesh nga miratimi i saj) merr jetë në kuptimin mbi thelbin e saj”. 

“E Drejta e Privatësisë, duke qenë njëra prej të drejtave themelore të njeriut, është e pacenueshme dhe mund të kufizohet përkohësisht, dhe atë vetëm me vendim gjyqësor”, ka shkruar ai. 

Fetahu ka thënë se vendimi është marrë nga trupit gjykues në përbërje të Lutfi Shalës, kryetar, dhe Vesel Ismailit e Rrahman Beqirit, anëtarë. 

Fetahu ka vlerësuar se ky vendim prek secilin, pasi sipas tij, nga sot telefoni i çdo qytetari është i mbrojtur siç ka thënë, nga ndërhyrjet arbitrare. 

“Siguria juridike rritet, shteti i së drejtës forcohet dhe qytetarët marrin garanci reale se privatësia e tyre nuk mund të shkelet sipas dëshirës së një prokurori, i cili në mënyrë kundërkushtetuese jo vetëm ka shkelur të drejtën e privatësisë së personit që ka hetuar, duke i zbuluar të dhëna dhe prova të papranueshme, duke ndërtuar aktakuza mbi bazën e tyre, por mbi të gjitha, ka ushtruar një kompetencë të gjykatës – një tagër që Kushtetuta ia ka njohur vetëm gjykatës dhe jo institucionit të prokurorit”, ka shkruar Fetahu. “Prandaj, është koha që i gjithë sistemi prokurorial të reflektojë dhe të ndërpresë përfundimisht praktikat ku telefonat janë hapur pa vendim gjykate. Vlen të thuhet hapur se dhjetëra, në mos qindra, aktakuza ndër vite janë ndërtuar mbi prova të papranueshme, të nxjerra nga ekzaminime të paautorizuara, e aq më keq, si rezultat i tyre njerëzit janë dënuar dhe kanë përfunduar në burgje. Tani, ky standard i ri detyron sistemin të kthehet në binarët e kushtetutshmërisë”, ka shkruar tutje ai.

Fetahu ka thënë se klienti i tij, ka kaluar më shumë se dy vjet në paraburgim mbi bazën e provave, që ka thënë se të premten janë shpallur të marra në mënyrë të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese.