Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet burgim për të akuzuarin për aksidentin me fatalitet në Prishtinë: Ishte dënuar mbi 100 herë për kundërvajtje në trafik

aktakuze

Foto: EO

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca përfundimtare ndaj të akuzuarit V.G., i cili ngarkohet se në vitin 2023 goditi me veturë për vdekje këmbësorin Ferhat Bejtullahu, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën përfundimtare, prokurori, Ardian Mehmeti, ka kërkuar nga gjykata që të mos i japë besim ekspertizës së angazhuar nga mbrojtja e të pandehurit, duke vlerësuar se ajo është në kundërshtim me provat materiale dhe gjendjen faktike të rastit.

“Gjykatës i propozojmë që ekspertizës të angazhuar nga mbrojtja e të pandehurit, nga eksperti Durak Cikaçi, të mos i japë besimin sepse është në kundërshtim me provat materiale dhe gjendjen faktike të kësaj lënde“, tha ai.

Prokurori ka deklaruar se, sipas tij, në rastin konkret janë plotësuar të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale.

Ai ka kërkuar që gjatë caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit të merren parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese, në përputhje me Kodin Penal.

“Gjykatës gjithashtu i propozojmë që ndaj të pandehurit si rrethanë rënduese të merret edhe sjellja recidiviste ndaj rregullave të trafikut, në të cilën veç më pak se 117 herë deri në kohën e aksidentit ka qenë i dënuar për kundërvajtje në trafik. Edhe me këtë vërtetohet se i pandehuri në vazhdimësi nuk i ka respektuar rregullat e komunikacionit, ka qenë element rreziku dhe pa patentë shofer në ditën kritike”, tha prokurori.

Ndërkaq, si rrethanë lehtësuese, prokurori ka kërkuar të merret parasysh fakti se i pandehuri ka vepruar nga pakujdesia, ndërsa sipas ekspertizës së ekspertit të komunikacionit Ahmet Magjuni, edhe viktima ka kontribuar në shkaktimin e aksidentit.

“Rrethanat lehtësuese: Nga neni 70 paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të merret parasysh se i pandehuri ka vepruar nga pakujdesia dhe, sipas ekspertizës së ekspertit të komunikacionit Ahmet Magjuni, edhe tani i ndjeri ka qenë kontribues në ndodhjen e këtij aksidenti“, tha ai.

Prokuroria ka kërkuar gjithashtu shqiptimin e një dënimi plotësues, përkatësisht ndalimin e drejtimit të automjetit për pesë vjet. Sipas prokurorit, kjo masë është e nevojshme për shkak të pasojës së rëndë të aksidentit dhe historikut të të akuzuarit në raport me rregullat e komunikacionit.

“Kërkojmë nga gjykata që ndaj të akuzuarit të shqiptojë edhe dënimin plotësues nga neni 59 paragrafi 2 lidhur me nenin 60 paragrafi 2 të Kodit Penal, ndalimin e drejtimit të automjetit në kohëzgjatje prej 5 viteve, duke marrë parasysh se nga lëshimet e të pandehurit është shkaktuar pasojë shumë e rëndë e kësaj vepre penale, përkatësisht vdekja e viktimës Ferat Bejtullahu. E duke pasur parasysh se i pandehuri në vazhdimësi nuk i ka respektuar rregullat e komunikacionit, vlerësojmë se kjo masë ndaj tij është e nevojshme për sigurinë e trafikut publik dhe se prania e tij në komunikacion në të ardhmen do të përfaqësonte rrezik për pjesëmarrësit e tjerë në komunikacionin rrugor.”

Prokurori Mehmeti ka thënë se qëndron pranë aktakuzës dhe ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet me burgim efektiv.

“Mbi bazën e të gjitha të cekurave më lart në fjalën përfundimtare, Prokurori i Shtetit qëndron pranë aktakuzës së parashtruar dhe i propozojmë gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit me burgim efektiv“, shtoi prokurori.