Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL është deklaruar rreth moslejimit të monitorimit nga kjo organizatë të përzgjedhjes së kandidatëve për guvernator në Bankën Qendrore të Kosovës. Ajo njoftoi se ky moslejim ka ndodhur pasi monitoruesja nuk ka pranuar ta nënshkruajë një deklaratë konfidencialiteti.
E ftuar të hënën në emisionin “60 Minuta” në KTV, Demolli ka thënë se kjo deklaratë nuk ka bazë ligjore dhe konsideron se është e panevojshme dhe pamundëson punën e tyre të përditshme.
“Ne nuk e nënshkruam një deklaratë të tillë sepse po ta kishim nënshkruar kjo i bie që ne të mos mund të reagonim deri në përfundim të komplet procesit. Pavarësisht nëse do të shihnim gjatë monitorimit tonë ndonjë parregullsi, do ta kishim të pamundur të raportonim derisa të përfundonte procesi. Për ne atëherë do të ishte shumë vonë dhe mendojmë se një deklaratë e tillë do të pengonte punën e organizatave të shoqërisë civile”, ka thënë ajo.
Demolli ka njoftuar se kjo deklaratë është kundërshtuar para dy vjetësh edhe nga dhjetëra organizata të tjera, pasi kanë konsideruar se do të sjellë precedent të keq për institucionet tjera, të cilat sipas saj, do ta shfrytëzonin këtë rast dhe do t’i përjashtonin nga monitorimi i proceseve.
Ajo më tej ka treguar disa pika të cilat ishin renditur në këtë deklaratë.
“Nuk mund të japë asnjë informatë rreth procesit pa u përfunduar i gjithi, ose për të dhënë ndonjë informatë jashtë duhet të marrim leje nga kryesuesi i panelit. Mos të jepen komente në intervista, për shtyp ose media derisa të përfundojë procesi dhe rezultatet të publikohen zyrtarisht, përveç nëse ka leje nga kryesuesi i komisionit”, ka thënë ajo.
Sipas Demollit, është e çuditshme edhe fakti që procesi i intervistave ka filluar në ditën e shtunë, siç ndodhi së fundmi në BQK.
Edhe
Rekrutimi i guvernatorit, BQK: Nënshkrimi i konfidencialitetit u kërkua për t’i mbrojtur politikat
“Është pak çudi që të fillojë procesi i intervistave në ditën e shtunë, sido që të jetë intervistat kanë filluar të shtunën dhe do të jenë edhe dy ditë të tjera, prandaj ne nuk e dimë se çfarë po ndodhë me atë proces. Nuk ke adresë së ku ta adresosh një ankesë në këtë rast, por ky reagim duhet t’i shërbejë të gjitha institucioneve të tjera të pavarura në mënyrë që mos ta kërkojnë një gjë të tillë sepse është pa bazë ligjore”, ka thënë ajo.
Ajo është deklaruar edhe rreth përfshirjes së britanikëve në proceset e rekrutimit, për çka thotë se ndikon në mbarëvajtjen e tyre.
“Ku kanë qenë të përfshirë britanikët ka transparencë, aty ku janë të përfshirë ata po ndërron situata në krahasim me proceset ku janë vetëm Komisioni në nivel të institucionit apo kushdo tjetër”, ka thënë ajo.
-
“Fol”: BQK-ja na ndaloi ta monitoronim procesin e rekrutimit të guvernatorit
-
FOL: Kosova e cenueshme nga korrupsioni, pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare
-
Demolli-Nimani: Duhet rishikuar edhe një herë Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, s’po funksionon si duhet në kontekstin tonë
-
Demolli-Nimani thotë se RTK-ja është kapur