LAJMET E MBRËMJES

FOL: Kosova e cenueshme nga korrupsioni, pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare

Drejtoresha e kësaj organizate, Mexhide Demolli-Nimani, ka thënë se në bazë të gjetjeve, Kosova vazhdon të mbetet e cenueshme nga korrupsioni, pavarësisht mbështetjes së ndërkombëtarëve. E gjyqtari Burim Ademi ka theksuar se ndryshimet e shpeshta ligjore po dëmtojnë koherencën e praktikës gjyqësore

Kosova mbetet e cenueshme nga korrupsioni, pavarësisht mbështetjes së ndërkombëtarëve në dy dekadat e fundit, është njëra nga gjetjet e raportit të publikuar nga Lëvizja FOL të hënën.

Në diskutimin “FOL Hapur”, drejtoresha e kësaj lëvizjeje, Mexhide Demolli-Nimani, ka thënë se përmes këtij raporti është vlerësuar ndikimi i reformave ligjore në efektivitetin e luftës kundër korrupsionit.

“Kosova mbetet ende e cenueshme nga korrupsioni, edhe pse prej më shumë se dy dekadash ka marrë mbështetje të gjerë nga partnerët ndërkombëtarë për të forcuar sistemin e drejtësisë dhe për të rritur llogaridhënien publike. Lëvizja FOL, përmes kësaj analize, ka bërë vlerësimin e ndryshimeve legjislative dhe strukturës organizative (institucionale) në raport me efektivitetin dhe ndikimin e këtyre nismave në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë ajo.

Sipas Demolli-Nimanit, raporti analizon periudhën e dhjetë vjetëve të fundit, i ndarë në dy blloqe kohore 2015-2019 dhe 2020-2024.

Duke u bazuar në gjetjet e këtij raporti, gjyqtari i Supremes, Burim Ademi, ka vlerësuar se ndryshimet e shpeshta ligjore po e dëmtojnë koherencën e praktikës gjyqësore.

“Nuk është bërë hulumtim i mjaftueshëm, kjo krijon probleme të ndërtimit të mirëfilltë që do të krijonte efekt te gjykata për ta zbatuar në mënyrë të drejtë përballë çdo procesi penal. Ka pasur një synim që të vazhdojë me trendet e listës së sanksioneve të legjislacioneve, disa prej çështjeve kanë ndikuar në ngritjen e sanksioneve, e shohim se nuk ka pasur asnjë efekt, qoftë në luftim, qoftë në efekt. Kjo tregon që nuk nevojiten ndryshime të shpeshta të legjislacionit, sepse më shumë e dëmtojmë sesa që ndihmojmë”, ka thënë gjyqtari Ademi. 

E drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka vënë theksin te mungesa e trajtimit të rasteve nga gjykatat. 

“Moskryerja e detyrës kontribuon në korrupsion, lëndët e korrupsionit duhet të kryhen. Ajo çka kemi vërejtur ne fatkeqësisht është e kundërta – nuk janë trajtuar lëndët e agjencisë siç ka qenë më parë te gjykata, nuk është vërejtur ndonjë përshpejtim. E kemi një ligj me qëllim të caktuar, ne kemi pasur edhe më parë sfida, pastaj ligji i ri na ka dhënë më shumë fuqi. Secili subjekt deklarues e ka një afat shtesë për përmirësim të deklarimit të pasurisë”, ka thënë Buleshkaj.

Ndërsa konsulenti Albert Avdiu është shprehur se ndërhyrjet ligjore pas vitit 2020 kanë krijuar infrastrukturë më të saktë, por në praktikë rezultatet po shënohen më ngadalë.