LAJMET E MBRËMJES

Thaçi: Seanca më 28 Nëntor duhej evituar. Befasi jo e mirë për mua dhe çdo shqiptar

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Foto: Associated Press

Për 28 Nëntorin, shqiptarët janë uruar edhe nga ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që prej pesë vjetësh. Urimin ai e ka bërë nga Gjykata Speciale, të cilën e ka akuzuar për caktim të seancës edhe në ditën kur të gjithë shqiptarët festojnë

Befasi jo të mirë për të dhe për shqiptarët, e ka quajtur ish-presidenti Hashim Thaçi seancën e organizuar nga Gjykata Speciale në ditën e 28 Nëntorit.

Në këtë seancë është trajtuar çështja gjyqësore kundër administrimit të drejtësisë ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Në konferencën përgatitore, e cila është mbajtur këtë të premte në Hagë, Thaçi ka shprehur kritikë ndaj gjykatës.

“Si çdo popull, edhe ne shqiptarët i kemi historinë, traditat dhe vlerat kombëtare e shtetërore. Mendoj se caktimi i kësaj seance, pikërisht sot më 28 Nëntor, do të duhej evituar. Mbajtja e kësaj seance, pikërisht sot më 28 Nëntor, për mua dhe çdo shqiptar është befasi jo e mirë. I nderuari gjyqtar, sot çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare, sepse është festa e dinjitetit dhe e krenarisë kombëtare, ku si çdo popull i lirë në botë, feston dhe kujton”, ka theksuar ai.

Gjatë seancës, Thaçi i ka uruar shqiptarët për 28 Nëntorin.

“Sot çdo familje shqiptare dhe institucion i Kosovës, edhe kujton, edhe feston. Prandaj, mua nuk më mbetet tjetër veç të uroj shqiptarët për festën e 28 Nëntorit. Të festojnë të bashkuar, krenarë dhe me dinjitet. Besoj që nëntorët e tjerë t’i festojmë bashkërisht”, është shprehu Thaçi gjatë konferencës përgatitore.

Pas deklarimit, gjyqtari ka thënë se për caktimin e seancës ka pasur pajtime mes palëve, përfshirë edhe mbrojtjen.

Fillimisht, gjatë prezantimit të parashtrimeve, gjyqtari Christoph Gosnell ka thënë se Prokuroria ka propozuar që dëshmitarët të dëgjohen në shkurt të vitit të ardhshëm.

“Prokuroria ka paraqitur çështjen e tyre pra, provat kryesore. Mendojnë se nuk do të zgjasin më shumë se dy javë për të paraqitur gjithë provat e tyre dhe propozon që të gjithë dëshmitarët të dëgjohen në mënyrë të njëpasnjëshme në fillim të shkurtit”, ka thënë gjyqtari Gosnell.

E prokurori, Joshua Hafetz, ka theksuar se hetimet për këtë çështje gjyqësore janë në përfundim e sipër.

“E kam shumë të qartë që materialin do ta kemi në mes të janarit. Mbase mund ta ngushtojmë edhe më tepër punën e palës së jashtme. Ajo që ka kuptim bazuar në parashtrimet e palëve është që të kuptojmë provat që kemi dhe të kuptojmë se ajo që sugjerojmë është në mes apo në fund të shkurtit”, është shprehur ai.

Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Vitin e kaluar, atij i është ngritur aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me këtë rast, Smakaj, Fazliu dhe Kilaj janë arrestuar më 5 dhjetor të 2024-tës në Kosovë dhe një ditë më vonë janë transferuar në objektin e paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Thaçit fletarrestimi i është dorëzuar në objektin e paraburgimit. E Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila është mbajtur më 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe nëpërmjet veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në këto përpjekje nëpërmjet vizitave në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ka qenë i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, atyre Smakaj dhe Kilaj janë koordinuar për të ndikuar në dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor të 2023-tës.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërsa Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës. E, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.