Kulturë

“Si ta doni” më e mira në “Moisiu” që bashkon teatrin shqiptar

Festivali “Moisiu”

Festivali i teatrit shqiptar “Moisiu” me edicionin në Prishtinë ka mbyllur ciklin e synuar që prej fillimit, e ceremonia e ndarjes së çmimeve ka qenë festë. Në prapaskenë ka një anulim të vjetëm, dhe telashet infrastrukturore me improvizime në Sallën e Kuqe. Shfaqja më e mirë e festivalit është shpallur “Si ta doni” e Shakespeareit, nën regji të amerikanit John Blondell, produksion i Teatrit Kombëtar të Tiranës, por përtej çmimeve, “Moisiu” bashkon teatrin shqiptar e një kërkesë që del prej tij është jetëgjatësia e shfaqjeve në skenë, njashtu sikurse edhe e këtij festivali si platformë për ta bërë këtë

“Mosiu” si festival relativisht i ri, tashmë është kthyer në një lloj feste për teatrot publike shqiptare. Bashkimi i disa shfaqjeve nga qytete të ndryshme – kësaj radhe nga katër shtete ku jetojnë shqiptarët – përtej një peshimi të cilësisë së asaj që prodhojnë këto institucione sot, bën bashkë ansamblet, regjisorët, drejtuesit e teatrove e këdo tjetër që merret me këtë zanat. Sivjet në Prishtinë në një edicion të vonuar – që është dashur të mbahej vjet, por greva e aktorëve të Tetarit Kombëtar të Kosovës e bëri të veten – përtej vlerësimeve nga juria, diskutimet e çmimi i kritikës, bashkë me mesazhet për rrugën që bëjnë shfaqjet kanë përmbyllur edicionin e tretë të festivalit të teatrit shqiptar, “Moisiu”.

Shfaqja më e mirë e festivalit është shpallur “Si ta doni” e Shakespeareit, nën regji të amerikanit John Blondell, produksion i Teatrit Kombëtar të Tiranës. Të nominuara ishin edhe “Babai” nën regji të Erson Zymberit, prodhim i teatrit kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë dhe “Martesa” nën regji të Norbert Rakowskit, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Juria e përbërë nga regjisorja e aktorja Drita Kaba-Karaga si dhe aktorët Arben Bajraktaraj, Arben Derhemi e Helidon Fino me unanimitet ka vendosur që shfaqja që përmbys rregullat e dashurisë konvencionale të shpallet më e mira.

Me kushedi sa improvizime e duke dhënë shfaqje në Sallën e Kuqe e atë që tashmë është Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë pasi ndërtesa e institucionit është në renovim, “Moisiu” qe festë e teatrit shqiptar që kulmoi edhe me ndarjen e çmimeve

Perfeksioni midis mendimit dhe emocionit

“Me këtë vepër madhore vjen një realizim dhe harmoni me të gjithë komponentën e saj, ku ndriçon interpretimi dhe qasja në nivele të dramaturgjisë dhe artikulimi artistik përligj në perfeksion binomin mendim-emocion”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Shfaqja nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë mbledh një kastë aktorësh me të cilët shquhet teatri shqiptar matanë kufirit dhe sjell në skenë një vepër të dramaturgjisë botërore që s’ka gjetur shumë inskenime në këto anë.

Për regjinë më të mirë, juria ka vlerësuar Norbert Rakowskin, për regjinë e shfaqjes “Martesa” të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Një vepër komplekse e lartësuar në të gjitha dimensionet e saj, me një qasje autentike, origjinale, inovative regjisoriale e cila prek çdo copëz të qenies njerëzore”, shkruhet në arsyetimin e jurisë.

Kritika nuk ka menduar si juria. Për kritikët Besim Rexhaj, Arian Krasniqi e Anxhela Çikopano, “Martesa” është shfaqja që kanë zgjedhur t’ia ndajnë Çmimin e kritikës. Çdo ditë në mesditë kritika para të pranishmëve ka diskutuar për shfaqet e natës paraprake. Dhe kjo risi, i ka bërë hair diskutimit të koncepteve regjisoriale, paraqitjes së aktorëve e rrugës që po ndjek teatri.

Aktori më i mirë është zgjedhur Viktor Zhusti për rolin e tij te shfaqja “Babai”.

“Për emocionin, natyralitetin, vërtetësinë, mishërimin autentik, njehëzimin me personazhin, të kulmuara skenikisht dhe shpirtërisht”, shkruhet në arsyetimin e Jurisë. Kurse Çmimin e për aktoren më të mirë e ka marrë Luli Bitri për rolin e saj në shfaqjen “Si ta doni”. Ajo është vlerësuar për realizimin në nivel të lartë mjeshtëror në tjetërsimin e personazhit me subtilitetin, delikatesën dhe thellësinë skenike. Për këtë shfaqje ka shkuar edhe Çmimi i kostumografisë që i është ndarë Blagoj Micevskit, ai për aktorin e dytë më të mirë që i është ndarë Folian Agalliut e po ashtu edhe Çmimi për kompozimin më të mirë që i është ndarë Endri Sinës. Për skenografinë më të mirë është shpërblyer Maria Jankowska për punën e bërë te shfaqja “Martesa”. Si aktorja e dytë më e mirë është vlerësuar Sheqerie Ilazi për rolin në shfaqjen “Në përballje me vdekjen” të Teatrit të Tetovës e Çmimi i artistit të ri më të mirë i është dhënë trupës së aktorëve të shfaqjes “Na ishte njëherë” të teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Kurse Ajshe Useini është shpërblyer si artistja e re më e mirë për rolin e saj në shfaqjen “Marrëdhëniet” të Teatrit të Gostivarit.

Në shenjë nderimi, “Moisiu” ka postmortem ia ka ndarë “Çmimin e karrierës” aktorit, pedagogut e regjisorit të shquar Enver Petrovci, i cili vdiq më 22 shtator të këtij viti në moshën 71-vjeçare

Shfaqjet “Vojçeku” nën regji të Zana Hoxhës, produksion i teatrit “Hadi Sheju” në Gjakovë, “Komedia e zezë” nën regji të Ilir Bokshit, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren dhe “Një dorëzim në Spokan” nën regji të Afeida Boriçi Memeti nuk kanë marrë çmime.

Në shenjë nderimi, “Moisiu” postmortem ia ka ndarë “Çmimin e karrierës” aktorit, pedagogut e regjisorit të shquar Enver Petrovci, i cili vdiq më 22 shtator të këtij viti në moshën 71-vjeçare. Çmimin e ka pranuar e bija e tij, aktorja Vanesa Petrovci.

Jeta e shkurtër në skenë, krim për teatrin

Në kohë festivalesh, artistët përderisa shikojnë shfaqjet përtej mendimeve për produksionet, shpërfaqin edhe pikëpamje më të gjëra. Dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj ka thënë se në teatrot shqiptare shfaqjet duhet të jetojnë më gjatë. Sipas tij regjisorët kanë filluar që të kenë autorësi të plotë mbi shfaqjet dhe për ata sikurse për aktorët, është tragjedi që shfaqjet të jetojnë vetëm një sezon.

“Krimi më i madh që është shfaqjet të jetojnë shkurt. Ky është krim kundër regjisorëve si autorë të shfaqjes e po ashtu edhe ndaj aktorëve. Nuk e di kush e ka shpikur këtë. Por shfaqjet e mira duhet të jetojnë gjatë në teatro dhe teatrot shqiptare duhet ta mbërrijnë këtë”, ka thënë ai.

Në kohë festivalesh, artistët përderisa shikojnë shfaqjet përtej mendimeve për produksionet, shpërfaqin edhe pikëpamje më të gjëra. Njëra prej tyre është që shfaqjet të jetojnë më gjatë

Aktori Arben Bajraktaraj – prej shqiptarëve më të njohur në botën e teatrot dhe filmit në këtë shekull – derisa ka ndarë njërin prej çmimeve ka thënë se ky festival duhet të jetojë gjatë. Sipas tij kjo traditë e nisur nga tre teatrot shqiptare në Prishtinë, Shkup e Tiranë është një platformë e bukur dhe e nevojshme.

“Do të ishte katastrofë sikur ky festival të mos vazhdonte të mbahej”, ka thënë ai.

E drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtim Sheremeti ka thënë se më 2022 bashkë me dy homologët e tij ishin të bindur se nëse festivali e bën një rreth të plotë në tre qytete, atëherë do të ketë jetë të gjatë.

“Uroj që teatrot të kenë sa më pak burokraci e të jenë sa më afër artistëve”, ka thënë ai.

Këtë vit për herë të parë TKK-ja ka qenë nikoqire e festivalit të teatrit shqiptar, “Moisiu”. Në bazë të përshtypjeve të të pranishmëve, edicioni ka pasur mbarëvajtje. Këshillin organizativ të emëruar nga Ministria e Kulturës e ka kryesuar udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, përderisa kostoja e edicionit pritet të rrumbullakohet te shuma prej rreth 100 mijë eurove. Vjet pak para se të niste Festivali, ky organizim u anulua shkaku i grevës së aktorëve të TKK-së. Prej vjet, pezull ka mbetur edhe shfaqja “Emira” me tekst të Anton Santorit e regji të Kushtrim Bekteshit. Shfaqja që ishte llogaritur të hapte festivalin, prej atëherë s’ka një datë premierë e as ekipi s’ka marrë honorarët për punën që kanë bërë. Me kushedi sa improvizime e duke dhënë shfaqje në Sallën e Kuqe e atë që tashmë është Amfiteatri i TKK-së në Pallat të Rinisë pasi ndërtesa e institucionit është në renovim, “Moisiu” qe festë e teatrit shqiptar.