Nesër në orën 14:00 pritet të mbahet seanca e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, para skadimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh. Megjithatë, analisti politik Seb Bytyçi shprehet skeptik për një zgjidhje në këtë seancë, duke thënë se nuk sheh shenja të vullnetit të sinqertë politik për ta respektuar afatin.
Sipas tij, nëse synimi ka qenë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, atëherë nuk do të ketë përpjekje reale për zgjidhje brenda orëve të mbetura.
“Do të rrjedhin gjërat siç thotë vendimi”, u shpreh Bytyçi në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai thotë se të tri partitë kryesore – VV, PDK dhe LDK – janë të gatshme për zgjedhje të reja, secila duke llogaritur në një rezultat më të mirë. PDK-ja dhe LDK-ja mendojnë se do të rriten, ndërsa Vetëvendosje, e pakënaqur me rezultatin aktual, po e sheh një raund të ri si mundësi për korrigjim, sipas analistit.
“Në paraqitjet publike, LVV-ja po paraqitet si para katër vjetëve, si një forcë reformiste e dallueshme nga partitë e tjera, ndërsa çdo kundërshtim të opozitës e sheh si sabotim”, tha Bytyçi.
Ai shtoi se ekziston mundësia që AAK-ja të kërkojë ndonjë aleancë parazgjedhore për të kaluar pragun zgjedhor – për shembull me PDK-në ose LDK-në.
Sipas Bytyçit, nëse do të ketë zgjedhje të reja, dalja mund të jetë më e ulët.
Analisti ka thënë se mungesa e urgjencës për respektimin e afatit kushtetues tregon për një mungesë serioziteti institucional dhe prishje të imazhit të Kosovës, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë. Ai shton se pasojat e kësaj krize politike mund të ndihen edhe në planin afatgjatë.