Teksa është afruar përfundimi i afatit për formimin e Qeverisë, analisti politik Seb Bytyçi, ka thënë se e sheh të mundshëm ndonjë koalicion të momenteve të fundit. Sipas tij, më shumë gjasa mund të ketë koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së apo AAK-së.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Bytyqi tha se kjo varet edhe nga zgjedhjet lokale.
“Koalicionet në komuna të ndryshme mendoj se nuk përkthehen patjetër në politike edhe në nivel qendror. Edhe pas reagimit atje sërish mund të ketë koalicion mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Nëse ndodhë, futet në koalicion edhe çështja e presidentit. Definitivisht janë në pyetje edhe zgjedhjet lokale, e kemi parayssh që dy partitë që takohen më së shpeshti në balotazh janë Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja. Nëse këto parti pajtohen t’i ndajnë ato komuna ku shkojnë në balotazh atëherë ajo mund të jetë pjesë e marrëveshjes së re per koalicion. Mund të bëhet koalicioni edhe me AAK-në, me deputetët e saj mund të ofrohet numri i nevojshëm që të arrihet 61-shi i deputetëve për të formuar Qeverinë. Të dyja këto opsione janë të mundshme”, deklaroi ai.
Bytyçi tha se nuk ka pëlqyeshmëri te elektorati për zgjedhje të reja dhe se duke u bazuar te fakti që kishte zgjedhje nacionale, lokale e pastaj edhe balotazhi, në një palë zgjedhje të tjera nacionale, sipas tij, do të mund të ulej dalja në votime.
I pyetur nëse opozita e mëparshme i ka numrat për formimin e Qeverisë, Bytyçi tha se “ka mungesë të gadishmërisë dhe mirëbesimit mes partive opozitare, është problem edhe i Listës Serbe sidomos pas sulmit në Banjskë dhe futja në koalicion me Listën Serbe do t’iu kushtonte shumë në kapital politik”.
Sa i përket takimit të “papritur” gjatë ditës së sotme mes zv.kryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, analisti Bytyçi theksoi se në Bruksel ka shpresa se do të ketë formim të Qeverisë.
“Takimi i papritur i Sorensenit në Kosovë me Bislimin, konsiderohet si parapërgatitje për një takim tjetër mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndoshta ka ndonjë shpresë në Bruksel se do të ketë formim të Qeverisë. Nga takimet në Bruksel nuk mund të presim shumë. Ka krizë edhe në Serbi edhe në Kosovë. Në Kosovë kriza është për shkak të mos-formimit të institucioneve”, ka deklaruar Bytyçi në emisionin "60 Minuta".
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë së martës gjatë një bashkëbisedimi me bashkatdhetarët në Londër, deklaroi se është duke zhvilluar bisedime për formimin e Qeverisë së re, afati për të cilën i përfundon të dielën. Por, këto diskutime ai i ka quajtur si jo të lehta me arsyetimin se atmosfera në Kosovë është bërë toksike.