Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka thënë bashkatdhetarëve në Londër se është duke zhvilluar bisedime për formimin e Qeverisë së re, afati për të cilën i përfundon të dielën. Por, këto diskutime ai i ka kualifikuar jo të lehta, e për këtë fajin e ka bartur tek ajo që e quajti atmosferë toksike. Krahas për qeverinë, ai në Londër ka shpalosur edhe hollësi nga oferta që ia ka bërë Nismës Socialdemokrate për konstituimin e Kuvendit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se atmosfera politike e krijuar në Kosovë po e vështiron punën drejt formimit të qeverisë së re.
Tek e përshkroi këtë atmosferë, gjatë një diskutimi me bashkatdhetarë në Londër, të mbajtur të hënën mbrëma, Kurti foli për xhelozi dhe inate.
“Do të përpiqemi maksimalisht deri në ditën e diel më së largu, se të hënën s’mundemi me u përgatit. Të hënën ose e kemi bërë qeverinë ose jo. Prandaj, në këto ditët e mbetura jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar. Nuk është kollaj se, s’di si me ua shpjegu, ndoshta e keni ndje edhe ju vet por është intoksiku atmosfera shumë, ka shumë xhelozi, inati e cinizëm. Shumë ma shumë se ide, punë e pasion”, tha Kurti.
Në këtë, Kurtit i reagoi sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
“Njeriu që nuk la askënd pa e fyer e përbuzur, pa asnjë kod, sot paska dalë të thotë se na qenka helmuar atmosfera, se paska xhelozi e inate, andaj po e ka vështirë ta bëjë qeverinë. Jo A.K. Ti nuk kërkon marrëveshje, as kompromis. Ti kërkon nënshtrim. Por ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet”, tha Çitaku.
Më 11 tetor, Kurti u mandatua nga presidentja, Vjosa Osmani, për formimin e qeverisë. Prej atëherë ka nisur të rrjedhë afati 15-ditor që ai t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit. E për këtë, atij i kanë mbetur edhe pesë ditë kohë.
Por, në Londër, Kurti nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Do të përpiqemi që ta bëjmë qeverinë, përndryshe siç po duket, alternativë është do të shkojmë në zgjedhje prapë. Ose do ta bëjmë ne qeverinë ose do të shkojmë në zgjedhje. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre alternative”, tha Kurti.
Për Qeverinë e re, Kurtit i duhen së paku 61 vota në Kuvendin në të cilin Lëvizja Vetëvendosje i ka 48 deputetë. Ai e ka përkrahjen edhe prej 7 deputetëve të komunitetit joserb si dhe të Nenad Rashiqit. E i duhet t’i sigurojë edhe së paku 5 deputetë.
Në Londër, Kurti foli edhe për konstituimin e legjislaturës së nëntë dhe për propozimin që ia pati bërë asokohe Nismës Socialdemokrate.
“Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj ka mujt me u bo nënkryetar i Kuvendit se duhet që kryetari dhe nënkryetari me qenë të gjinive të ndryshme. Paramendoje këtë situatë, ku Albulena Haxhuiu bëhej nënkryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj bëhej nënkryetar i Kuvendit se i ka pesëfish vota më pak se Albulena, e kish marrë një ministri dhe dy zëvendësministra. Katër pozita të larta me tre deputetë. Kjo është racionale, maksimumi ku mund të shkojmë. Ama, ma jep këtë mua sepse ta kam gjete ditën, faleminderit”, tha Kurti.
Sipas Kushtetutës, nëse mandatari për kryeministër nuk e siguron shumicën e nevojshme në Kuvendi, presidenti brenda 10 ditësh e mandaton një kandidat tjetër. E nëse Qeveria dështon të zgjidhet edhe herën e dytë, atëherë shpallen zgjedhje që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.