Arbëri

Kurti: Pos balotazhit, pritet të kemi edhe dy palë zgjedhje të reja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dje i është konfirmuar se nuk ka zgjidhje tjetër pos mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Kosovë. 

Të dielën qeveria “Kurti 3” e propozuar nga mandatari Albin Kurti mori vetëm 56 vota në Kuvendin e Kosovës dhe nuk kaloi. 

“Para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është arsyeja pse vendi nuk ka rrugë apo mënyrë tjetër përveçse zgjedhjeve të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë”, tha Kurti në konferencë për media. 

Ai ka thënë se LDK-ja ka refuzuar kategorikisht qeverinë e udhëhequr nga ai e po ashtu edhe Nisma ka refuzuar përfundimisht të jetë në qeverinë që e drejton ai. 

“Po të rezononin ndryshe e të pranonin ofertën për bashkëpunim, jo që do të kishim numrat që të formonim Qeverinë e Re, por edhe do të mund t’i jepnim zgjidhje çështjes së zgjedhjes së presidentit pas 4 muajve”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se duke parë disponimin e elektoratit të LVV-së dhe LDK-së, ishte munduar “ta shkëpuste LDK-në nga PDK-ja”. 

“Në vitin 2020 ja arritëm, por vetë, për 51 ditë. E provuam përsëri me lidershipin e LDK-së, por pa sukses. E vetmja mënyrë se si LDK-ja pranonte të bëhej pjesë e qeverisë me ne ishte që edhe PDK-ja të ishte brenda, e për ne është e papranueshme dhe e dëmshme”, tha Kurti. 

Ai ka falënderuar gjithë deputetët që e kanë mbështetur qeverinë “Kurti 3”. 

“Do të jemi qeveri në detyrë meqë dje nuk arritëm të bëhemi qeveri fuqimplotë”, tha Kurti. 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pos balotazhit, Kosovën e presin edhe dy palë zgjedhje të reja parlamentare – në dhjetor dhe në pranverë. 

“Keq se do të kemi pos balotazhit edhe dy herë zgjedhje – në dimër dhe në pranverë. Kur nuk u bën 61 deputetë për qeveri të re, vështirë e imagjinueshme që mund të bëjmë kollaj 80 vota për deputetë në pranverë për zgjedhjen e presidentit apo presidentes. I kemi vetëm 4 muaj deri te zgjedhja e presidentit apo presidentes”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se bazuar në Ligjin për Qeverinë, mund të propozojë projektbuxhetin për vitin 2026, porse nuk do të thotë se puna mbaron aty. 

“Cili do të ishte buxheti që do të kishte mazhorancën prej 61 votave, e ku dihet se duhet votuar në dy lexime projektbuxheti”, tha Kurti. 

Kurti ka thënë se të gjithë po përgatiten për zgjedhje të reja. 

“Të gjithë jemi duke u përgatitur për zgjedhje të reja. Pas këtyre muajve unë nuk e di qysh mund të pyesni për këso koalicione. Është më vështirë tash të bëhen koalicione sesa para 8-9 muajve. Në këtë atmosferë siç jemi tani, unë nuk shoh mundësi për koalicion. Në zgjedhjet e ardhshme do ta keni një lloj referendumi, mes asaj çka kishim për katër vjet e gati 8 muaj të qeverisjes sonë dhe asaj se çka kishim përpara”, deklaroi Kurti.


Kurti: Në Kosovë s’ka pasur kryeministër më të ofenduar se unë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në histori të Republikës së Kosovës nuk ka pasur një kryeministër më të ofenduar se ai. 

“Nuk është në dorën tonë. Jemi përpjekur maksimalisht. Nëse shikoni ju se çfarë na kanë thënë neve është e pakrahasueshme. Nuk besoj që ka pasur në Republikën e Kosovës një kryeministër më të ofenduar se unë. Problemi i mospajtimeve nuk ka të bëjë me gjuhën që përdoret. Sepse çka i kanë thënë këta njëri-tjetrit e janë bërë bashkë, do të ishte e pashpjegueshme. Janë në pyetje interesat”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se nuk po e kupton se çfarë të keqe i ka bërë Sylejman Meholli kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që po e refuzon marrëveshjen në Vushtrri. 

“Këtu ka të bëjë me pazare, kumari, interesa. Nuk ka të bëjë me fjalët e zgjedhura”, tha Kurti. 
 


Kurti: Dimal Bashën gjithmonë e kam paramenduar në ekzekutiv

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kryeparlamentarin Dimal Basha, ai gjithmonë e ka paramenduar në ekzekutiv. 

Në kabinetin e “Kurtit 3” që e prezantoi të dielën, Basha ishte propozuar ministër i Infrastrukturës. Qeveria e propozuar nga mandatari Kurti mori vetëm 56 vota në Kuvend. 

“Për kryetarin e Kuvendit gjithmonë e kam imagjinuar atë në ekzekutiv. Për Kurtin 3 e kam menduar që duhet të vijë në ekzekutiv. Unë besoj shumë që Dimali e bën shumë mirë që punën si kryetar i Kuvendit”, ka thënë Kurti. “Dje ishte shansi që Dimal Basha të vijë në ekzekutiv, por duket se nuk po e duan aty. Harmonia e brendshme në VV kurrë s’ka qenë më e madhe”.  
Për rritjen e numrit të ministrive që propozoi tha se beson se do të rritej efikasiteti. 


Kurti: Po çuditem dhe s’po e kuptoj LDK-në

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka besuar që me udhëheqjen e re të LDK-së do të mund të bënte koalicion. Ai ka thënë se s’ka synuar takime me subjektet e reja. 

Kurti tha se s'po i kupton sjelljet e LDK-së. 

“Nuk duan qeveri që udhëhiqet nga LVV-ja dhe unë. S’duan që të formojnë qeverinë me partitë opozitare. Por, synojnë zgjedhje të reja që përsëri do ta përsërisin sloganin ne dalim të parët, por s’dalin të parët”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se ka menduar se LDK-ja e ka personalisht me të. 

“Mirëpo, kur po e shohim tash para balotazhit ata janë edhe kundër liderëve lokalë që po duan me bashkëpunu me LVV-në. Mirë, Albin Kurti nuk bën kryeministër, por pse s’bën Sylejman Meholli me qeverisë me Vushtrrinë”, tha Kurti. 

Ai është pyetur edhe lidhje me deklarimet që kishte dhënë më herët se i ka numrat për ta formuar qeverinë, por jo për ta formuar Kuvendin. 

“Kishte një lloj trysnie të jashtëzakonshme ndaj deputetëve në muajin maj, që kursesi të mos bëjnë takime me LVV-në. Në atë periudhë po të votohej me votim të fshehtë, Albulena Haxhiu do të kishte 61 vota. Besoj që nga pranvera e vera e deri në vjeshtë kanë lëvizur numrat. Janë 3-4 deputetë që na kanë thënë bëni 60 vota e ne jemi i 61-i”, tha Kurti. 



 


 

Kurti: Serbia ta dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq dhe të zbatohet marrëveshja e Brukselit

2 o. më parë / 27 tet 2025 17:57 Nga: Valbona Bytyqi
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova me Serbinë ka një marrëveshje, e jo vetëm dialog. 

Ai ka thënë se me Serbinë ka marrëveshjen që është dakorduar në Bruksel në shkurt të vitit 2023 dhe aneksin e dakorduar në Ohër në mars të vitit 2023. 

“Duhet t’i zbatojmë këto marrëveshje. Jam i gatshëm për këto. Ne na duhet normalizimi i marrëdhënieve nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve. Por, në të njëjtën kohë kërkojmë që sa ma parë Beogradi ta dorëzojë kryekriminelin dhe terroristin Milan Radoiçiq, që sa i përket pikëpamjes sonë ai është në arrati. Sa i përket Beogradit është bërë njëfarë truproje e presidentit të Serbisë. Ai nuk është vetëm. Është bashkë me 44 paramilitarë tjerë që e kanë vrarë policin kosovar Afrim Bunjaku”, tha Kurti në konferencë për media. 

Ai ka thënë se Radoiçiq dhe të tjerët duhet t’i dorëzohen sa më parë organeve të Kosovës. 

“Të dorëzojnë Radoiçiqin e ta zbatojmë marrëveshjen. Mendoj se s’do të vijë deri te kjo shpejt, pasi Serbia për fat të keq po bëhet si Bjellorusi e dytë”, tha Kurti.