Tek kanë mbetur edhe 12 ditë deri në përfundimin e 15-ditëshit brenda të cilit duhet të paraqitet për miratim përbërja dhe programi i Qeverisë së re, mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë të martën se është duke u marrë me rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe me përgatitjet për balotazhin.“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet t’i shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj, dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë”, ka theksuar ai
Rrjedhja e afatit për sigurimin e shumicës së nevojshme për t’u rizgjedhur kryeministër dhe për ta formuar qeverinë, nuk është duke nxitur nxitim te kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.
Ai më 10 tetor është mandatuar nga presidentja, Vjosa Osmani, për ta formuar qeverinë e re. E tek kanë mbetur edhe 12 ditë deri në përfundimin e 15-ditëshit brenda të cilit duhet të paraqitet për miratim përbërja dhe programi i Qeverisë së re, Kurti ka thënë të martën se është duke u marrë me rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe me përgatitjet për balotazhin.
“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet t’i shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj, dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë”, ka thënë Kurti.
Për ta formuar Qeverinë, Kurtit i duhet mbështetja e të paktën 61 deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka dalë parti e parë në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, i ka 48 deputetë në Kuvend. Përkrahje gëzon nga shtatë deputetë që u përkasin komuniteteve joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit.
Kurti dhe Vetëvendosje nuk e kanë të sigurt mbështetjen e deputetes boshnjake, Duda Balje, të atij egjiptian, Veton Berisha, dhe të Adem Hoxhës, i cili i përket komunitetit goran. Bazuar në këtë, Vetëvendosjes i duhet mbështetja e edhe së paku 5 deputetëve.
Në Vetëvendosje, e kanë lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim në funksion të formimit të qeverisë me Lidhjen Demokratike (LDK) dhe partitë tjera, përfshirë Nismën Socialdemokrate. Më herët, më përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë, Vetëvendosje pati zhvilluar negociata me Nismën, e cila i ka tre deputetë në Kuvend, porse ato nuk kanë prodhuar marrëveshje. Kërkesë e partisë ka qenë për kryetar të Kuvendit të propozohet kryetari i saj, Fatmir Limaj.
Në partinë e Limajt të martën janë shprehur të hapur për bashkëpunim me Vetëvendosjen për nivelin qendror, porse kusht sërish e kanë parashtruar pozitën e kryeparlamentarit.
“Vendit i duhet një figurë unike, plotësisht siç është zotëri Limaj që do ta udhëhiqte institucionin më të rëndësishme ligjvënës në vend, siç është Kuvendi. Dhe që sjell unifikim, sepse e shohim që se skena politike është e përçarë, dhe për të pasur procese të madha në interes nacional, ne kemi nevojë të kemi edhe lidership që ka dhe sjellë unifikim”, ka thënë Xhevahir Izmaku, e cila është deputete e Nismës.
Një ditë më parë, Kurti ka deklaruar se partia e tij është e gatshme për zgjedhje po qe se nuk formohet qeveria e re.
“Nëse nuk ka Qeveri të re Kurti 3, pa asnjë dyshim që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare”, ka deklaruar Kurti të hënën, në një konferencë për media.
Por Izmaku i ka bërë thirrje Kurtit që të ulë egon, pasi që “zgjedhjet e reja dëmtojnë vendin”.
“Çfarë logjike ka t’i harxhojë milionat, ndoshta për të ardhur në një situatë të njëjtë. Dhe nuk e kuptoj pse duhet të bëjë, çfarë ego ta fitojë një deputet më shumë ose më pak dhe ta dëmtojë vendin. Nuk ishte dashur të mendohet asnjë subjekt politik”, ka thënë ajo.
Në Vetëvendosje, derën e bashkëpunimit për qeveri e kanë mbyllur për Partinë Demokratike (PDK) dhe për Listën Serbe (LS).
Në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë, përgjigje nuk kanë dhënë nga LDK-ja. E, KOHA ka marrë mësuar që të mërkurën për këtë çështje do të diskutohet në mbledhjen e kryesisë e të Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Sipas Kushtetutës, në rast se Qeveria nuk e merr shumicën e votave të nevojshme në Kuvend, presidentja duhet që brenda 10 ditësh ta mandatojë një kandidat tjetër. E nëse Qeveria dështon të zgjidhet edhe herën e dytë, atëherë presidentja duhet të shpallë zgjedhje e të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja e tyre.