Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Përfaqësues të komuniteteve në pritje të takimit me Kurtin

Kuvendi i Kosoves

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Ndryshe nga liderë të partive që përfaqësohen nga shqiptarët, ata të komuniteteve kanë shprehur pritjen e një ftese nga Kurti, për t’i zhvilluar konsultimet rreth formimit të institucioneve. Partnerët e deritashëm të Vetëvendosjes thanë se do të ofrojnë mbështetje edhe për zgjedhjen e presidentit.

Përfaqësues të komuniteteve kanë thënë se nuk janë takuar ende me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pritet ta drejtojë qeverinë edhe në mandatin e ardhshëm.

Kurti ka shprehur qëndrimin të mos e pranojë në Qeveri Listën Serbe, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai pritet ta ketë në kabinetin qeveritar, ministrin në detyrë për komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq, i cili ka fituar mandat deputeti me partinë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.

Ai shprehu pritjen që takimi për koalicion qeverisës të zhvillohet pas të enjtes, kur është seanca konstituive e legjislaturës së 11-të.

“Nuk jemi takuar, por besoj se takohemi këto ditë. Sikurse e dini, për nesër besoj se do ta kemi vetëm pjesën e konstituimit të kuvendit, nuk do të hyjmë në marrëveshje tjera. Pres që pas ditës së nesërme të takohemi në një moment dhe të flasim për një angazhim për qeverinë e re, kurdo që bëhet një gjë e tillë e mundshme. Sa e di unë nuk do të votohet qeveria”, ka thënë Rashiqi. 

Gatishmëri për takim me Kurtin shprehu edhe deputeti i zgjedhur i Partisë Rome të Bashkuar, Albert Kinolli. Ndryshe nga Rashiqi, ai tha se pret që takimi të ndodhë para seancës së të enjtes.

“Besojmë se në parim do të arrijmë një marrëveshje dhe të vazhdojmë tutje. Për ne nuk është interesant kushti, por është shumë domethënëse që sa më parë t’i formojmë institucionet e Kosovës. Gjithsesi që jemi gati ta votojmë edhe presidentin”, është shprehur Kinolli. 

Edhe Rashiq: S’pres që nesër të votohet qeveria Arbëri Rashiq: S’pres që nesër të votohet qeveria

Ndërkaq, kryetari i partisë boshnjake VAKAT, Rasim Demiri, i cili është edhe ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal, shprehu pritjen që takimi të realizohet të enjten. 

“Ne jemi në kontakt me kryeministrin dhe besoj se do ta takojmë, si më herët që ka qenë përvoja. Besoj se deri nesër do ta kemi një takim me Kurtin”, ka theksuar Demiri.

Nga 120 anëtarë sa ka Kuvendi, 20 u përkasin komuniteteve. Bazuar në Kushtetutë, në kuadër të qeverisë duhet të jetë së paku një ministër nga radhët e komunitetit serb dhe një nga komunitetet tjera.