Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti paralajmëron t’i bëjë ofertë opozitës për presidentin

Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është i gatshëm të komunikojë me partitë politike për çështjen e presidentit, ndërsa është shprehur optimist për konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë, menjëherë pas certifikimit të rezultateve. E, profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se fillimisht duhet zgjedhur presidenti, e më pas të formohet Qeveria

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur optimist për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, menjëherë pas konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë. Por, për çështjen e zgjedhjes së presidentit, ka thënë se do të vazhdojë komunikimin me opozitën.

Në një deklarim për media, pas homazheve pranë monumentit të heroit “Zahir Pajaziti”, me rastin e Ditës së çlirimit të Kosovës, Kurti, i cili është kryeministër në detyrë, tha se pas përmbylljes së numërimit të votave do të nisin konsultimet për hapat e ardhshëm.

“Jemi të gatshëm, vullnetshëm dhe të interesuar për komunikim dhe bashkëpunim. Kjo nuk është asgjë e re nga ana jonë dhe e dini se si qeveri kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar dhe shpresojmë që kësaj radhe të jetë ndryshe. Për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së njëmbëdhjetë nuk duhet ne të ndryshojmë. Ne ishim ata që morëm iniciativat për takime, ne ishim ata që ofruam bashkëqeverisje me LDK-në”, ka thënë Kurti, partia e të cilit është rikonfirmuar fituese e zgjedhjeve të së dielës, por rezultati nuk i ka dhënë numrin e njëjtë të deputetëve.

Bazuar në numërimin e deritashëm, Vetëvendosja do t’i ketë 49 deputetë, Partia Demokratike 24, Lidhja Demokratike 19, ndërsa Aleanca 8. Komunitetet i kanë 20 deputetë, gjysma e të cilëve u takojnë serbëve.

Bazuar në disa projeksione, Vetëvendosja mund t’i sigurojë maksimumin 53 ulëse në Kuvend, nëse vota e diasporës që ende nuk është numëruar, shkon në shkallën mbi 75 për qind për të. Kjo do t’ia mundësonte ta bënte qeverinë vetëm me deputetët e subjekteve politike nga radhët e komuniteteve, pa përfshirë Listën Serbe.

Edhe S’ka sinjale për presidentin Arbëri S’ka sinjale për presidentin

E, ende pa përfunduar numërimi i votave, ka nisur debati për rrjedhën e formimit të institucioneve.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha se zgjedhja e presidentit duhet të jetë prioriteti i parë pas konstitumit të Kuvendit.

Ai ka thënë se pas konstituimit, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, janë 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit dhe nëse kjo nuk bëhet, vendi do të shkojë në mënyrë automatike në zgjedhje.

“Sipas kësaj gjendjeje, që e kemi faktike, do të duhej që Qeveria të presë në mënyrë që të zgjidhet presidenti. Presidenti ose presidentja ta mandatojë mandatarin e qeverisë të parin. Nëse ai nuk e bën, e bën i dyti dhe mandej të bëhet Qeveria e atyre që e kanë shumicën në Kuvend”, ka thënë Baraliu.

Por, në Kosovë ka një precedent tjetër. Në vitin 2021, Kosova ishte me ushtrues detyre të presidentit, sikurse tash. Pas zgjedhjeve që u mbajtën në atë vit, fillimisht u konstituua Kuvendi, më pas u zgjodh qeveria dhe pas seancës për kabinetin qeveritar, u thirr ajo për zgjedhjen e presidentit të shtetit.

Baraliu thotë se, në procesin e konstituimit të Kuvendit, partitë politike duhet të punojnë me pjekuri politike dhe jo me barikadime, taktika e manovra politike.

Edhe Analistët shtrojnë nevojën që diskutimet mes spektrit politik të jenë transparente Arbëri Analistët shtrojnë nevojën që diskutimet mes spektrit politik të jenë transparente

“Këta nuk kanë marrë siç duket ende leksion, por me nëntekstin e tyre të fjalimeve të dyzuara, më shumë se të dyzuara, atëherë kjo tregon se nuk e kanë kuptuar dhe po duan të vazhdojnë avazin e vjetër dhe kjo do të ishte fatale edhe për partitë politike, por edhe për ne, sepse troç dhe shqip të thuhet se zgjedhjet e ardhshme mund të befasojnë edhe më pakëndshëm me një bojkot total, ose me një pjesëmarrje prej 15 për qind”, ka thënë ai.

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të marrë rezultatet e para, kishte deklaruar se pikënisje për bisedime më Vetëvendosjen është emri i Vjosa Osmanit, që kishte garuar në listën e LDK-së si kandidate për presidente.

E në PDK kanë deklaruar se nuk kanë vija të kuqe, por se duhet marrëveshje politike.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si forcën e parë politike në vend me rreth 43.50 për qind të votave, që aktualisht përkthehen në 49 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me rreth 20.98 për qind të votave dhe 24 ulëse parlamentare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar rreth 17.11 për qind të votave, që aktualisht i japin 19 ulëse në Kuvend.

Edhe Kurti paralajmëron diskutime për Qeverinë, Kuvendin dhe presidentin Arbëri Kurti paralajmëron diskutime për Qeverinë, Kuvendin dhe presidentin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.17 për qind të votave, duke siguruar 8 ulëse në Kuvend.

Përqindjet kanë trend ndryshimi, pas nisjes së numërimit të votave të diasporës. Nga numërimi i 27 prej 47 kutive të votimit të dërguara nga selitë diplomatike ku mërgimtarët kanë votuar fizikisht, rezulton se LVV-ja ka fituar rreth 83 për qind, PDK-ja 7.3 për qind, LDK-ja 6.7 për qind e AAK-ja rreth 2 për qind. Janë edhe rreth 80 mijë vota që janë dërguar nëpërmjet postës nga mërgata, e që ende nuk janë numëruar.