Kuvendi i Kosovës ka dërguar një njoftim me rendin e ditës për seancën konstituive e cila do të mbahet nesër në orën 10:00.
Në njoftimin e drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun thuhet se fillimisht në ketë seancë do të formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Pas kësaj deputetët e zgjedhur do të bëjnë betimin, pastaj do të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe pika e fundit është zgjedhja e nënkryetarëve. Për këtë çështje mjafton shumicë e thjeshtë në Kuvend.
Me konstituim të Kuvendit, nis edhe rrjedhja e afatit prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit, ku edhe është ngërçi më i madh mes partive.
E rrjedhja e afatit 15-ditësh për votim të qeverisë në Kuvend, nis pasi ushtruesja e detyrës së presidentit ta mandatojë emrin e propozuar nga shumica.
Edhe
Kuvendi njofton për vazhdimin e seancës konstituive, ky është rendi i ditës
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve.
Takimi treorësh i të martës në mes të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk u finalizua me marrëveshje partiake për formim të institucioneve. Megjithatë, të dy udhëheqësit kanë lënë të hapur mundësinë e diskutimit për të ardhmen. Kurti ka thënë se ka interesim për bashkëpunim me LDK-në “për progres të përshpejtuar”, ndërsa Abdixhiku u shpreh se LDK-ja synon “balancë institucionale” ku një parti nuk i mban të gjitha postet.