Arbëri

Bislimi: Kosova s’do t’i humbë fondet nga Plani i Rritjes, ato disbursohen si të ratifikohet marrëveshja

Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se fondet që Kosova do t’i përfitojë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) nuk do të humbin si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. 

Sipas tij është shkaktuar një mjegull e madhe në raport me këto fonde. 

Ai ka thënë se në procesin e draftimit dhe negocimit të agjendës së reformave, Qeveria e Kosovës u është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, duke dorëzuar, siç ka thënë, dokumentet e nevojshme në kohë dhe me cilësi.

Sipas tij vonesa janë shkaktuar për shkak të aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes nga Këshilli i BE-së. 

“Si shkak i aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes në Këshillin e BE-së, Komisioni nuk ka arritur t’u përmbahet afateve të tij të paracaktuara. Prandaj, në qoftë se Komisioni Evropian do t'u përmbahej këtyre afateve të paracaktuara nga ana e tyre, ne sot do ta kishim një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes dhe do të kishim pranuar paradhënien tashmë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai ka theksuar se përkundër kësaj asnjë pagesë, përfshirë paradhënien, nuk mund të humbet. 

“Ato do të disbursohen në momentin që Kosova ratifikon marrëveshjen dhe plani do të vazhdojë direkt në fazën e implementimit ashtu siç është paraparë. Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen”, ka shkruar Bislimi. 

Ai ka thënë se edhe pse konstituimi i Kuvendit ende nuk është përfunduar, dhe anëtarët e Qeverisë janë në detyrë, "aparati shtetëror prapë funksionon si gjithmonë".

“Shumë punë janë duke u zhvilluar dhe ministritë e institucionet e tjera të linjës po i kryejnë detyrat dhe aktivitetet e tyre brenda afateve dhe kompetencave. Marrëveshjet e ligjet e nevojshme po përgatiten për aprovim në Qeveri e Kuvend sapo të krijohen institucionet. Andaj, as paratë dhe as zbatimi i agjendës së reformave nuk po rrezikohen”, ka shkruar Bislimi. 

Shqetësime për zvarritjen të procesit të disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së BE-së, kishte shprehur presidentja Vjosa Osmani, në takimin me liderët e partive politike, pas dështimit për disa herë radhazi të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. 

“Çfarë kam përmendur në takim është se disa prej pasojave që ballafaqohet vendi ynë në mungesë të konstituimit të Kuvendit përfshijnë zvarritjen e panevojshëm të procesit të disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së BE-së, afër 900 milionë euro, dëmet tjera përfshijnë zvarritjen e proceseve që do çonin në anëtarësimin në organizata apo iniciativa tjera, zvarritjen e ligjeve, dëmtimi i besimit të qytetarëve, dëmtimi i imazhit të shtetit tonë ndërkombëtarisht”, kishte potencuar Osmani.