Zyrtarë të Bashkimit Evropian e kanë shprehur shqetësimin për vonesat në formimin e institucioneve, e që po e pamundësojnë ratifikimin e marrëveshjeve të nevojshme për përfitimin e mbi 800 milionë eurove nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Edhe pse Kosova nuk rrezikon ta humbë të drejtën nga financimi sapo të ratifikohen marrëveshjet, në BE e kanë përmendur se Programi për reforma dhe Zhvillim është një instrument me kohë të kufizuar
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për mosformimin e institucioneve të reja, ku si pasojë Kosova aktualisht nuk mund të përfitojë nga Plani i Rritjes, i dedikuar për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Bllokimi i mbi 800 milionë eurove të Bashkimit Evropian, si pasojë e moskonstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit që duhet ta ratifikojë marrëveshjen me bllokun, ndikon direkt në projektet që kanë të bëjnë me arsimin, zhvillimin ekonomik e mirëqenien e qytetarëve.
Përderisa nuk ratifikohet marrëveshja, Kosovës do t'i mohohen 61.8 milionë euro si para-financim nga Plani i rritjes dhe 32,8 milionë nga reformat që Kosova veçse i ka zbatuar, pra në total rreth 94 milionë euro.
“Jemi të shqetësuar që institucionet ende nuk janë formuar, duke e shtyrë më tej ratifikimin e Marrëveshjeve të Kredisë dhe të Instrumenteve Financiare. Kosova mbetet në të drejtën e saj për të përfituar nga financimi paraprak sapo të ratifikohen marrëveshjet përkatëse të lidhura me Programin për Reforma dhe Zhvillim. Megjithatë, Programi për Reforma dhe Zhvillim është një instrument me kohë të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt, për t’i shfrytëzuar në maksimum të gjitha mundësitë që i ofron Plani i Zhvillimit në të mirë të qytetarëve të saj. Vetëm atëherë, nëse plotësohen edhe të gjitha kushtet e tjera, mund të bëhet disbursimi i fondeve, sipas Planit të Zhvillimit”, ka thënë Anitta Hipper, zëdhënëse në Komisionin Evropian.
Fundvitin e kaluar, Komisioni Evropian mori vendim për t’i mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes. Krahasuar për kokë banori, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, me më shumë se 820 milionë euro.
Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike patën deklaruar më herët se në rast mosratifikimi të marrëveshjes deri në korrik, Kosova e humb para-financimin në vlerë prej 7 për qind të shumës totale.
Sipas këtij Grupi, mosratifikimi i marrëveshjes së facilitetit, si dhe përfundimit dhe pastaj të ratifikimit të marrëveshjes së huamarrjes, e kërcënon seriozisht zbatimin e Planit të Rritjes.
“Në qoftë se kjo situatë vazhdon deri më 1 korrik, Kosovës do t'i mohohen 61.8 milionë euro si para-financim nga Plani i Rritjes, 32,8 milionë nga reformat që Kosova veçse i ka zbatuar, pra në total rreth 94 milionë euro”, patën deklaruar nga GLPS-ja.
Përfundimi i dy gjysmëvjetorëve pa ratifikim të marrëveshjeve, si dhe formim të strukturave zbatuese, sipas GLPS-së, e vë në rrezik zbatimin e plotë të Agjendës së reformave, gjë që mund të pasojë me rinegocim të Planit.
Një gjë e ngjashme ka ndodhur me Agjendën e Reformave Evropiane (ERA), e cila pasi nuk u arrit të zbatohet ne afatin e saj të paraparë dhe u rinegociua në ERA II.
Zyrtarë të qeverisë në detyrë kanë insistuar se fondet që Kosova do t’i përfitojë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) nuk do të humbin si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë ditë më parë se fondet që Kosova do t’i përfitojë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) nuk do të humbin si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, në procesin e draftimit dhe negocimit të agjendës së reformave, Qeveria e Kosovës u është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, duke i dorëzuar, siç ka thënë, dokumentet e nevojshme në kohë dhe me cilësi. Sipas Bislimit, vonesa janë shkaktuar për shkak të aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes nga Këshilli i BE-së.
Sipas një dokumenti të Komisionit Evropian, mjetet nga Plani i Rritjes për Kosovën mes tjerash kanë ndikim direkt edhe në mirëqenien e qytetarëve, përmes fuqizimit ekonomik dhe uljes së papunësisë.
“Të rinjtë, gratë dhe grupet e cenueshme ose me nevoja të veçanta do të jenë përfituesit kryesorë të mbështetjes. Veprimet do ta ofrojnë një mjedis të favorshëm që ata të jenë aktorë aktivë socio-ekonomikë dhe ta ruajnë interesin e tyre për të qëndruar në Kosovë për aq kohë sa, paralelisht, ndërmerren veprime për përmirësimin e të drejtave të punës”, shkruan në dokumentin e KE-së për Kosovën.
Tek përmenden rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin PISA, përmes fondeve të BE-së synohet ndryshimi i kësaj situate.