Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë shprehur keqardhje për faktin se partitë politike në Kosovë nuk kanë arritur të pajtohen as për çështjen kyç, siç është ratifikimi i Planit të Rritjes, edhe përkundër faktit se javën e kaluar është nënshkruar marrëveshje me Komisionin Evropian për kredi dhe për mjete
Në Bashkimin Evropian (BE) kanë shprehur keqardhje për dështimin e partive politike që ta tejkalojnë ngërçin politik, përfshirë edhe për ratifikimin e Planit të reformave dhe të Rritjes, i cili do t’i siguronte Kosovës deri në 882 milionë euro përfitime.
Këtë qëndrim e ka shprehur të enjten një zëdhënës i Komisionit Evropian (KE), tek është përgjigjur në pyetjet rreth pasojave që Kosova mund t’i bartë për shkak të vonesave në marrjen e pagesave nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, e nga i cili Kosova parashihet që t’i përfitojë deri në 882 milionë euro.
“BE është në dijeni për zhvillimet e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës dhe shpreh keqardhje për dështimin e partive politike, të cilat nuk arritën ta tejkalojnë bllokadën e stërzgjatur politike pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit të vitit 2025”, ka thënë zëdhënësi i BE-së në përgjigje. “Po ashtu është për keqardhje se partitë politike, deri në këtë moment, nuk kanë arritur të pajtohen për çështjet kyç, përfshirë edhe ratifikimin e Planit të reformave dhe Rritjes, as pasi marrëveshja për kredi u nënshkrua javën e shkuar nga Kosova dhe Komisioni Evropian”.
KOHA ka mësuar se javën e shkuar është nënshkruar “marrëveshja për kredi” mes Komisionit Evropian dhe Kosovës dhe se firmën në këtë marrëveshje e ka vënë një zyrtar që nuk është deputet i Kuvendit.
Pas nënshkrimit, pengesa e vetme për ekzekutimin e pagesave është ratifikimi i dokumentit në Kuvend. E meqë Kuvendi i Kosovës tanimë është i shpërndarë, Kosova nuk do të ketë mundësi që për disa muaj ta ratifikojë këtë marrëveshje, me çka rrezikon seriozisht humbjen e një pjese të mjeteve.
Në Komisionin Evropian kanë shprehur shqetësim edhe për situatën me paga në transmetuesin publik RTK dhe e cila është pasojë e drejtpërdrejtë e bllokimit institucional.
“Është çështje kyç për një kandidat potencial të BE-së që ta mundësojë financimin stabil dhe të mjaftueshëm të transmetuesit publik”, ka thënë më tej një zëdhënës i BE-së.
Ky zëdhënës ka përsëritur gatishmërinë e BE-së për ta asistuar Kosovën në rrugëtimin e saj evropian porse ka kërkuar që vendi t’i ndërtojë kapacitetet për veprim dhe t’u kthehet reformave të lidhura me integrimet evropiane.
Për sa i përket mundësisë së humbjes së një pjese të mjeteve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në Komisionin Evropian kanë përsëritur se pa ratifikim në Kuvend, Kosova nuk do të mund të paraqesë kërkesa për ekzekutimin e pagesave nga kjo paketë.
“Kosova ishte ndër të parët prej partnerëve nga Ballkani Perëndimor që e miratoi agjendën e reformave, të cilën e kërkoi BE-ja, sipas Planit të Rritjes, e që u aprovua nga Komisioni në tetor të vitit 2024. Prandaj, Kosova vazhdon të jetë e kualifikuar për marrjen e deri në 882 milionë eurove si fonde nga Plani i Rritjes. Kjo mbetet e kushtëzuar me hyrjen në fuqi të marrëveshjeve që lidhen me mjetet për reforma dhe rritje si dhe kushteve të tjera për pagesa”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.
Në këtë komision kanë konstatuar po ashtu se “për shkak të vonesave në themelimin e institucioneve, marrëveshjet që lidhen me mjetet për reforma dhe rritje nuk janë në fuqi. Pa ratifikimin e marrëveshjeve, Kosova nuk mund të paraqesë kërkesa për kryerjen e pagesave nga Plani i Rritjes dhe reformave”, është thënë nga Komisioni Evropian.
Në Komisionin Evropian kanë rikujtuar se mjetet nga kjo paket janë të afatizuara në aspektin kohor dhe janë për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027, dhe se është në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj që sa më shpejt të kryhet ratifikimi dhe të përdoren mjetet që janë në dispozicion.
Sipas paralajmërimeve të shpeshta nga BE-ja, mjetet të cilat Kosova nuk do t’i përdorë me kohë, e koha për disa do të kalojë vitin e ardhshëm, atëherë ato do të shkojnë për vendet e tjera të rajonit e të cilat do t’i përmbushin kushtet për këtë.