Arbëri

S’ka pagesa nga Plani i rritjes pa ratifikim të Marrëveshjes në Kuvend

bashkimi evropian - kosova, flamujt

BE-ja shpreh keqardhje edhe për faktin se partitë politike nuk arritën të pajtohen as për çështjen kyçe, siç është ratifikimi i Planit të rritjes, edhe përkundër faktit se javën e kaluar me Komisionin Evropian është nënshkruar marrëveshja për kredi dhe mjete.

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për dështimin e partive politike në Kosovë që të tejkalojnë ngërçin politik, përfshirë edhe dështimin për ratifikimin e Planit të reformave dhe rritjes, i cili do t’i sillte Kosovës deri 882 milionë euro. Këto i ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian duke u përgjigjur në pyetjet rreth pasojave që Kosova mund të ketë për shkak të vonesave në marrjen e pagesave nga Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, nga i cili Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë.

“BE është në dijeni për zhvillimet e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës dhe shpreh keqardhje për dështimin e partive politike, të cilat nuk arritën të tejkalojnë bllokimin e stërgjatur politik pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit të vitit 2025”, thuhet në këtë përgjigje. “Po ashtu është për keqardhje pse partitë politike deri në këtë moment nuk kanë arritur të pajtohen për çështjet kyçe, përfshirë edhe ratifikimin e Planit të reformave dhe rritjes, as pasi marrëveshja për kredi u nënshkrua javën e shkuar nga Kosova dhe Komisioni Evropian”.

Koha mëson se javën e kaluar është nënshkruar “Marrëveshja për kredi” mes Komisionit Evropian dhe Kosovës dhe se këtë e ka nënshkruar një zyrtar i ministrisë i cili nuk është deputet i Kuvendit të Kosovës. Pas këtij nënshkrimi, pengesa e vetme për kryerjen e pagesave është ratifikimi në Kuvendin e Kosovës. Pasi tash është shpërbërë Kuvendi, Kosova nuk do të ketë mundësi për disa muaj të ratifikojë marrëveshjen në fjalë, me çka seriozisht rrezikon humbjen e një pjese të mjeteve.

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim edhe për situatën e transmetuesit publik RTK-së, e cila është pasojë direkte e bllokimit institucional. “Është kyçe për një kandidat potencial të BE-së që të mundësojë financimin stabil dhe të mjaftueshëm të transmetuesit publik”, thuhet më tej.

Ky zëdhënës përsërit gatishmërinë e BE-së për të asistuar Kosovën në rrugëtimin e saj evropian, por kërkon që Kosova të ndërtojë kapacitetet e saj për veprim dhe t’i kthehet reformave të lidhura me integrimet evropiane.

Sa i përket mundësisë së humbjes së një pjese të mjeteve nga Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, Komisioni përsërit se pa ratifikimin në Kuvend, Kosova nuk do të mund të paraqesë kërkesa për kryerjen e pagesave nga kjo paketë.

 

“Kosova ishte ndër të parët nga partnerët e Ballkanit Perëndimor që miratoi agjendën e reformave të cilën e kërkoi BE-ja sipas Planit të rritjes, që u aprovua nga Komisioni në tetor të vitit 2024. Prandaj Kosova vazhdon të jetë e kualifikuar për marrjen e deri 882 milionë euro si fonde nga Plani i rritjes. Kjo mbetet e kushtëzuar me hyrjen në fuqi të marrëveshjeve që lidhen me Mjetet për reforma dhe rritje, si dhe kushteve të tjera për pagesa”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian. Në fund të përgjigjes konstatohet se: “Për shkak të vonesave në themelimin e institucioneve, marrëveshjet që lidhen me Mjetet për reforma dhe rritje nuk janë në fuqi. Pa ratifikimin e marrëveshjeve, Kosova nuk mund të paraqesë kërkesa për kryerjen e pagesave nga Plani i rritjes dhe reformave”, është thënë nga Komisioni Evropian.

Komisioni Evropian rikujton se mjetet nga kjo paketë janë të afatizuara në aspektin kohor dhe janë për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027, dhe se është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj që sa më shpejt të kryejë ratifikimin dhe t’i përdorë mjetet që janë në dispozicion.

Sipas paralajmërimeve të shpeshta të BE-së, mjetet të cilat Kosova nuk do t’i përdorë me kohë — dhe koha për disa do të kalojë vitin që vjen — do të shkojnë për vendet tjera të rajonit të cilat do t’i përmbushin kushtet.