Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për krijimin dhe thellimin e një klime të përçarjes brenda politikës kosovare dhe shoqërisë në përgjithësi.
Duke komentuar vëmendjen që mori takimi i Kurtit me kryetarin e Mitrovicës dhe njëherësh kandidatin për kryeministër nga PDK-ja në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza, Behrami u shpreh se një ngjarje e tillë u trajtua si “spektakël”, duke e krahasuar me një takim historik mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo tregon se çfarë përçarje ka injektuar ky njeri në popullatën tonë. Kemi ardhur në atë pikë ku deputetët e VV-së nuk guxojnë të flasin me deputetët e partive të tjera – ose nëse flasin, vetëm përshpërisin”, deklaroi Behrami në “Konfront”.
Sipas tij, kjo përçarje është e qëllimshme dhe shërben si mekanizëm për të fuqizuar figurën politike të Kurtit.
“Ai dëshiron ta mbajë përçarjen gjallë, sepse vetëm në këtë klimë rritet figura e tij si ‘kundër të gjithëve’. Ai kritikon Amerikën, sepse ‘është më i madh se Amerika’, kritikon Kushtetuesen, sepse ‘ai din më shumë’, dhe e sheh opozitën si të keqen absolute”, ka deklaruar ai.
Behrami shtoi se përçarja është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet shoqëria kosovare sot dhe kujtoi se ndarja e brendshme gjithmonë ka qenë një investim strategjik i armiqve të Kosovës, sidomos i Serbisë.
Sadiku: Presidentja Osmani po lobon tek ambasadat e huaja për një mandat të dytë
Analisti Arbnor Sadiku ka thënë se presidentja Vjosa Osmani po bën kalkulime politike për të siguruar një mandat të dytë për vete. Ai është shprehur se Osmani u është përshtatur zhvillimeve politike aktuale në vend dhe se po pret që fillimisht të caktohen zgjedhjet lokale e më pas të veprojë për zgjidhje të ngërçit politik me konstituimin e institucioneve.
Sadiku ka shtuar se Osmani po lobon tek ambasadat e huaja për mandatin e dytë.
“Presidentja ka shkuar me një ritëm të reagimit duke iu përshtatur gjendjes politike dhe diskutimeve të partive që duke e parë që pothuaj asnjërës prej partive aktualisht nuk është duke i konvenuar një koalicion i madh deri pas zgjedhjeve lokale, dhe si duket edhe ajo është përshtatur këtij ritmi që njëherë të caktohen zgjedhjet lokale e pastaj të shikohen mundësitë kushtetuese. Mund të ketë pasur edhe ndonjë kalkulim politik. Sa kam informata unë, Osmani sigurisht se lobon tek ambasadat e huaja për një mandat të dytë, është në të drejtën e saj. Por sigurisht se pavarësisht të drejtës së saj, kërkohet me i pasë votat në Parlament, gjë që fuqia e saj politike aktualisht është në rënie”, ka thënë ai.
Muja: Presidentja do të duhej të ishte më aktive në këtë ngërç, por po kalkulon
Profesori i administratës publike, Basri Muja, ka kritikuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për mospërfshirje më aktive në zgjidhjen e ngërçit institucional që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit.
Muja ka se roli i presidentes në sistemin politik të Kosovës është thelbësor dhe shumëdimensional, duke e përshkruar atë si garantuese të funksionimit kushtetues të institucioneve dhe të unitetit qytetar.
“Ajo do të duhej të ishte më aktive dhe pozitën e saj ta shfrytëzonte si platformë për komunikim ndërpartiak. Një ose dy takime nuk janë të mjaftueshme,” u shpreh Muja në “Konfront”, duke shtuar se presidentja është treguar e tërhequr dhe në pritje, ndoshta për shkak të llogaritjeve për të ardhmen e saj politike.
Komentet e Mujës vijnë në kohën kur Kuvendi i Kosovës po përpiqet për herë të 30-të të mërkurën të konstituohet. Ngërçi ka ndodhur në pikën e tretë të seancës konstituive – zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Deri më tani, për 20 seanca me radhë, ka dështuar formimi i komisionit për votim të fshehtë.
Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, propozoi Albulena Haxhiun për kryetare Kuvendi, por mungesa e konsensusit dhe pengesat procedurale kanë bllokuar këtë proces për muaj me radhë.
Behrami: Kurti ka 7-8 oferta, por po i refuzon - Thaçi e Rugova bënë kompromise
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se në Kosovë gjithmonë ka pasur elita politike që kanë bërë kompromise, përveç aktualisht ku, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin po refuzojnë çdo formë të kompromisit për zhbllokim të situatës politike.
Behrami ka përmendur pushtetet e kaluara, teksa ka thënë se pavarësisht se kompromiset janë bërë me shumë negociata, megjithatë është arritur konsensus.
“Kosova ka pasur dikur elita politike ku forcat si PDK që ka dalë nga lufta, që e ka pasur pushtetin, sepse ka dalë nga UÇK-ja, Thaçi ka heqë dorë nga posti i kryeministrit për t’ia lënë Bajram Rexhepit. Ne jemi mësuar nga ditët e para të lirisë me bë kompromise. Ibrahim Rugova e ka bë Ramush Haradinajn kryeministër, Isa Mustafa ka heqë dorë e ka bë Vjosa Osmanin kandidate”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Behrami ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar për konsensus, dialog dhe kompromis.
“I kemi disa oferta. E kemi një nga Albin Kurti që thotë me çdo kusht, çdo mënyrë, me hatër o me zor Albulena Haxhiu do bëhet kryeparlamentare. E kemi ofertën e PDK-së, që thotë ata që kanë qenë në qeveri nuk mund t’i votojmë për kryeparlamentar. Oferta e LDK-së dihet, qeveri gjithëpërfshirëse. Oferta e AAK-së me emra konkretë. Oferta e Nismas nuk merret parasysh. I kemi disa oferta me shumë mundësi për të dalë nga ngërçi dhe e kemi vetëm një ofertë që është e Kurtit që me ngulm tenton ta katapultojë Haxhiun”, u shpreh ai.