Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë njëherësh kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se synimi i tij është ta çojë vendin në zgjedhje të reja, duke pretenduar se data e tyre tashmë është caktuar dhe do të jetë 27 dhjetori.
Sipas Behramit, kriza politike që nisi në fund të vitit 2024 po vazhdon dhe vendi ka hyrë në një fazë të rrezikshme për rendin kushtetues dhe funksionimin e shtetit.
“Kriza e cila ka filluar në fund të 2024-s është duke vazhduar. Jostabiliteti politik po vazhdon. Kemi hyrë në një fazë shumë të rrezikshme për rendin kushtetues dhe për shtetin e Kosovës, sepse durimi i qytetarëve është sosur, durimi i partnerëve ndërkombëtarë është sosur. Njerëzit janë lodhur nga lojërat e fajësimit të partisë në pushtet”, ka deklaruar ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Behrami ka kritikuar edhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke thënë se ajo ka mundur ta thërriste më herët seancën konstituive të Kuvendit dhe se nisma për dialog politik para konstituimit të institucioneve është vetëm një mënyrë për të fituar kohë.
“Haxhiu ka mundur më herët ta thirr Kuvendin. Kjo strategjia për me fillu dialogun politik para konstituimit është strategji për blerje të kohës”, ka thënë ai.
Sipas deputetit të zgjedhur të PDK-së, takimet e thirrura nga Kurti nuk kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje politike, por krijimin e perceptimit se përgjegjësia për mosformimin e institucioneve bie mbi partitë opozitare.
“Kurti synon zgjedhje të reja. Takimet që i ka thirrur janë mekanizëm i fajësisë për të tjerët dhe për të krijuar perceptimin se ka pasur gatishmëri për koalicion, por partitë opozitare nuk po duan”, u shpreh ai.
Behrami shkoi edhe më tej, duke pretenduar se kryeministri në detyrë tashmë e ka vendosur datën e zgjedhjeve të ardhshme. Ai ka thënë se partia në pushtet do të synojë që me ndonjë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese ta shtyjë afatin që zgjedhje të caktohen më 27 dhjetor.
“Qytetarët duhet ta dinë se Kurti e ka zgjedhur datën e zgjedhjeve të radhës. Është 27 dhjetori”, deklaroi Behrami, duke shtuar se oferta e vetme e Kurtit për partitë e tjera është që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme bëri të ditur se seanca konstituive është caktuar më 6 gusht në orën 10:00. Afati i fundit për konstituimin e Kuvendit është 7 gushti.
Nga data se kur konstituohet Kuvendi, nis rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
Behrami: Reagimet e BE-së ndaj Kurtit – si lojë e koordinuar mes tyre
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se reagimet e Bashkimit Evropian ndaj veprimeve të Qeverisë Kurti “duken si lojë e koordinuar mes tyre”.
BE-ja së fundmi ka bërë tri reagime ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës. Ajo ka shprehur keqardhje për refuzimin për kthim të serbëve të dorëhequr nga institucionet e drejtësisë, por edhe ka kërkuar ndaljen e rrënimeve të vilave në Ujman. Sipas Behramit, BE-ja në raste të caktuara i lejon Kurtit të shfaqë edhe nacionalizëm.
“Është më shumë qëndrim personal i imi. Çka kam parë unë është se këto reagimet e BE-së në raport me zotin Kurtin, mua më duken si lojë e koordinuar mes tyre. Me bë pak zhurmë... si te shohin që Kurti është keq me matjet e opinionit publik e lejojnë të bëhet më nacionalist edhe kundër serbëve e edhe kundër Serbisë, ndërsa pas tyre gjithmonë vijon ndonjë kompromis i tmerrshëm për Kosovën. Kosovës iu hoqën masat, përfundimisht edhe atë para zgjedhjeve. Dhe zoti Kurti i shpërbleu me Ligjin për shtetësi, që është ligj skandaloz dhe ndërsa flasim ne sot këtu, në konsullata të Kosovës nëpër botë ka plot serbë të të ’70-ave, ’80-ave e ’90-ave që aplikojnë për shtetësi të Kosovës. Kurti gjithmonë sa herë te shihni që është nacionalist, që i godet serbët lokalë dhe Serbinë e Vuçiqin e Radoiçiqin pritni në ditët dhe javët e ardhshme ndonjë kompromis të tmerrshëm për Kosovën”, ka thënë Behrami në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka thënë se “BE-ja duhet të jetë më shumë e shqetësuar për tendencat e Kurtit për përmbysje të rendit kushtetues, kapje të institucioneve”.
Behrami ka akuzuar BE-në për operim me dy standarde në krahasim me veprimet e Qeverisë Kurti dhe të ish-qeverive.
“Të jenë të paktën 30 për qind më të zëshëm se kundër qeverive të kaluara... Po operon me dy standarde. Dikur kishte standard, kur unë isha në Qeveri, ata shikonin çdo deklaratë të çdo zyrtari tepër të ulët e reagonin. Atë kohë ka ushqyer e ka përhapur stereotipe për qeveritë kur kam qenë në pushtet. Dhe i njëjti Bashkim Evropian ka investuar në Vuçiqin... 10 miliardë euro qarkullim të firmave gjermane... Dhe në atë kohë, Kosova portretizohej si epiqendër e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Evropë e shpërblehej Vuçiqi që është dëshmuar si kriminel dhe autokrat e i involvuar në krime të llojllojshme”, ka shtuar ai.
-
Kurti paralajmëron zgjedhje të njëpasnjëshme nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 28 prill
-
Kurti paralajmëron takime për presidentin, opozita e akuzon për ngërçin politik
-
Caktohet seanca konstituive, partitë përballen me afatin për presidentin
-
Në pauzë, konsultimi për institucionet
-
Kurti s’përgjigjet nëse po i pret zhvillimet në LDK për të rinisur bisedimet