Zgjedhjet lokale

Ujë të pijshëm e subvencione për lehona dhe studentë, premtojnë kandidatët e LDK-së

Ekrem Hyseni

Dy ditë para zgjedhjeve, kandidatët e LDK-së kanë vazhduar fushatën duke promovuar punët në komunat që i udhëheqin e duke premtuar ndryshime në ato që i synojnë. Në Junik, Ruzhdi Shehu Ruzhdi Shehu, ka premtuar se do të mbështesë nënat lehona me 300 euro pas lindjes, do të subvencionojë fermerët me pajisje, si dhe do të ofrojë bursa për nxënësit dhe studentët. Rritje të subvencione për nënat lehone, personat me sëmundje kronike premtoi edhe Ilir Ferati në Istog. Në Dragash dhe Ferizaj, zgjidhja e problemit të mungesës së ujit të pijshëm mbetet prioritet i kandidatëve

Një ditë para mbylljes së fushatës, kandidatë të Lidhjes Demokratike për kryetarë komunash, janë zotuar për mbështetje të lehonave, foshnjave e nxënësve.

Kryetari aktual i Junikut dhe kandidati i LDK-së për edhe një mandat, Ruzhdi Shehu, ka prezantuar program të ri të subvencioneve.

“Do të ofrojmë mbështetje për gratë lehona, me subvencione 300 euro pas lindjes, si një formë kujdesi për nënat dhe familjet e tyre. Do të mbulojmë shpenzimet shëndetësore për të sëmurit kronikë, që të mos jenë vetëm në përballen me vështirësi. Do të subvencionojmë fermerët me pajisje bujqësore modern, për të rritur prodhimin, për të ulur kostot dhe për të përmirësuar cilësinë e produkteve vendore. Me një fond të veçantë, do të ofrojmë bursa për nxënësit dhe studentët sepse besojmë se investimi në arsim është investimi në të ardhmen e Junikut”, ka deklaruar Shehu.

Edhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati, që synon mandatin e ri, ka premtuar rritjen e vlerës së subvencioneve për lehona nga 150 në 250 euro, dhe për personat që vuajnë nga sëmundjet kronike deri në 300 euro.

“Rritja e subvencionimit të nënave lehona nga 150 euro në 250 euro për lindje, një mbështetje për familjet e reja. Subvencionimi për qytetarëve që vuajnë nga sëmundjet kronike në vlere deri në 300 euro. Subvencionimi 100% i te gjitha shpenzimeve te shoqatës se pensionistëve ne Istog Subvencionimi i nenave vetë ushqyese ne vlerë prej 500 euro. Familjeve strehuese që strehojnë fëmijë nga Istogu do te subvencionohen me nga 100 euro në muaj”, ka thënë Ferati.

Ndërkaq, në Fushë-Kosovë, kandidati Besnik Osmani ka bërë të ditur se ka nisur projekti për internet falas në rrugën “Dardania”, dhe ka premtuar se edhe rrugët përreth do të kenë qasje falas në internet.

“Sot kemi filluar projektin për internet falas në rrugën Dardania. Shumë shpejt, të gjitha rrugët përreth do të kenë internet falas”, u shpreh Osmani.

Ndërsa në Podujevë, kandidati Ekrem Hyseni ka thënë se nëse e fiton mandatin, prioritet do të ketë transformimi i Parkut të Pishave.

“Transformimi i Parkut të Pishave dhe Korridori i Gjelbër është projekti tjetër prioritet për Podujevën tonë urbane”, tha Hyseni.

Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj, ka premtuar realizimin e projekteve infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e sistemit të ngrohjes qendrore dhe unazës së qytetit.

“Dojmë me hy në projekte të mëdha për Prizrenin, dojmë me bo Prizrenin me ngrohje qendrore, që sot s’ka. Dojmë me bo Prizrenin me unazë të mesme dhe të jashtme të qytetit, që sot s’ka, sepse këta as nuk kanë ide, as nuk dijnë, e as nuk dojnë, por dojmë me keqmenaxhu”, u shpreh Selmani.

Arbër Ismajli, kandidat për kryetar të Gjilanit është zotuar për investime në fshatra. Në Llashticë, ai premtoi hapjen e rrugës dhe renovimin e urës. Në Zhegoc, planifikon fushë sportive, asfaltim rrugësh dhe park. Ndërsa në Cërnicë, prioritet për të mbetet furnizimi me ujë të pijshëm dhe ndërtimi i kanalizimit.

“Premtimet kryesore për fshatin Llashticë: Hapja e rrugës që lidh Llashticën me fshatrat e brezit kufitar, funksionalizimi i ujësjellësit, renovimi i urës në hyrje të fshatit dhe shtigje për ecje. Premtimet kryesore për fshatin Zhegoc: Ndërtimi i fushës sportive tek shkolla fillore “Feta Qerimi”, asfaltimi dhe rregullimi i rrugëve, krijimi i parkut dhe investim në bujqësi. Premtimet kryesore për fshatin Cërnicë: Sigurimi i furnizimit me ujë të pijshëm, investim në ndërtimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik si dhe investim në infrastrukturë’, ka thënë Ismajli.

Në Dragash, kryetari aktual dhe kandidati për mandatin e dytë, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se ka filluar furnizimi gradual me ujë për 15 fshatra dhe për qytezën. Ai ka theksuar se ky ka qenë një prej premtimeve të tij elektorale.

“Sot më dt.10.10.2025 në ora 17:00 fillon furnizimi gradual me ujë nga projekti kryesor i ujësjellësit, që do të përfshijë 15 fshatra dhe qytezën e Dragashit. Ky projekt është një premtim elektoral i përmbushur dhe një hap i madh drejt përmirësimit të jetesës së qytetarëve”, njoftoi Xheladini.

E, në Ferizaj, kandidati për kryetar, Visar Azemi, ka premtuar se prioritet kryesor i qeverisjes së tij do të jetë zgjidhja e problemit me ujë të pijshëm.

“Prioriteti i parë është uji, prioriteti i dytë është prapë uji, dhe i treti është uji. Nuk ka kuptim në një qytet si Ferizaj në vitin 2025, më pas mungesë të ujit të pijshëm”, deklaroi ai.

Gjatë ditës, fushatë kanë bërë edhe kandidatë të tjerë. Në Mitrovicë, Gazmend Plakolli ka thënë se me LDK-në në qeverisje, sektori privat do të jetë prioritet.

 

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet

Dita e 28-të e fushatës